Opinion

Tri sukseset dhe tri sfidat e dala nga zgjedhjet e fundit

B. DB. D

Kosova përfundimisht po hyn ne një faze te re te emancipimit shoqëror dhe pjekurisë politike dhe zgjedhjet e fundit te 6 tetorit e dëshmuan atë. Megjithatë kjo nuk do te thotë se e kemi arrit ketë pjekuri, dhe ka ende shumë hapësirë për të bërë hapa prapa. Duke shpresuar se zhvillimet në këto zgjedhje nuk ishin të rastësishme, por si rezultat i një pjekurie politike po përmend tri sukseset si dhe tri sfidat që na presin si shoqëri pas këtyre zgjedhjeve
1. Procesi zgjedhor u zhvillua në pajtim me standardet evropiane. Dalja e madhe ne zgjedhje dhe fitorja e partive opozitare dhe veçanërisht humba e PDK qe kishte qeverisur gjatë dhe keq, tregoj për një interesim të shtuar të qytetarëve për të qenë pjesë e ndërtimit të së ardhmes së vet politike
2. Kandidimi për kryeministre i Vjosa Osmanit, dhe në veçanti numri i madh i votave që ajo ka marrë, tregon se shoqëria jonë është e përgatitur të pranoj rolin udhëheqës të gruas. Natyrisht se ka ende punë për tu bërë, sidomos nga vet gratë, që të luftojnë më shumë për të marrë atë që ju takon. Shoqëria jonë tregoi se është e përgatitur ta pranoj këtë rol të gruas.
3. Pranimi i menjëhershëm i rezultatit zgjedhor dhe rolit opozitar nga partitë që humbën zgjedhjet tregon pjekuri politike por edhe dinjitet dhe respekt ndaj votuesve te cilëve nuk ju mwvesh përgjegjësia e dështimit siç ka ndodhur jo rrallë në të kaluarën duke fajësuar votuesit për mungesë vetëdijesimi. Kjo tregoi se votuesit çdoherë kane qenë të vetwdishëm por këtë nuk e kishin kuptuar ata që humbnin zgjedhjet.

Përkundër këtyre sukseseve të cilat duhet përshëndetur, shoqërinë dhe shtetin tonë e presin sfida qe janë shumëfish më të mëdha se sukseset e arritura:

1. Krijimi i Qeverisë është sfidë më e madhe sesa duket. Dy partitë qe dolën e para respektivisht e dyta nuk dallojn vetëm në ideologji, por kanë një historik dhe qasje krejtësisht të ndryshe politike, bile ndodhen në pole të kundërta Përderisa LVV jo vetëm qe nuk ka qenë asnjëherë në qeveri ( në nivelin qendror) por në vazhdimësi e ka sfiduar sistemin dhe institucionet deri në mosnjohje të shtetësisë së Kosovës ( bashkimi me Shqipërinë vazhdon të mbetet synim të paktën në programin e LVV). Në anën tjetër LDK njihet si parti institucionaliste dhe ka luajt rol konstruktiv edhe si opozitë. Ndryshimet e kohëve te fundit të këtyre dy partive, LVV duke shkuar drejt institucionalizimit dhe LDK duke ndryshuar sjelljen si opozitë nuk e di nëse do e arrijë pikën bashkuese në qeveri. Deklarimet e tyre te fundit lënë hapësirë për të besuar se kjo mund të ndodhë, por në të njëjtën kohë ngjallin edhe shumë dyshime.
2. Dialogu gjegjësisht Marrëveshja përfundimtar me Serbinë është sfida tjetër. Shumë gjera nuk kanë shkuar mirë në procesin e dialogut, shumë marrëveshje kanë qenë të dëmshme për ne, por koha nuk kthehet prapa dhe zhbërja e shumë prej marrëveshjeve është e pamundur. LVV si partia e parë e dalë nga zgjedhjet dhe kandidati për kryeministër ( ende jo zyrtarisht i nominuar) Albin Kurti ose duhet të kapërdije krejt kundërshtimet dhe deklarimet që i ka bërë në të kaluarën, fal disa prej tyre edhe është afër të vie në pushtet, dhe ta nënshkruaj Marrëveshjen me Serbinë, ose do e vazhdoj status quon në raport me Serbinë. Dialogu për dialog, dhe dialogu i brendshëm me serbë lokal do mbesin pjesë e fjalorthit elektoral.
3. Ckapja e shtetit duket më shumë si pretekst për hakmarrje politike. E vërtetë se në Kosovë ka pas ndërhyrje të politikës, të partive në pushtet në veçanti në të gjitha institucionet shtetërore. Por ckapja e shtetit nuk d.m.th. që të gjithë njerëzit që kanë zënë ato pozita me përkrahjen e partive të pushtetit, të PDK në veçanti tani duhet të zëvendësohen me ata të partive të reja pushtetare. Për më tepër thirrjet e fundit të zyrtarëve të LVV tregojnë për një qasje që shkon edhe përtej kapjes së shtetit, tregon dëshirën ( uroj të mbetet veç e tillë) për një hakmarrje ndaj të gjithë kundërshtarëve të tyre politik e jo vetëm të partive të pushtetit, dhe atë jo vetëm me largim nga detyra por edhe largim nga vendi.

Tejkalimi i këtyre sfidave në radhe të parë është përgjegjësi e partive që po pretendojnë të marrin pushtetin por mbi të gjitha janë sfida të shoqërisë kosovare në përgjithësi. Se si do përballemi dhe si do të i tejkalojmë ato, tregon nëse vërtete jemi pjekur politikisht apo rezultatet e zgjedhjeve kanë qenë vetëm një rastësi.

Unë mbetem optimiste!