Cult

SHLP-ja ime dhe Universiteti Juaj

08/25/2019 19:38
nga:Gazeta Blic

Shkruan: Gani K.Rudaj

Viti 1986.
Ditë e mërkurë. 50 studentë vetëm të drejtimit Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pritnim të hynim për herë të parë në klasë.
U ulëm dhe prisnim profesorin.
Pas pak hyri një burrë flokëthinjur. Ishte profesor FUAT OSTROZUBI.
Ky profesor, do të na ligjërojë lëndën: Praktikumin e gjuhës shqipe, Fonetikën dhe Morfologjinë.
E mbajti ligjëratën e parë dhe doli nga klasa.
Ne asnjë fjalë nuk e kuptuam, edhe pse fliste shqip.
Prisnim ligjëratën e dytë.
Para nesh u prezantua një profesor me emrin Mr. Mehmet Topalli.

Profesori Mehmet, do të na ligjërojë lëndën: Letërsinë për Fëmijë e Rini, Letërsinë popullore dhe Teorinë e letërsisë. Na tregoi se cilat romane duhet t’i lexojmë dhe ato për të trija lëndët ishin 200 vepra, plus shënimet që do t’i marrim.
Në ligjëratën e tretë erdhi Dr. Yll Zajmi.
Profesori Yll, do të na ligjërojë Historinë e letërsisë. Kjo lëndë për ne ishte më e kapshme. Kalonin javët e studimeve dhe ne secilën ligjëratë vërenim dobësitë tona nga shkolla e mesme.

Problemi më i madh për të hyrë në provimin e Morfologjisë ishte se së pari duhej të jepnim Praktikumin e gjuhës, e për ta dhënë këtë provim, duhej të bënim analizën morfologjike.
Me kalimin e kohës prej 50 studentëve sa ishim, mbetëm vetëm 20.

Disa i ndërprenë studimet, të tjerët shkuan në SHLP – në e Gjakovës.
Në provimet me shkrim ishte “ligj” që nëse studenti bën tri gabime gjuhësore, fjala e profesorit ishte: ” Eja në afatin tjetër “.
Na thonin vazhdimisht se miku më i mirë i studentit është Fjalori Drejtshkrimor.
Në vitin e dytë kishim Sintaksën te i nderuari Mr. Ajet Bytyçi si dhe Metodikën.
Në sintaksë nuk kishim probleme, ngase Morfologjinë e kishim zotëruar mirë.
Përfundoi SHLP – ja dhe vendosëm t’i vazhdojmë studimet në Universitetin e Prishtinës. Për herë të parë i pamë profesorët Dr. Fadil Sylejmanin, Dr. Fadil Rakën, Dr.Imri Badallajn, Dr.Engjëll Sedajn, Mr. Isa Bajçincën, Akademik Rexhep Ismaili, i cili na ligjëronte Gjuhësinë e përgjithshme, e ndonjë tjetër.
Të gjithë këta profesorë ishin shumë të përgatitur.

Ne që vinim nga SHLP-ja e Prizrenit nuk kishim probleme me provime nga lëndët Morfologji, Morfologji historike, Fonetikë, Fonologji, Sintaksë, Leksikologji, Dialektologji,Gjuhësi e përgjithshme.

Në këto lëndë duhej punë serioze.

Para disa vitesh, Prizreni u bë me Universitet Publik.
Ky universitet u pagëzua me emrin e Ukshin Hotit.
Tani lind pyetja se kush ligjëroi në këtë Universitet?
Më herët ishte i shkëlqyeshmi, Dr.Abdullah Zymberi.
I fortë si graniti.
Dr. Sabahudin Cena, i pathyeshëm në përgatitjen profesionale.
Ikonë.

Dr. Abdullah Zymberi ndërroi jetë, kurse Dr. Sabahudin Cena doli në pension.
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, sot me disa përjashtime, është mbushur me pseodointelektualë.
Në këtë universitet, fatkeqësisht ka profesorë që niveli i tyre profesional është nën nivelin e studentëve.
Mjerim !

Një gjë më bën të çuditem me studentët e Prizrenit se asnjëherë nuk e dëgjova thënien: “Rashë nga provimi “.
Për mrekulli, të gjithë kanë nota dhjetëshe!
A do të thotë kjo se ne kemi profesorë dhe studentë të mrekullueshëm dhe të gjithë këta i njohin lëndët!?

Nëse po, atëherë, urime!
Një gjë është e sigurt se, secili që ka ardhur në Prizren për studime ka për të diplomuar.
Njëjtë sikur në shkollën fillore që nuk përsëritet , ashtu edhe në Universitetin e Prizrenit.

Universiteti i Prizrenit nuk u akreditua. Ky vendim nuk ishte i papritur, së paku për ata që e dinë se si funksionoi.
Tempulli i dijës nuk mbahet me profesorë të rrejshëm .

Para shume vitesh kur isha 19 vjeçar një kroat më pyeti në gjuhen shqipe: ” À e di se pse ne jemi para jush në aspektin intelektual?”
Unë i thashë që nuk e di.

“Ne jemi para jush sepse te ne brenda 10 viteve akademike diplomon një doktor shkence, ndërsa te Ju brenda një viti diplomojnë dhjetë doktorë shkencash”, u shpreh ai.

Studentët të cilët gjatë viteve 80 dhe 90, që nuk arritën të marrin një diplomë të fakultetit, pas përfundimit të luftës u bënë me Master e tituj shkencorë !
Prandaj, sot nuk është çudi pse të diplomuarit e rinj me tituj shkencorë kanë probleme elementare të drejtshkrimit.

Nuk pajtohem me insistimin e Sindikatës së Arsimit, sa i përket refuzimit të testimit të mësimdhënësve. Për mendimin tim është me së miri që secili mësimdhënës në çdo 3 vite të hyjë në provime profesionale.

Diploma nuk duhet të jetë garanci e ruajtjes së punës së një mësimdhënësi. Testimi eliminon nga shkolla “analfabetët me diplomë”, kurse të mirët i nxitë që të punojnë më shumë.
Cilësinë në arsim mund ta ngrisin vetëm mësimdhënësit profesionalë.