Lajme

Zgjidhje joevropiane në territorin evropian!

03/04/2019 12:46
nga: Gjon Culaj

Shkruan: Gjon Culaj

Nëse para dy viteve, do vinte, nga kushdoçoftë, nje propozim për ndarje në vija etnike apo zgjidhje territoriale në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve të këtyre dy vendeve, reagimet në SHBA dhe në vendet e BE do të kishin qenë jo vetëm kundër por edhe me kërcënime se një ide e tillë është e rrezikshme dhe kundër parimeve e vlerave mbi të cilat është ndërtuar rendi i ri botëror pas 1945 dhe sidomos Bashkimi Evropian, i cili në fundamentin e tij, si një projekt i paqes dhe i sigurisë, ka diversitetin e shumëllojshëm.

S’do mend se, administrata e re amerikane, ka bërë një kthesë të madhe ideologjike në raport me Bashkimin Evropian. Për herë të parë në historinë e mardhënieve SHBA-BE, një President amerikan, publikisht, ka shfaqur, disa herë, qëndrimet e tij të ashpra, madje agresive karshi BE-së. Pa kritikuar s’ka mbetur as NATO, Presidenti amerikan, Donald Trump, me gjasë ka averzion ndaj dy organizatave ndërqeveritare BE dhe NATO dhe faktit se këto të fundit janë krijuar në themele të demokracisë liberale si sinonim i Perendimit. Është e vertetë se edhe në të kaluarën ka pasë mospajtime dhe antagonizma në mes SHBA dhe BE-së, si rivalë ekonomikë, por për sa i takon sigurisë, zgjerimit të BE-së, sfidave ambientale dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, gjithmonë SHBA kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të parezervë për aleatët evropianë. Ndërsa tash, po ndodhë e kundërta, po tentohet një dobësim i skajshëm i BE-së, në planin ekonomik dhe diplomatik, i cili shkon në favor të Rusisë e cila tradicionalisht e dëshiron një BE të dobët, të përçarë dhe pa ndikim në skenën ndërkombëtare.

Krejt kjo çka u tha më lartë nuk i shkon përshtati as Kosovës, jo vetëm në planin e brendshëm për krijimin e një shteti funksional por edhe në rrugën e saj drejt formësimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimeve euro-atlantike, e aq më pak në procesin e negocimit me Serbinë për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve. Ndonse nuk kemi parë ende ndonjë dokument apo propozim, projekti i vjetër serb, i cili rezultoj me luftëra dhe tragjedi të papara që nga Lufta e dytë botërore dhe si i tillë u dënua nga bota e lirë demokratike, tashmë është rishfaqur si aneks i tij, për ndarjen e Kosovës në vija etnike, dhe me gjasë ka gjetur dhe po gjenë përkrahje brenda dhe jashtë Kosovës.

Logjika sipas së cilës, për ta zgjidhur një konflikt të ngrirë, të propozohet një zgjidhje territoriale në mes Serbisë dhe Kosovës nxjerr në sipërfaqe dështimin tonë dhe të Perendimit vis-à-vis parimeve për të cilat jemi angazhuar bashkarisht tash e 20 vjet. Për më tepër, nga një konflikt i ngrirë, mund të hyjmë në një faze të re të rikonfigurimit të kufijve në Ballkan. Në qoftë se një marrëveshje paqësore për ndryshimin e kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte e pranueshme, pse një tjetër në mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ishte? Pra, shumë çështje që kanë të bëjnë me shtetet dhe identitetet nacionale do të hapeshin në Ballkan. Në qoftë se Kosova ka qenë rast ‘’ sui generis’’ në vitin 2008, zor se do të jetë në vitin 2019. Për më tepër, cfarë mesazhi do të merrnin shumica e Serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë këndej lumit Ibër? Një zgjidhje eventuale e tillë, pra një zgjidhje joevropiane në territorin evropian do të minonte përfundimisht, modelin e krijimit të shtetit qytetar, i cili në vete i përfshinë të gjithë dhe ku të njëjtit kanë të drejta dhe detyrime të barabarta, model ky i cili u tregua i sukseshëm dhe me të ardhme të sigurt gjithëandej nëpër Evropë.

Si një vend i vogël, madje as faktor rajonal, Kosova ka nevojë për ruajtjen e partneritetit strategjik me SHBA dhe vendet e BE-së, jo rastësisht e thash me vendet e BE-së, sepse BE si e tillë, pra si organizatë, ka probleme serioze në politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë, në fakt, asnjëherë nuk është afirmuar si aktor i rëndësishëm politik dhe ushtarak as në nivel rajonal as në atë global. Aq më pak mund të presim tani nga përfaqësuesit e BE-së në fundin e mandatit të tyre, të cilët shpeshëherë po trajtohen shumë ma seriozisht te ne se sa trajtohen në kryeqendrat kryesore evropiane. Për më tepër, një zgjidhje eventuale e propozuar nga ta, do të ishte vështirë e implementueshme, prandaj siç ka ndodhë në të kaluarën, ne duhet të kërkojmë implikim më të madhë në këtë proces të SHBA, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, të cilat mund të garantojnë implementimin politik dhe ushtarak të një marrëveshjeje eventuale.

Përvec Gjermanisë e cila ka një qëndrim të prerë kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve në baza etnike, ne duhet të besojmë se edhe SHBA, vendi ku mund të jesh me ngjyrë dhe të bëhesh i pari i tij, Franca, ku mund të jesh i huaj dhe pas disa viteve behësh Kryeministër i saj dhe Britania e Madhe, ku mund të jesh me origjinë aziatike dhe të zgjidhesh kryetar i Londres, do të refuzojnë idetë e rrezikshme dhe antihumane.

Përkrahjen që e kishim në vitin 1999 kur luftonim për liri dhe në vitin 2008 kur e shpallëm veten shtet, ne mund ta humbasim vetëm në qoftë se dështojmë të krijojmë shtet ligjor dhe të barabartë dhe asesi duke i mbrojtur vlerat dhe praktikat e mira evropiane. Nuk mund të humbet përkrahja ndërkombëtare nëse ne i japim kuptim shtetit tonë duke e ruajtur dhe duke e bërë funksional, ku liritë dhe drejtat e njeriut, jo vetëm se respektohen por edhe avancohen vazhdimisht. Për më tepër, mardhëniet miqësore dhe strategjike që Kosova ka me demokracitë më të fuqishme të botës nuk mund të zhbëhen kaq lehtë sepse nuk po flasim për mardhënie mes elitave por mes kombeve apo shteteve. Që nga shembja e monarkive absolute dhe krijimi i shteteve moderne kombëtare, pronarë të shtetit janë kombet e jo elitat politike në pushtet.

Gjon Culaj