Sporti

Vlen £1.4 miliardë! Formacioni më i çmuar në botë s’ka vend për Messin, CR7 e Neymar

06/14/2019 22:47
nga:M K

Kylian Mbappe është titulluar futbollisti më i çmuar në botë, i vlerësuar në shumën marramendëse prej £224milionë, duke kryesuar kështu formacionin më të shtrenjtë në botë, që vlerësohet të kushtojë në total në shumën stratosferike prej £1.429 miliardë.

Mohamed Salah është futbollisti i dytë më i vlerësuar, me një etiketë në shumën e £195 milionë, ndërsa në vend të tretë, Raheem Sterling i Manchester City, në kuotën e £148.7 milionë, mposht Lionel Messi, të mbetur jashtë formacionit më të kushtueshëm.

Shifrat dhe të dhënat janë gjeneruar nga “CIES Football Observatory”, që ka prodhuar një listë të futbollistëve më të çmuar në botë, që prej vitit 2013.

Siç shkruan Telesport, Mbappe, Salah dhe Sterling formojnë një treshe sulmuese shumë të fuqishme dhe po aq të kushtueshme në formacionin më të shtrenjtë në botë, në një repart, që i vetëm kap vlerën e £603 milionëve, përcjellë GazetaBlic.

Një ofensivë e mbështetur nga mesfusha e përbërë nga Bernardo Silva, i cilësuar si mesfushori më i vlefshëm, i çmuar në shumën £121.6 milionë, pasuar nga fantazisti i Barcelonës, Coutinho në shumën £114.9 milionë dhe Pogba i Manchester United, me vlerë £111.1 milionë.

Liverpool dominon në repartin mbrojtës të përbërë nga katërshja Andy Robertson (£78.4m), i çmuari Virgil van Dijk me vlerë £99.6m dhe Trent Alexander-Arnold, mbrojtësi më i çmuar në shumën £115.6 milionë, të cilëve u bashkohet edhe mbrojtësi i Manchester City, Aymeric Laporte (£93.6m).

Alisson i blerë nga Liverpool një vit më parë për £65 milionë, tani çmohet jo pak por £95.5 milionë dhe merr vendin e titullarit në portë, në formacionin më të kushtueshëm në botë.

Algoritmi i përdorur nga “CIES Football Observatory” konsideron një numër të madh variablash, duke përfshirë moshën, vlerën e kontratës, rolin në fushë, minutazhin, golat, statusi ndërkombëtar, ekipi, rezultatet e arritura dhe shumë të tjera. Elementë këto që kanë lënë jashtë formacionit më të çmuar në botë, emra si Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar e Hazard.