Lajme

Tërhiqet Agim Veliu?

05/16/2019 10:17
nga:A. R.

Që nga paslufta, kryetari i Komunës së Podujevës, njëherësh nënkryetar i Lidhjes Demokratike, Agim Veliu, ka mbajtur postin e të parit të degës së kësaj partie në Podujevë, shkruan Gazeta Blic.

Kështu duket që të jetë edhe më tutje, pasi që burime të Gazeta Blic, bëjnë të ditur se Veliu do rikandidojë për të rimarrë postin e kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë.

Veliu pritet të jetë kandidati i vetëm për postin e të parit të kësaj dege, teksa me rikandidimin e tij, ai hjek dorë nga synimi për t’u bërë kryetar i LDK-së.

Gazeta Blic, ka kontaktuar me Veliun, i cili nuk ka dashur të flas se a do të kandidojë për kryetar të degës.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor brenda LDK-së në Podujevë, do fillojë shumë shpejt, duke shtuar se kaq mund të flas tani për tani.

“Procesi zgjedhor brenda LDK-së do të fillojë shumë shpejt. Kaq mund të them tani për tani”, ka thënë shkurt Veliu, për Gazeta Blic.

Veliu është kryetar i Podujevës, për të pestin mandat në 19 vitet e fundit.

Ai ka qenë figura kryesore e LDK-së në Llap, teksa për vite me radhë mban edhe postin e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Podujevës, për një mandat kishte qenë edhe ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Zgjedhjet brenda partiake në LDK, kanë filluar kohë më parë.

Në disa degë dhe nëndegë tashmë janë zgjedhur kryetarët, teksa garë e ashpër pritet të bëhet për të parin e LDK-së.

Isa Mustafa, Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, përmenden si ndër opsionet më të mundshme për t’u zgjedhur në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

@Gazeta Blic