Lajme

Zgjedhjet e jashtëzakonshme – PDK-në s’e pengon mos përfaqësimi në KQZ, NISMA ndihet e hendikepuar

07/22/2019 14:33
nga:Gazeta Blic

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, të gjitha partitë politike në vend po kërkojnë që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të caktoj sa më shpejt datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Të tri partitë politike që janë në koalicion PDK – AAK -NISMA janë shprehur të gatshme për mbajtën e zgjedhjeve nacionale sikurse edhe LDK e Lëvizja Vetëvendosje.

Por këto dy parti politike (LDK e VV) që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës e që janë në opozitë kanë nga dy anëtarë të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucion ky që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve nacionale e lokale në vend.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk kanë asnjë zyrtar të tyre si anëtar të KQZ, pas vendimit të presidentit të Kosovës se si duhet të përfaqësohen partitë politike në institucionin që organizon zgjedhjet.

Mirëpo kjo nuk po i pengon aspak këto tri parti politike që të shkojnë sa më shpejt në zgjedhje.

Gazeta Blic ka kontaktuar me zyrtar të PDK të cilët kanë thënë se PDK duhet të ketë përfaqësues të tyre në KQZ, mirëpo edhe nëse kjo nuk ndodh , sipas tyre kjo nuk e pengon këtë subjekt politikë që të garoj në zgjedhje.

Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës që dikur ka qenë edhe anëtar i PDK-së në KQZ, tha se kryetari i PDK-së Kadri Veseli edhe pse si kryetar i koalicionit kishte të drejtë të dërgonte dy përfaqësues në KQZ, për shkak të respektit të partnerëve të koalicionit i priti ata derisa të kthen një përgjigje Gjykata Kushtetuese.

“Por besojmë se me rrethanat e krijuar është e domosdoshme që të kemi përfaqësuesin tonë në KQZ për të rritur kredibilitetin e zgjedhjeve, por PDK pa marr parasysh a do te ketë përfaqësues në KQZ ajo do të marrë pjesë në zgjedhje. Jemi partia me e organizuar në Kosovë dhe kemi bërë gjithë përgatitjet për të dal fitimtare në zgjedhje”, tha Gjoshi, raporton Gazeta Blic.

Në partinë që drejtohet nga Fatmir Limaj thonë se mos përfaqësimi i tyre në Komision Qendror të Zgjedhjeve do të jetë hendikep i madh, por që nuk kanë zgjidhje tjetër.

Xhevdet Smakiqi anëtar i kryesisë Qendrore të NISMA tha për gazetën Blic se sipas së drejtës së përfaqësimit kjo e vendos NISMA-n në pozitë jo të barabartë siç ia lejon Kushtetuta për caktimin e një anëtari në KQZ.

“Do të përdorim çdo mjet ligjor për ta mbrojtur procesin e drejtë të zgjedhjeve nga fushëveprimi dhe përgjegjësia ligjore që ka përbërja aktuale e KQZ-së” tha Smakiqi , shkruan gazeta Blic.

Gazeta Blic ka kontaktuar edhe më zyrtarë të AAK të cilët shumica nga ta nuk kanë hapur telefonin.

Aktualisht përbërja e KQZ duket kështu – Lidhja Demokratike e Kosovës ka të emëruar dy anëtarë, Lëvizja Vetëvendosje po ashtu dy anëtarë dhe minoritetet janë të përfaqësuar me katër anëtarë.

Të pakënaqur me vendimin e presidentet të Kosovës për përbërjen e KQZ-së, PSD, AAK dhe NISMA kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentit Hashim Thaçi, e ku Kushtetuesja ende nuk ka kthyer një përgjigje në lidhje me kërkesën e këtyre partive politike.

 

10/13/2019 13:04

​Ja si u helmuan zyrtarët e KQZ-së nga zarfet e ardhur nga Serbia