Lajme

Policia interviston katër persona të dyshuar për djegien e flamurit të Kosovës

02/14/2018 22:38
nga:F.B

Pas publikimit të një video-incizimi në rrjetet sociale, në të cilin shihen disa persona duke e djegur flamurin e Kosovës në shenjë pakënaqësie me heqjen e flamurit kombëtar te “Rrethi i Flamurit” në Prishtinë, Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme për të gjetur përgjegjësit.

Rasti i djegies së flamurit ishte shënuar diku në Gjilan. Dhe, Policia Rajonale e Gjilanit pas hetimeve të bëra ka arritur të identifikojë të dyshuarit, të cilët i ka intervistuar.

Lajmin për intervistimin e të dyshuarve e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani.

“Po janë kryer intervistat me katër persona. Pastaj prokurori i shtetit ka urdhëruar që ndaj këtyre katër personave të hapet rast “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, pasi që besohet se ata në bashkëveprim në një lokal mbrëmë në qytetin e Gjilanit kanë djegur një flamur shtetëror të Republikës së Kosovës, pastaj këtët akt e kanë incizuar dhe shpërndarë përmes mediave elektronike. Rasti procedohet në gjykatë në procedurë të rregullt”, tha Hashani.

Mbrëmë në një situatë të tensionuar, në Prishtinë, është hequr flamuri kombëtar dhe është vendosur flamuri i Kosovës në hyrje të qytetit.

Heqja e flamurit kombëtar dhe zëvendësimi i tij me atë shtetëror, ka ngjallur polemika se a do të duhej apo jo të ndodhte një gjë e tillë.

05/25/2018 16:16

Kosova do rishikoj edhe njëherë veteranët, e obligon BE-ja