Lajme

Surroi dyshon se dialogu po vazhdon nën hije

06/12/2019 23:16
nga:Gazeta Blic

Publicistja Flaka Surroi ka thënë se dyshon se dialogu mes Kosovës e Serbisë është duke vazhduar nën hije.

Sipas saj, presidenti Hashim Thaçi ka grabitur procesin e negociatave dhe kjo duhet të ndalet.

“Hashim Thaçi është i njëjti si para 20 vjetësh. Nuk e shoh se ka ndryshuar. Në dukjen e jashtme normalisht që ka ndryshuar, por për fat të keq s’është përfaqësuesi më i mirë që mund të ketë ky shtet. Mënyra si e ka grabit procesin e negociatave në vjetët e fundit është e tmerrshme. Është shumë e dëmshme dhe besoj se duhet të gjendet fuqia brenda spektrit politik që t’i ndalet hovi, sepse kompetencat që ka marrë krye në vete, pa autorizim të Kuvendit, pa platformë, pa ide e thjesht të shkojë në Bruksel për të vënë nënshkrime në dokumentet që i bëjnë dëm, duhet të ndalet. Duhet të ndalet në mënyrë demokratike”, ka thënë ajo në Rubikon.

Sipas saj, Thaçi duhet të çohet në Gjykatën Kushtetuese pas deklaratave për bashkim me Shqipërinë, apo korrigjim kufijsh me Serbinë.

“Hovin mund t’ia ndalë vetëm Kuvendi, por ky Kuvend s’mund të marrë asnjë vendim tash. Askush s’e ka shumicën”, ka thënë ajo, duke shtuar se as kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka ndalur Thaçin të vazhdojë dialogu, pavarësisht se ai po thotë që me taksë ka ndaluar dialogimin për kufijtë.

“Bindja ime është se negociatat po vazhdojnë në hije, jo në publik. Kontaktet vazhdojnë mes Thaçit e Vuçiqit. A ishin në Sllovaki së fundmi. Dolën publikisht e thanë se s’do të takohemi. Kjo ishte ‘u takuam po s’po tregojmë çka biseduam’. Thaçi me deklaratën që kërkon bashkimin e Shqipërinë apo më herët me atë për korrigjim kufijsh po shkel Kushtetutën. Nëse dikush do t’ia iniciojë procedurën pranë Kushtetueses dhe nëse ajo s’luan rolin e piunit si në të kaluarën, Thaçit do të duhej t’i konstatohej shkelje e do të duhej të dorëhiqej ose shkarkohej”, ka shtuar Surroi.

Sipas Surroit, zgjedhjet e reja në vend nuk do të sillnin asgjë të re. Ajo ka thënë se zgjedhjet e reja nuk kanë efekt me parti të vjetra. Sipas saj, pos PSD-së që mund të konsiderohet parti e re, të gjitha janë të vjetra e të pareformuara.

Ka thënë se LDK-ja e PDK-ja duhet reformuar dhe të sjellin njerëz të ri për të nisur reformimin e plotë të skenës politike. Ka kritikuar LDK-në se vet e bëri president Thaçin e tash e kritikon dhe se shumica e kryesisë janë të klasës së vjetër. Për PDK-në ka thënë se akoma aty ka ndikim Hashim Thaçi, ndërsa për Vetëvendosjen ka thënë se e mira e saj është se ka treguar konsistencë, por ka shtuar se “pengesë absolute është mosnjohja e Kosovës si republikë e simbolet e saj”.

“Nëse vepron këtu politikisht e thua se flamuri i këtij shteti është i papranueshëm, s’po kuptoj se çka do të bëje nesër nëse ti i fiton zgjedhjet. A do të na bashkoje për një ditë me Shqipërinë?” ka pyetur ajo.

Për PSD-në ka thënë se mbetet subjekt i panjohur, por ka shtuar se dy kryetarët e komunave nga kjo parti, Shpend Ahmeti në Prishtinë dhe Qëndron Kastrati në Kamenicë, duhet të kishin dhënë dorëheqje morale pas largimit nga VV-ja me të cilën parti kishin fituar postet.

Më e keqja që ka sjellë kjo politikë në Kosovë, sipas Surroit, është dorëzimi i qytetarëve dhe fakti se shumë prej tyre thonë pas 20 vjetësh çlirimi se “po ta dinim se do të bëhej kështu do të kishim ik më moti”.