Lajme

Varfëria në rritje: Ndërpresin edhe shkollimin për të kërkuar lëmoshë!

03/13/2018 13:39
nga:M H

Me pantallona  e këpucë të shqyera, po ecnin sheshit kryesor të Prishtinës tri vajza nga Fushë Kosova, të cilat edhe ditën e martë kishin dalë të kërkonin lëmoshë nga çdo kalimtar.

Duke mos preferuar që identiteti i tyre të bëhet publik, ato në kushte anonimiteti rrëfyen për “Gazeta Blic”, për jetën e tyre dhe për arsyet kryesore që i shtyn këto vajza të dalin dhe të kërkojnë para nga çdo kush.

L.J 16 vjeçare filloi e para rrëfimin e saj. Ajo tha që familja e saj nuk i kanë kushtet e mira ekonomike, por bëri me dije se ata gjithmonë furnizohen me ushqim dhe veshmbathje nga komuna. Mirëpo, gjërat që ua ofrojnë komuna nuk janë të mjaftueshme për mbijetesë dhe  kështu ato  janë të detyruara të dalin çdo ditë dhe të kërkojnë para.

“Neve na ndihmojnë, na japin ushqim, tesha, po nuk na dalin, e duhet me dal me lyp pare. Nganjëherë i laj xhamat e kerreve në semaforë”, tha vajza.

Ajo vazhdoi rrëfimin e saj duke treguar se nga kushtet e vështira nuk ka mundur as të vazhdoj shkollimin.

“Unë veç deri në klasë të pestë kam shkuar në shkollë, emrin e mbiemrin di me shkrua”, tregoi ajo.

Kjo vajzë e cila do të duhej të ishte në banka shkollore, dhe të shijonte fëmijërinë e saj në mënyrën më të mirë, pohoi se që nga mosha 8 vjeçare ka dalë për të kërkuar para.

Lëmosh-kërkuese
Fotografia e realizuar diku në Prishtinë

Ajo tregoi edhe shifrën së sa para arrin t’i ‘fitoj’ gjatë ditës.

“15 euro edhe ma shumë, varet”, tha ajo.

Duke treguar se janë 10 fëmijë në familje, vajza u ngrit dhe vazhdoi rrugëtimin e saj me shpresën që do t’i mbledh disa para gjatë ditës së sotme.
Pranë vetës kishte marrë edhe motrën e saj e cila ishte 8 vjeçare, dhe së bashku vazhduan  sheshit “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Kërkimi i lëmoshës në Prishtinë është bërë një dukuri mjaft shqetësuese. Po thuajse në çdo rrugë të kryeqytetit janë persona të moshës së ndryshme duke kërkuar lëmoshë.

“Gazeta Blic”, ka biseduar edhe me Policinë e Kosovës, për të mësuar më shumë informacione lidhur me këta persona.

Daut Hoxha, zëdhënës i PK-së, tha se kërkimi i lëmoshës vazhdon të mbetet e pranishme  në të gjitha qytetet e Kosovës, e sidomos në Prishtinë.

“Problemi i kërkim lëmoshës si dukuri mbetet ende e pranishme në qytetet e Republikës së Kosovës sidomos në kryeqytetin e Prishtinës. Fëmijët por edhe të rriturit të cilët kërkojnë lëmosh nuk janë vetëm shtetas të Kosovës, por sipas informacioneve dhe përvojave që kemi nga tereni një numër më i madh prej tyre janë shtetas të Shqipërisë. Personat që kërkojnë lëmosh konsiderohen pjesëtarët më të rrezikuar të shoqërisë siç janë: të miturit, të moshuarit, gratë e shoqëruara me fëmijë dhe kryesisht i takojnë minoriteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas”, sqaroi Hoxha.

Një lëmosh-kërkuese e ulur në sheshin në Prishtinë

 

Hoxha, tregoi se Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e larta  vazhdimisht kanë marrë veprime për t’i larguar nga rruga këta persona, por prapë së prapë kërkimi i lëmoshës mbetet diçka e zakontë.

 

“Në vazhdimësi Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucione tjera ka ndërmarr veprime ligjore për largimin e lypsarëve nga rruga ku janë organizua fushata të ndryshme, megjithatë kjo dukuri po vazhdon të jetë e diçka e zakontë. Sipas ligjit për Rend dhe Siguri Publike dukuria e kërkim lëmoshës është kundërvajtje. Nëse i referohemi statistikave të cilat rezultojnë nga aktivitetet e policisë në bashkëpunim me akterë tjerë sidomos ata për çështje sociale del se kjo dukuri po vazhdon me tendenca të uljes”, potencoi ai.

Zëdhënësi Hoxha, tregoi se numri i lëmoshë-kërkuesve është mjaft i madh, sidomos dy viteve të fundit.

“Policia e Kosovës, gjate periudhës se fundit ka identifikuar këtë numër të personave që kërkojnë lëmoshë: në vitin 2016 janë identifikuar 465 persona, në vitin 2017 janë identifikuar 351 persona”, përfundoi ai.

Një djalosh duke marrë ushqim nga disa kalimtarë

Ndërkaq, po thuajse në çdo vend në Prishtinë, park, lokale, dyqane vijnë persona të ndryshëm kështu duke shtrirë dorën e tyre për sa do pak para.

Kjo gjendje është mjaftë e rëndë, e sidomos kur personat që të kërkojnë lëmoshë janë fëmijë.

Shpesh-herë, ata në lokalet e qytetit hyjnë duke shitur edhe lloje të ndryshme të çokollatave, kështu duke përfituar pak para.

Këta fëmijë keqtrajtohen edhe nga familjarët e tyre, dhe po ashtu edhe nga disa qytetarë që nuk janë të vetëdijshëm për sfidat që ata po kalojnë.

Mbetet të shpresojmë, që një ditë edhe fytyrat e këtyre fëmijëve të buzëqeshin, edhe nata të mos i zë në rrugë duke kërkuar para, por duke pushuar në shtëpitë e tyre./GazetaBlic./

05/24/2018 11:31

Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë