Cult

Piktorja, Albana Ejupi: Çka unë bëjë, është përkthimi i vetes sime në pikturë!

02/22/2018 17:29
nga:F.B

E ka nisur dhe po e vazhdon me këmbë të hajrit atë që e di më së miri, shkruan GazetaBlic.

Piktorja, Albana Ejupi është një prej artisteve më të vyeshme e më mbresëlënëse që kemi në vendin tonë. Arti që ajo krijon dhe shpreh përmes pikturës, ka bërë që të vlerësohet e të futet në listat finale të garave ndërkombëtare të artit.

Rastin e fundit e kemi mbajtjen e “Konkursit Ndërkombëtar të Pikturës” në Poloni, aty ku prej 586 aplikuesve ka arritur të futet në listën finale. Emri i saj tashmë bënë pjesë në numrin e 24 finalistëve të përzgjedhur në konkurs.

© Albana Ejupi | Burimi: Facebook

Për të arritur deri në këtë pikë, Albana Ejupit i është dashur të kalojë në tri etapa të vlerësimit. Tashmë ajo ka arritur deri në etapën e tretë, përderisa me 09 Mars 2018 do të mbahet ceremonia përmbyllëse ku do të ndahen tri çmimet kryesore.

Ejupi në një intervistë për “GazetaBlic” ka treguar se me çfarë sfida përballet si artiste e re në Kosovë, se çka e bënë atë të veçantë dhe se cilat janë pretendimet e saj për të ardhmen. Të gjitha këto, e shumë gjëra interesante, mund t’i lexoni në intervistën që e kemi zhvilluar me të.

 

Intervistoi: FLAMUR BUBLICA

GazetaBlic: Tashmë jeni kualifikuar në listën e finalistëve në “Konkursin Ndërkombëtar të Pikturës” – në Poloni. Sa e patët të vështirë të vini deri në këtë pikë?

Albana Ejupi: Duke e parë procesin e rrjedhjes së seleksionimit të artisteve nga mbarë bota, ku nga 586 aplikues arritëm të jemi vetëm 24, mendoj që e gjitha kjo punë tregon rezultat. Por padyshim që pretendimet për të sjell fitore në vendim tim nuk do rreshtin.

 

GazetaBlic: A keni kërkuar ndonjëherë ndihmë nga institucionet shtetërore dhe a iu është ofruar ndonjë mbështetje nga to, për punën që po e bëni si artiste?

Albana Ejupi: Jo deri tani nuk është që kam marrë ndonjë mbështetje institucionale, por dhe nuk është që kam kërkuar, me pretendimin e dhënies së hapësirës për njerëzit që me të vërtetë e kanë nevojën për mbështetje nga shteti ynë. Mua deri tani në arritjet e mia më qëndron përkrah, familja ime.

© Albana Ejupi | Burimi: Facebook

GazetaBlic: Çka iu bënë të veçantë juve si artiste?

Albana Ejupi: Mendoj që çdo punë që buron nga vetvetja është unike. Duke filluar nga fakti që secili jemi unik në brendësinë tonë. E gjitha çka unë bej, është përkthimi i vetës sime në pikturë. Kjo jam unë! Jam unike në këtë që jam dhe këtë që bëjë! Duke filluar nga stili dhe trajtimi që bëjë në pikturë.

 

GazetaBlic: E pash që keni publikuar edhe disa fotografi nga mbrojtja e temës së Masterit, a mendon se ngritja akademike do t’iu bëjë në njëfarë forme artiste edhe më të mirë sesa që keni qenë?

Albana Ejupi: Ngritja akademike në raport me praktikën në pikturë, mbetet vetëm ngritje akademike! E them këtë ngase nuk mendoj që titujt të bëjnë artist, vetëm puna është çelësi i suksesit.

© Albana Ejupi | Burimi: Facebook

GazetaBlic: Kur presim t’iu shohim me ekspozitë të re personale, e ke menduar një gjë të tillë?

Albana Ejupi: Në fakt, gjatë viteve të studimeve kam arritur t’i finalizoj me shumë suksese 3 ekspozita personale, deri tek përmbyllja e ciklit të studimeve Master me ekspozitë personale që u mbajt në Tetor të vitit 2017-të në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (Qafa) në Prishtinë. Ku me pas kjo ekspozite u bart po ashtu dhe në Shkup, në Galerinë e Qendrës për Kulturë (KIC QIK) në Dhjetor të 2017-ës. Por që jam duke punuar në atë drejtim, në mënyrë që të kem mundësi seleksionimi për një ekspozite tjetër të mirëfilltë.

 

GazetaBlic: A mendon që në Kosovë artistët e kanë lirinë të shprehurit dhe sa mendon që vlerësohet puna e një piktori/e në vendin tonë?

Albana Ejupi: Duke u parë në këndvështrim të gjerë, mendoj që liria e të shprehurit tek artistët e Kosovës nuk mungon aspak, madje mund të them me plot besim që jemi shumë në nivel sa i përket kulturës artistike me vendet e tjera. Por, nëse ndalemi dhe e shohim çështjen nga afër, mendoj që na mungon shumë vetëdijesimi rreth kulturës në përgjithësi, ku si rezultat i kësaj pasojmë deri tek mos vlerësimi që pothuajse e marrim çdo i dyti.

© Albana Ejupi | Burimi: Facebook

GazetaBlic: Çka mund të presim në të ardhmen nga Albana?

Albana Ejupi: Mundohem gjithnjë që puna që e bëjë, të ketë rezultat pozitiv, duke pretenduar gjithnjë për më të mirën time dhe të vendit tim.

 

GazetaBlic: Dhe për fund, ke ndonjë mesazh që do të doje ta ndaje me admiruesit punës tuaj?

Albana Ejupi: Një FALEMINDERIT e madhe, për të gjitha ato mesazhe dhe shkrime që marr nga ju çdo ditë, me fjalët me të mira. Dhe mbi të gjitha, që ndiheni krenar me punën time. E gjithë kjo përkrahje vetëm sa e shton rrugën drejt sukseseve!

/ © GazetaBlic /

02/26/2018 22:29

Blero: Jam 40 vjeçari më i pashëm!