Lajme

Thaçi: Ja pse duhet protestuar të shtunën

09/26/2018 19:55
nga:Gazeta Blic

Analisti Jusuf Thaçi përmes një shkrimi në “Facebook”, ka shkruar për arsyet pse duhet protestuar me datën 29 shtator, shkruan Gazeta Blic.

Thaçi ka përmbledhur shtatë pika që sipas tij janë arsyet pse duhet përkrahur protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje që për qëllim ka ndaljen e Thaçit që të negociojë me Serbinë për territorin e Kosovës.

Njëra nga pikat ka shkruar se “Duke ngarendur për të bërë pazare territoresh në emër të Kosovës dhe popullit të saj, pa asnjë legjitimitet as autorizim, presidenti i Kosovës po e shkel Kushtetutën e vendit. Ne nuk guxojmë të lejojmë që kushtetua e vendit të shkelet kaq lehtë dhe për gjëra kaq të rëndësishme për vendin”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në fund të shkrimit të tij ai bën thirrje që të gjithë t’i bashkohen kësaj proteste.

Shkrimi i plotë i Thaçit:

Pse duhet protestuar më 29 shtator?

1. Lëvizja e kufijve në shpërputhje me të drejtën historike është mbjellje e farës për luftë e gjakderdhje në të ardhmen. Këtë barrë nuk guxojmë t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme.

2. Kosova Lindore (Presheva, Medvegja dhe Bujanovci) historikisht e aktualisht është tokë shqiptare. E tëra duhet të mbetet e tillë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk guxojmë të bëjmë pazare me të duke marrë pjesëza të saj dhe kështu ta humbin të drejtën historike për diçka që na takon.

3. Marrja eventuale e një pjesëze të Kosovës Lindore i hapë rrugë spastrimit etnik të shqiptarëve në pjesën dërrmuese të Kosovës Lindore, të cilët do të detyrohet t’i braktisin përgjithmonë trojet e tyre shekullore. Nuk guxojmë që shumicës së shqiptarëve të Kosovës Lindore t’ua përgatisim këtë fat.

4. Veriu i Kosovës nuk është leckë pazari që t’i falet dikujt, është tokë Kosove e spastruar etnikisht nga shqiptarët para syve të gjithë botës. Veç kësaj, kjo pjesë e Kosovës është me rëndësi të madhe strategjike dhe me burime të shumta natyrore. Ne nuk guxojmë të heqim dorë nga toka jonë për shkak një realiteti të dhunshëm të krijuar atje tash e dy dekada.

5. Të gjitha qarqet nga vendet mike dhe aleate të Kosovës që ia duan të mirën shqiptarëve janë kundër pazareve me territore, sepse e dinë se nga kjo më së shumti humbin shqiptarët dhe Kosova. Ne nuk guxojmë t’i injorojmë e t’i përbuzim miqtë dhe aleatët tanë kur ata janë në mbrojtje të interesit dhe të drejtës sonë.

6. Duke ngarendur për të bërë pazare territoresh në emër të Kosovës dhe popullit të saj, pa asnjë legjitimitet as autorizim, presidenti i Kosovës po e shkel Kushtetutën e vendit. Ne nuk guxojmë të lejojmë që kushtetua e vendit të shkelet kaq lehtë dhe për gjëra kaq të rëndësishme për vendin.

7. Një vend normal demokratik, republikë parlamentare, nuk lejon që fati i vendit e i shoqërisë të varet nga një individ, aq më pak nga një individ i shantazhuar dhe i dëshmuar për koncesione të shumta në dëm të vendit dhe popullit që pretendon se e përfaqëson. Ne nuk guxojmë ta lejojmë këtë precedent që të ndodh.

Të gjitha këto dëme e të këqija që u sipër-përmendën po na servohen nga një njeri i vetëm, prandaj populli i Kosovës duhet të protestojë të shtunën, më 29 shtator 2018, në orën 14:00, te Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, për ta ndalur këtë person dhe për t’i dhënë një leksion atij dhe gjithë të tjerëve me pretendime të tilla se:

NJË POPULL S’I NËNSHTROHET NJË NJERIU!

08/07/2019 16:22

Parashikon Arben Ahmeti: LDK-së i nevojitet ky koalicion, 4 partitë që po garojnë për vendin e parë