Opinion

“Rojtarët e rrezikshëm të rrugës”

06/29/2019 10:03
nga:Qendresa Sinani

Shkruan: Qendresa Sinani

Thonë “Qeni ështe miku më i mirë i njeriut”, por të voglit ,Driton Jashari, qeni i doli armik.

Ai nuk arriti t’i mbijetojë 13 plagëve të shkaktuara në qafë e në kokë, nga qentë endacakë, dhe si pasojë e tyre vdiç.

Ky është vetëm njëri nga rastet kur kafshimi nga qentë endacakë ishte fatal për jetën e njeriut.

Rastet e lëndimit janë edhe më të shpeshta. Më i freskët është lëndimi i një 5 vjeçari (Orges Grajqevci), nga Komuna e Lipjanit, i cili kishte dalë për të luajtur në oborrin e tij, kur ishte sulmuar nga 6 qenë endacakë, të cilët e kishin kafshuar pothuajse në tërë trupin.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, 53 qytetarë kanë kërkuar ndihmë nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, si pasojë e sulmeve nga qentë, të cilët paraqesin rrezik për jetën e njeriut, meqë shumica e tyre janë të pavaksinuar.

Në Prishtinë janë rreth 3,000 qenë endacakë, kurse në mbarë Kosovën numri i tyre arrin në 200 mijë, sipas një raporti të bërë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Përvec kësaj ka raste edhe kur qentë endacakë grinden mes vete. Shpesh shohim qenë të sulmuar nga qenë të tjerë dhe askush nga organet kompetente nuk angazhohet që t’a largojë, që të mos e bartë ndonjë sëmundje, përderisa gjaku i tij pikon në tokë dhe ai gjak bëhet pluhur, e më pas ne e thithim pa vetëdije atë .Përvec nga kafshimet, kjo është një nga mënyrat e tjera si mund të barten sëmundjet nga qentë e rrugës.

Problem më vete paraqesin dhe ata qytetarë që i braktisin qentë që më herët i kanë marrë për t’u kujdesur. Pas disa vite kujdesje, disa pronarë vendosin t’i largojnë nga shtëpia me arsyen se ata janë plakur.

Ata nuk i dërgojnë në ndonjë strehimore ose vend të sigurt ku mund t’u vie vdekja por i lëshojnë në rrugë. Këto kafshë janë më agresive, sepse nuk janë mësuar të jetojnë në kushtet e rrugës.

Ligji “Nr. 02/L-10 Për Përkujdesjen e Kafshëve” e rregullon mjaft mirë kur dhe si përgjegjësitë bien mbi pronarin i cili mund të dënohet në një rast të tillë. Në nenin 5 , tek “ Përkujdesja e Kafshëve’ , tregohet se personi që mbanë një kafshë ka të gjitha përgjegjësitë për sigurinë, shëndetin apo mirëqenien e saj. Poashtu e dënueshmë më ligj është edhe ndarja e kafshëve nga të vegjlit e tyre dhe këtë e rregullon neni 6 i po këtij ligji.

Krahas rrezikut të kafshimit për këmbësorët, qentë endacakë paraqesin rrezik edhe në komunikacion sepse mund të jenë shkaktarë të aksidenteve të trafikut.. I tillë është rasti kur si pasojë e kalimit të një qeni në mes të rrugës, një veturë u aksidentua me veturën tjetër dhe si pasojë mbetën të lënduar dy persona. (Në autostradën Tetovë-Shkup)

Në anën tjetër , qentë endacakë duke u munduar të gjejnë ushqim për vete, shpërndajnë nëpër rrugë edhe mbeturinat që gjenden nëpër koshe të mbeturinave.

Si zgjidhje të këtyre problemeve disa e shohin vrasjen e qenve.

Në disa komuna të Kosovës, siç është Prishtina dhe Podujeva ,është ndarë buxhet për vrasjen e qenve. Në Komunën e Podujevës, janë ndarë afro 8 mijë euro për vrasjen e qenve endacakë dhe i janë dhënë gjuetarëve të shoqatës “Llapi” për kryerjen e vrasjes. Para janë ndarë edhe për transportin, groposjen dhe dezinfektimin e vendit ku do të vriten. Mirëpo, kjo del të jetë e lejueshme me ligj.

Në” Ligjin Për Përkujdesjen e Kafshëve” ,në nenin 8 (Vrasja e Kafshëve), thuhet “Në rastet kur është e domosdoshme vrasja e kafshës, duhet të bëhet me vuajtje minimale fizike dhe mentale të saj”. Mirëpo me këtë nuk pajtohen edhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve.

Sipas tyre për të shmangur lëvizjen e qenve në qytete të ndryshme, ata helmohen, vriten me armë zjarri ose mblidhen në objekte, të cilat nuk ofrojnë kurrfarë kushtesh, për t`u bërë më pas ushqim për kafshët e egra në kopshtin zoologjik, e që është tërësisht në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e kafshëve.

Si zgjidhje që të mos ketë viktima, ata e shohin sterilizimin që ndalon shumimin e qenve dhe vaksinimin kundër tërbimit.

Duke ndjekur ligjin, dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duhet t’i nënshtrohen procesit të njohur shkurt si KSVL (Kastrim, Sterilizim, Vaksinim, Lirim). Kjo do të thotë kontrollimin e numrit të qenve, si dhe në uljen e agresivitetit të tyre. Popullatës së qenve që kalojnë përmes kësaj procedure u vendosen shënjues në veshë.

Vitin që shkoi Qeveria ka ndarë 1.3 milion euro për menaxhimin dhe kontrollimin e qenve endacakë, por problemi nuk është evituar. Problemi qëndron në atë se trajtimi i qenve endacakë po bëhet vetëm në qendër, kurse lagjet periferike janë lënë anash. Këto mjete nuk po shhfrytëzohen si duhet ngase komuna zakonisht fokusin e ka vetëm në qendër, ndërkohë që sulmet më shumë po ndodhin në periferi të qytetit. Pra, shpenzimi i këtyre mjeteve nuk duhet të bëhet vetëm në qendër port ë shpërndahet edhe në pjesë të tjera, ku sulmet janë në numër më të madh.

Edhe pse vaksinimi i qenve po bëhet në disa pjesë të vendit, në mungesë qendrave të përhershme strehimi, qentë lirohen pas 72 orëve në vendin ku kapen.

Aktualisht egzistojnë dy qendra strehimi dhe trajtimi per qenë endacakë, njëra gjendet në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës, ndërsa tjetra në Graqanicë. Përvec këtyre egziston edhe një qendër e strehimit në Rahovec, mirëpo ajo nuk është specifikisht vetëm për qenë , është një strehimore e përbashkët e qenve dhe maceve. Në qendrën strehimore që gjendet në Graqanicë, trajtohen rreth 130 qenë endacakë, si dhe 20 këlyshë të vegjël, të grumbulluar pothuajse nga të gjitha komunat e Kosovës. Mirëpo këto strehimore nuk janë të mjafstueshme, e poashtu nuk kanë mundësi për trajtimin e gjithë qenve endacakë në vend.

Pasi që nuk ka qendra strehimi të mjaftueshme dhe ndërtimi i strehimoreve për qenë është i kushtueshëm dhe nuk mund të ndodhë në çdo komunë , zgjidhja më e mirë është të krijohen qendra të përbashkëta strehimi ,për dy-tre komuna, që qentë endacakë të vendosen aty dhe të marrin kujdesin e duhur.

Kjo do të largonte frikën tek qytetarët dhe do t’i bënte të ndiheshin më të sigurtë kur ecin nëpër rrugët e qytetit e poashtu edhe në fshatra ku numri i sulmeve është më i madh.