Lajme

Prishja e raporteve ndërmjet PDK dhe AAK, shpërfaq frikën e Veselit dhe Thaçit nga zgjedhjet!

02/18/2019 18:39
nga:Gazeta Blic

Dallimet në qëndrime ndërmjet PDK-së dhe AAK-së karshi tarifës doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, kanë bërë që të debatohet në opinon mundësia e rrëzimit të Qeverisë “Haradinaj” me skenarin e njëjtë që u rrëzua edhe qeveria e kaluar, përmes mocionit të mosbesimit.

Por këtë opsion, Ish-drejtori i Fondacionit Rockefeller Brothers Found dhe publicisti Haki Abazi, po e sheh si vështirë të realizueshëm. Ai vlerëson se përkeqësimi i raporteve ndërmejt partive në koalicion ka shfaqur frikën e drejtuesit të koalicionit Kadri Veseli për të shkuar në zgjedhje.

“Raporti i PDK me AAK e ka ekspozuar friken e skajshme të Veselit dhe Thaçit nga zgjedhjet dhe një qyqarllëk që gjithmonë e kanë perdorur duke vepruar me shantazh. Ata po hiqen sikur mund ta rrezojnë qeverinë por është e qartë se janë të frikësuar nga një skenar i tille duke ditur se përkrahja qytetare është minimale për PDK. Të vërtetat për manipulimet e luftës dhe gjitha dështimet e PDK kanë rezultuar në kthjellje të e votuesit. Ata po ashtu po fshihen pas teorisë se kinse janë duke mbrojtur raportin me SHBA por ne e dimë se janë Thaçi dhe Veseli që kanë rrezikuar marrëdhënjet  me SHBA disa herë dhe kanë sjellur izolimin e Kosovës”, ka thënë Abazi për “Gazeta Blic”.

Analisti politik Haki Abazi

Ndërkaq për AAK-në, Abazi akuzon se po fshehet pas taksës prej 100 për qind, ide kjo që sipas tij prapa saj nuk qëndron partia e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Në anën tjetër AAK është duke u fshehur pas taksës 100% që nuk është ide e AAK dhe tanimë kësaj taktike është duke i kaluar afati. AAK po mundohet të mbetet në qeveri përderisa ka përshpejtuar përfitimet e të qenurit në qeveri siq janë kontrata për pistën e aeroportit, kontratat për autostradën e dukagjinit, tentimin për të filluar ndërtimin e termocentralit të qymyrit, hipërpunësimet nepër ndërmarrjet e ndryshme publike dhe bordet etj”, u shpreh ai.

Megjithatë, analisti Abazi ëshë i mendimit se do të vazhdojë qeverisjen e vendit koalicioni aktual, ani pse nuk e ka shumicën parlamentare.

“Kjo mund të vazhdojë edhe një kohë por Kosova nuk ka asnjë të mirë nga kjo situatë dhe nga ky koalcion që megjithatë nuk e ka as legjitimitetin e qytetarë sepse nuk e kanë shumicën në parlament. Kjo qeveri është duke u mbajtur në këmbë prej qelqi”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, mospajtimet rreth taksës ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës Haradinaj dhe Veseli, janë bërë të ditura pas kërkesës së këtij të fundit për pezullim të përkohshëm të taksës ndaj shteti serb dhe Bosnjes e Hercegovinës.

Ditë më parë krerët e shtetit kanë pranuar një letër nga  Zëvendës-asistenti i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, i cili u ka treguar se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake serbe, i ka dëmtuar raportet me Amerikën.

Në letrën e dërguar, SHBA shpreh pakënaqësitë ndaj vendimeve të marra nga Qeveria Haradinaj. Por pavarësisht kërkesës së SHBA-së, për pezullimin e taksës, kryeministri Haradinaj ka lutur Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të i kuptojnë sa i përket taksës, dhe që kjo masë e vendosur nuk mund të pezullohet. Po ashtu, ai ka shprehur bindjen e tij që taksa 100 për qind do ta përshpejtojë arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi./Gazeta Blic/

 

06/17/2019 10:41

Kosova mund ta marrë edhe një futbollist që ka luajtur për Zvicrën U-21