Opinion

Viktima e radhës: SHPEND AHMETI

03/08/2018 11:18
nga:Xhemal Ahmeti

Në një vend të lirë, demokratik, pluripartiak; a ka të drejtë individi të vendos vetë për të aderuar apo jo në akëcilën parti ku beson se mund të realizojë synimet personale? A ka të drejtë ligjore e morale i njëjti të zhgënjehet me njërën parti dhe të kalojë tek tjetra?

Çdo njeri që konsideron pluralizmin politik dhe lirinë si bazat e një demokracie kualitative do të përgjigjej kategorik: Po! Individi jo se ka të drejtë morale, por edhe ligjore t’i bëj këto veprime, përndryshe liria individuale nuk do kishte asnjë kuptim. Ndryshe argumentojnë ata që kanë mundësinë të reflektojnë vetëm brenda black-boxit ideologjik monist, diktaturçe pra.

Do të ishte jo e zakonshme nëse nuk do shpërthente histeria e militantëve besnik të Albin Kurtit kundër dorëheqjes së kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti nga LVV. Motivet variojnë nga ato që rezultojnë si grupsimptomash të shkaktuara nga hipnoza idolatrike për liderin e deri tek ato që sheshazi manifestojnë frustrimin që iu është bërë topthfryme pas një kalkulimi fare të thjeshtë: pas tërheqjes së ish FER-istëve minusi mund t’i bëhet partisë gropa drejt jofaktorësisë. Ish partiaku i dyvëshave Rushit Rimanishta e solli një statistikë që konfirmon këtë tezë dhe, e cila qëndron dhe mund të verifikohet edhe nga ata që nuk kanë aq simpati për “matematikën”.

Se militantët e cilësdo kategori brenda VV-së, reagojnë me fyerje të rënda dhe kritika të ashpra, edhe pse nuk mund t’i justifikojmë asnjëherë, së paku mund t’i kuptojmë, madje edhe duke u dhuruar njëlloj empatie nën hipotekë.

Reagimi i të ashtuquajturve “eksponentë të shoqërisë civile” mirëpo është Fatwa e vërtetë. Ajo më brutalja, më primitivja dhe më enigmatikja. Përmbajtja e këtij difamimi përbëhet nga epitete si: “hipokrit, dështak dembel, gënjeshtar, përçarës, patronizues, përfitues në kurriz të tjerëve, 3D = debil, dështak, dembel”.

Nga goja e militantëve siç nënvizuam gjitha këto akuza do të merreshin si frustrime të palejueshme, por të kuptueshme, ngase një parti nuk grumbullon rreth vetes vetëm demokratë e libertinë, por edhe asish që ende funksionojnë me Kanunin e Ali Bungut; të atillë që vetëm komunizmin e shohin si sistemin më adekuat për “rregullimin fizik e mental” të shqiptarit të pa-emancipuar; të atillë që vetëm me regjimin e “musafit” dhe “muxhës” besojnë ta shpëtojnë botën nga hedonizmi dhe plotë të sojit e llojit.

Këto kategori do t’i kuptonim nëse do akuzonin për përçarje të partisë, për shkelje në besë të kullarit, për gënjeshtar përfitues e çka jo.


Në rastet mirëpo kur akuzat e këtilla shqiptohen nga përfaqësues institutesh të huaja në Kosovë apo të atillë që s’janë brenda të VV-së, atëherë parashtrohet pyetja; e bëjnë në emër personal?

Nëse po le të tregojnë në gjykatë për mashtrimet e Shpend Ahmetit ndaj tyre ose instituteve që përfaqësojnë dhe le të mos helmojnë psikën e opinionit pa treguar se ç’ problemi personal kanë? Dakord: ata mund të thonë se fyerjet i bënë në kontot e tyre private të Facebook-it e mediat janë fajtore që bartin në opinion vjelljet e tyre etermbytëse.

E këto, mediat janë si duket në hall: nuk dinë të dallojnë kur dikush prej tyre flet në emër të institutit e kur në emër të vetë – ngase të dy janë një. Sidomos për nga interesat dhe involvimi: në emër të demokracisë pluraliste dhe lirisë, moralit dhe ligjeve ata nuk reagojnë kaq egërt, ngase siç thamë është e drejtë absolute individuale e Shpend Ahmetit dhe tjerëve të vendosin se ç’politike do përkrahin.

Në emër të objektivitetit nuk reagojnë edhe më hiç kështu, ngase përnjëherë do të kishin sulmuar edhe paaftësinë e palës tjetër për tu përballur me problemet aq të rënda të partisë – e të cilat nuk janë vetëm për të dëmtuese, por për mbarë shoqërinë.

Nuk kemi shteg tjetër, përpos difamuesit t’i konsiderojmë zombi që besojnë se kanë aq fuqi në shoqëri sa për tu diktuar tjerëve se ç’partie të bëjnë e jenë dhe se kur janë të moralshëm e kur jo. E konsiderojnë veten isntanca morale, gjyqësore – pseudotiranë të llojit të vetë pra.
Shpend Ahmeti përdori të drejtën dhe lirinë e tij individuale për të bërë atë politikë që beson se është më e dobishmja për qytetin e tij. Asgjë më shumë. Nëse gaboi vetë ai do ta paguajë taksën e jo tjerët.