BLIC.TV

Selimi e thotë qartë: S’bashkëpunojmë me Listën Serbe as për ta rrëzuar qeverinë, e as për ta formuar atë

07/05/2019 22:42
nga:A. R.

Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, është e qartë që ata nuk do të bashkëpunojnë me Listën Serbe për ta rrëzuar qeverinë aktuale që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Në Blic Interview me Astrit Gashin, Rexhep Selimi ka thënë se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, as për rrëzimin e qeverisë, e as për formimin e saj në të ardhmen, për të cilën Selimi tha se do të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne nuk bashkëpunojmë me Listën Serbe për rrëzimin e qeverisë. Ne nuk llogarisim në votat e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë. Por, njëkohësisht edhe për shkak të rrethanave juridike, që ata janë pjesë të Parlamentit, ne nuk mund as t’ua mohojmë se si do të votojnë. As t’i sjellim me dhunë, e as t’i përjashtojmë me dhunë nga Parlamenti. Edhe njëherë po e përsëris, nuk ua kërkojmë, nuk bashkëpunojmë dhe nuk llogarisim. Përtej kësaj nuk mund të shkojmë. Kjo i bjen që ne fare se kemi mendjen tek Lista Serbe. Por, nuk mund t’ua mohojmë se si të votojnë ata”, ka thënë Selimi.

“Ne nuk llogarisim e as nuk bashkëpunojmë me Listën Serbe, respektivisht me Beogradin, as për ta rrëzuar qeverinë sot, e as s’do të bashkëpunojmë në të ardhmen për ta formuar qeverinë e ardhshme, ku do jemi pjesë e saj. Prandaj, qëndrimi jonë është i drejtë, që nuk duam që ta bëjmë hisedarë Listën Serbe, subjekt politik që është kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shtetit të Kosovës”, ka shtuar Selimi.

Selimi u shpreh i bindur se përveç disa deklarimeve publike nga disa deputetë nga koalicioni PANA, ka deputetë që privatisht ua kanë thënë zyrtarëve nga opozita që janë ta gatshëm që ta votojnë për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

“Përveç neve, Lidhjes Demokratike dhe PSD, ka pasur deklarime veç e veç të deputetëve që janë të gatshëm që të shkojnë drejt zgjedhjeve. Ka po ashtu edhe deputetë konfidenciale, që tash s’mund t’i nxjerr emrat e tyre që janë ta gatshëm që të votojnë pro rrëzimit të qeverisë”.

Kurse, kur është pyetur për ‘përplasjet’ mes zyrtarëve të VV-së dhe LDK-së për postin e kryeministrit, deputeti Selimi u shpreh se këto gjëra nuk duhet të jenë pjesë e diskutimeve aktuale. Kjo pasi që siç tha ai, nuk është koha që të flitet për poste, por për punë deri në rrëzimin e qeverisë së koalicionit PANA (PDK, AAK, NISMA, AKR).

“Ne nuk jemi në atë fazë për të diskutuar këtë gjë. As s”duhet që të jemi tani për tani për atë fazë. Ne duhet që të punojmë maksimalisht që ta rrëzojmë këtë qeveri. Nuk është koha tani për të folur as për kryeministra, as për president, e as për ministra. Kur të vijë kjo kohë, do ulemi dhe do flasim”, ka thënë Selimi.