Lajme

Vdes një 27 vjeçar pas përplasjes me autobus në Prishtinë (FOTO)

10/10/2019 10:10
nga:Gazeta Blic

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje rreth orës 15:00, në rrugën “Shkelzen Haradinaj” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka humbur jetën një person.

Sipas Policisë, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, vetura e tipit  “Golf ” dhe një autobus i tipit Mercedes.

“Si pasojë e këtij aksidenti është lënduar ngasësi i veturës, i cili  nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti, rreth orë 18:00, në QKUK, ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën R. M. 27 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, drejtuesi i veturës Golf, vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në QKUK. Lidhur me këtë aksident drejtuesit  të autobusit,  me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit  prej 48orësh. Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në komunikatë.

Gazeta Blic mëson se 27 vjeçari që humbi jetën tragjikisht në aksident është Ruzhi Muhamedi.

Gjatë nëntë muajve të këtij viti, në Rajonin e Prishtinës kanë ndodhur  4.826 aksidente trafiku prej tyre 24 aksidente trafiku me pasoja fatale, ku 25 persona të vdekur, 1.484 aksidente trafiku me të lënduar – 2.792 persona të lënduar, si dhe 3.318 aksidente trafiku me dëme materiale.

“Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale  dhe të personave të lënduar, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik”, thuhet në komunikatë.