Lajme

Prokurorja në udhëtim zyrtar, shtyhet rigjykimi për përvetësim në detyrë ndaj ish-shefit të kontabilitetit në Radio Kosovë

05/16/2018 17:42
nga:M H

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, Bajram Shehu, i cili është duke u ngarkuar me veprën penale të “përvetësimit në detyrë”.

Deri të dështimi i kësaj seance ka ardhur pasi prokurorja Merrushe Llugiqi, që po e përfaqëson këtë aktakuzë, e ka njoftuar gjykatësen Suzana Çerkini, se të mërkurën gjendet në një udhëtim zyrtar në Kroaci.

Sipas Çerkinit, udhëtimi zyrtar i Llugiqit, lidhej me një trajnim në të cilin po merr pjesë prokurorja.

Çerkini ka vendosur që seanca e radhës të caktohet më 29 maj 2018, në ora 10:00.

Në këtë rast, në mungesë të Shehut ishte shtyrë edhe seanca e kaluar e 11 prillit 2018.

Gjykatësja kishte deklaruar se sipas fletë kthesave që ka gjykata, është parë se i akuzuari Shehu nuk e ka pranuar ftesën për seancën e së mërkurës.

“Sipas fletë kthesave që kam, thuhet se adresa nuk është e plotë dhe se personi është i panjohur. Andaj ne tash duhet të verifikojmë edhe një herë adresën e të akuzuarit”, pati thënë gjykatësja Çerkini.

Ndryshe, Shehu është duke u përballur me një proces të rigjykimit pasi që ai në vitin 2014, nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me 3 vite e dy muaj burgim dhe të njëjtit i ishte konfiskuar edhe pasuria.

Pas ankesës së mbrojtjes në Apel, shkalla e dytë kishte kthyer në rigjykim vetëm çështjen e konfiskimit të pasurisë, duke lënë në fuqi kështu dënimin me burgim.

Ndaj Shehut, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 prill 2014, kishte marrë aktgjykim më anë të së cilit ai ishte gjetur fajtorë dhe ishte dënuar më 3 vite e 2 muaj, përpos dënimit me burgim, ndaj Shehut gjykata kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, të konfiskimit të pasurisë.

Gjykata Shehut, ia kishte konfiskuar shtëpinë e tij në lagjen “Emshir”, në sipërfaqe prej 298 m2, garazhin me sipërfaqe prej 30 m2 dhe një veturë të tipit “Landrover”.

Ndaj këtij vendimi, kishte bërë ankesë mbrojtësja e Shehut, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi duke pretenduar se shkalla e parë ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale, për vendimin mbi dënimin dhe për vendimin për konfiskimin.

Me vendimin e 6 tetorit 2015, Apeli, ankesën e avokates lidhur me vendimin mbi dënimin e kishte refuzuar si të pabazuar, ndërsa e kishte aprovuar ankesën vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin plotësues, përkatësisht vendimin për konfiskimin e pasurisë.

Shkalla e dytë ka theksuar se instanca e parë në vendimin për konfiskimin e pasurive përkatëse nuk e ka arsyetuar në mënyrë të saktë vendimin për konfiskimin e secilës pasuri.

Bajram Shehu akuzohet se në vitet 2007 – 2012, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në pozitën shef i kontabilitetit, me qëllim që vetës t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka përvetësuar shumën prej 331,350.87 euro.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shehu, mjetet të cilat i ishin besuar atij si shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, nga llogaria bankare e Radio Televizionit të Kosovës, i ka bartur në llogarinë e firmës së tij, NSH “Pastrimi”.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, dëmi që i është shkaktuar Radio Kosovës arrin shumën prej 331,350.87 euro.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Shehu, si shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, me mjetet e Radio Kosovës kishte blerë 12 radiatorë për ngrohje qendrore, në vlerë të përgjithshme prej 1.061,50 euro.

Këta radiatorë, sipas prokurorisë, i pandehuri Shehu i ka përvetësuar për vete duke i dërguar në shtëpinë e tij, me çka të dëmtuarës Radio Kosova, i ka shkaktuar dëm material.

Më këto veprime të tij, sipas prokurorisë, i akuzuari Shehu ka kryer veprën penale “përvetësim në detyrë”./betimiperdrejtesi.com

10/31/2018 13:43

Kjo është deklarata e Glauk Konjufcës që e ‘çarti’ Milaim Zekën