Lajme

Analizë: Përse nuk do të ketë zgjedhje deri në vjeshtën e 2019?

04/15/2018 19:36
nga:Astrit Gashi
  • Zhurma e LDK për rrëzimin e shpejtë të Qeverisë, nuk është asgjë tjetër, përpos synim për mbajtje të rolit kryesor opozitar dhe të shifrave të larta të votuesve, që ju dalin në sondazhe.
  • Vetëvendosje pas ndarjes së një grupi të deputetëve, ndihet e hendikepuar. Ajo, e ndjen se, zgjedhjet e menjëhershme, nuk do të mund të sillnin as rezultatin e as renditjen e qershorit të kaluar.
  • GDP, tashmë, ka siguruar Kryeministrin Haradinaj se, nuk do të mbështeste një mocion kundër tij, i cili do të varej ose dirigjohej nga Lista Serbe.
  • Thaçi, nuk ka interes sot, të lëvizë themelet e Qeverisë, sepse, vetëm kjo përbërje e ekzekutivit i garanton pozicion lideri në temat rajonale – e posaçërisht, në ato me Serbinë. Nëse Thaçi arrin të mbetet në politikë dhe, nëse Veseli nuk arrin, që efektivisht, ta merr nën kontroll PDK-në, njerëzit e afërm me Presidentin thonë se, ai, mund të bëjë edhe një “sakrificë” të fundit- “të kthehet në PDK, për ta shpëtuar atë nga rënia e plotë”.
  • Partitë e PAN-it menaxhojnë me resurset e vendit, me milionat e buxhetit, me punësimet e të gjitha të mirat që sjellë ai si dhe, në anën tjetër, shpresojnë që duke mbajtur në duar të veta temat e mëdha, do të vazhdojnë të shfaqen para botës si të vetmit që mund të kryejnë punë

Shkruan: Astrit Gashi

Përgjigja është e thjeshtë; sepse, asnjëra nga partitë politike, nuk kanë interes dhe, as nuk janë të gatshme për proces zgjedhor, më herët se vjeshta e ardhshme.

Asnjëra nga arsyet që i mban ato larg zgjedhjeve, nuk ndërlidhet me ndonjë çështje të interesit qytetar apo të vendit, por, krejtësisht me synime dhe arsye private politike.

Interesi i parë është individual. Të 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk dëshirojnë të ndërpresin mandatin e tyre, para se ai të njihet. Deputetët, duhet të ushtrojnë detyrën, të paktën, për 2 vjet, që të konsiderohet se kanë realizuar një mandat të plotë – pra, se kanë qenë deputet. Në korrik të vitit 2019, bëhen dy vjet prej se ata janë regjistruar në Kuvend dhe kanë marrë mandatin e Deputetit. Deri më sot, që nga pavarësia, asnjë qeveri nuk ka arritur të përmbyll mandatin e plotë, por, gjithashtu, asnjëra nga to, nuk është rrëzuar para kompletimit të mandatit të deputetëve.

Në përgjithësi, partitë politike në opozitë, nuk kanë vullnet dhe as guxim të marrin pushtet sot, sepse, nuk duan që në duar të tyre të thyhen temat e nxehta sikur; Asociacioni i Komunave Serbe, përmbyllja e dialogut me Serbinë si dhe valët e para të arrestimeve nga Gjykata Speciale. Ato, ndjehen të paguximshme që vetë të merren më këto tema përmes një koalicioni të ri, që do të dilte nga zgjedhjet e shpejta dhe, po e shohin më të lehtë që ato t’ua lënë në përgjegjësi treshes së komandantëve. Pra, presin që qeverisja e PAN të bëjë të gjitha punët e rënda dhe të marrë të gjitha goditjet nga to – që më pas ata të marrin pushtetin.

Natyrisht, edhe koalicioni PAN, nuk ka interes për zgjedhje. Ata, menaxhojnë me resurset e vendit, me milionat e buxhetit, me punësimet e të gjitha të mirat që sjellë ai si dhe, në anën tjetër, shpresojnë që duke mbajtur në duar të veta temat e mëdha, do të vazhdojnë të shfaqen para botës si të vetmit që mund të kryejnë punë, e në anën tjetër, opozita e sotme, duke dal si e dobët dhe e pafuqishme, të mbahet sa më larg pushtetit, në të ardhmen.

Këto, sigurisht se, nuk janë as arsyet e vetme e as të plota që na dërgojnë deri te vjeshta e ardhshme- potencialisht shtatori 2019- si datë gati konsensuale për zgjedhje të reja.

Nuk janë, sepse, secila parti ka arsyet dhe interesat specifike të veta. Nisemi nga LDK – për të përfunduar me AKR, shtjellimin e arsyeve, veç e veç, të partive, për të mos rrëzuar Qeverinë menjëherë.

LDK në bazë të secilit sondazh kredibil, do të dilte bindshëm partia e parë, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në këtë moment. Përqindja e LDK, sipas tyre, shkon deri në 32 përqind, por, pavarësisht kësaj, kjo parti, nuk duket e gatshme ta dërgojë vendin drejt zgjedhjeve. Ndonëse s’ka ditë që zyrtarët e saj nuk e përmendin një mocion për rrëzimin e Qeverisë, kjo punë, me gjasë, nuk është as urgjente dhe as serioze. Synimi i vërtetë i LDK nuk është shkuarja e shpejtë në zgjedhjeve, por, arritja e një marrëveshje që LDK do ta bënte pjesë të proceseve politike, pa hyrë në Qeveri si dhe, përcaktimi i një date për zgjedhje. “Çdo ditë e humbur pa një marrëveshje në mes të partive politike për punët që duhet kryer bashkërisht deri në zgjedhjet e parakohshme është rrezik dhe humbje për Kosovën”, kështu tha të dielën Avdullah Hoti në një postim më të gjatë të tij në Facebook/

Vetë njeriu i autorizuar nga Isa Mustafa, që nga tetori i kaluar, për të nisur mocionin, nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, në një intervistë për Gazeta Blic, e ka shpjeguar se, synimi i LDK, është që zgjedhjet të mbahen pas muajit qershor të vitit 2019. Pra, zhurma e LDK për rrëzimin e shpejtë të Qeverisë, nuk është asgjë tjetër, përpos synim për mbajtje të rolit kryesor opozitar dhe të shifrave të larta të votuesve, që ju dalin sipas sondazheve. LDK, pra, nuk është e gatshme për zgjedhje, para se të përfundojnë ASK-ja e dialogu me Serbinë dhe, para se të nisin ciklet e para të arrestimeve nga Specialja. Gjithashtu, LDK, sot, nuk ka një kandidat për Kryeministër, andaj, ajo do të pres majin e 2019, kur përfundojnë zgjedhjet e brendshme partiake dhe partia do të ketë një kryetar të ri. Kryetari i ri do të jetë edhe kandidati i tyre për Kryeministër.

Vetëvendosje pas ndarjes së një grupi të deputetëve, ndihet e hendikepuar. Ajo, e ndjen se, zgjedhjet e menjëhershme, nuk do të mund të sillnin as rezultatin e as renditjen e qershorit të kaluar. Sondazhet aktuale nuk e vendosin VV në kuotë më të lartë se 20-21 përqind. Por, VV, si një forcë dinamike opozitare, shpreson që me kohën dhe me një opozitarizëm kundërshtues të bashkuar, me një qeverisje të dobët, do të mund të këndellet elektoralisht. Por, kjo këndellje, për të ndodhur, kërkon kohë dhe, veçanërisht, kërkon që t’i ipet kohë Qeverisë që të gabojë sa më shumë. Gjithashtu, VV, nuk dëshiron të marrë pjesë në asnjërin nga dy proceset që ndërlidhen me Serbinë. Në fakt, VV, e ka bërë të qartë se, ajo, do të dëshironte t’i udhëhiqte këto procese, por, jo të ishte pjesë e tyre.

PDK tek e cila LDK shpreson që të jetë motori i shkarkimit të Qeverisë, nuk duket e gatshme në këtë moment. Arsyeja kryesore është mos konsolidimi i brendshëm i partisë dhe rezultati shumë i ulët që do ta merrte, nëse shkon tash në zgjedhje. Sondazhet nuk i japin asgjë më shumë se 22 përqind të votave. Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli, është ende në kërkim të identitetit të ri dhe pavarësimit nga ish-lideri, Hashim Thaçi. Një pavarësim ky aspak i lehtë dhe pa pasoja. Veseli, ende nuk ka arritur të etablohet si lider i PDK dhe, partia, është në kuadër të një procesi të brendshëm zgjedhor, i cili ende nuk dihet se ku do ta shpie. Prandaj, PDK, nuk ka asnjë arsye për të rrënuar Qeverinë, ndërkohë që, nuk ka asnjë garanci se do të ishte prijëse ose pjesë e Qeverisë tjetër. Në fakt, PDK, e di se një Qeveri e re, që do të vinte shpejt, do të kishte kuptim vetëm nëse e lë PDK në opozitë.

AAK e ka në duar Qeverinë dhe një pjesë të mirë të pushtetit, pas 10 vitesh larg tij. Para së gjithash, do të ishte e palogjikshme që partia të merrte cilindo veprim për t’ia shkurtuar jetën Kryeministrit të tyre. Përtej kësaj, pas një dekade qëndrimi në opozitë, kjo parti, e ka mundësinë që të udhëheqë me ministri, ndërmarrje publike dhe ka në duar edhe resurse financiare edhe potencialin për rehatimin e zyrtarëve e anëtarësisë në pozita shtetërore. Ndonëse është ftohur pak nga pushteti, e veçanërisht Ramushi, nga pozita e Kryeministrit, gjasat që kjo parti t’ia kthej shpinën Qeverisë janë të vogla, për të mos thënë minimale dhe, vetëm një incident i madh me PDK, këtë do të mund ta bënte reale. E ky incident, duket i pabesueshëm.

GDP e dalur nga Vetëvendosje, është në proces të definimit të politikave të saj si dhe, të krijimit të partisë. Ata, janë ende duke i hartuar orientimet politike të tyre si dhe në proces të gjetjes së opsionit më të mirë të organizimit si parti. Në asnjë mënyrë, interesi i tyre nuk mund të jenë zgjedhjet. GDP, tashmë, ka siguruar Kryeministrin Haradinaj se, nuk do të mbështeste një mocion kundër tij, i cili do të varej ose dirigjohej nga Lista Serbe. Por, nëse ka një shumicë shqiptare, gjërat do të ishin më ndryshe. Kjo shumicë shqiptare, sot, duket se nuk ekziston.

Nisma duke qenë në pushtet, e ka shansin – që ajo do ta shfrytëzojë mirë, për konsolidimin dhe masovizimin e partisë. Këtë gjë, sipas shumë njohësve të saj, ajo, është duke e bërë qysh tashmë. Kryetari i saj, Limaj, ka aftësi të jashtëzakonshme për të përvetësuar njerëz si dhe për të lëvizur letra politike e të pushtetit, që i sigurojnë rritje e shtrirje të partisë. Posaçërisht, për të peshkuar zyrtarë dhe votues të PDK- së, të cilët, Limaj, i njeh po aq mirë sa Thaçi dhe, më mirë se Veseli. Andaj, nuk është aspak befasi, si shembull, që është vetë Limaj, ai, që i ka ofruar Hajredin Kuçit, postin e Rektorit të UP-së. Nisma,prandaj, do ta përdorë pushtetin qendror në mënyrë efektive, që, të paktën, më të mos jetë e rrezikuar nga kalimi i pragut zgjedhor dhe, në anën tjetër, duke u sjellur konstruktiv me opozitën, të sigurojë realizimin e qëllimit final politik të saj – dërgimin e PDK në opozitë. Por, këtë qëllim, nuk e ka përngut që ta realizojë.

AKR as në ëndërr nuk mund ta sheh posedimin e kaq shumë pushteti, në cilëndo Qeveri të re që do të vinte nga zgjedhjet dhe, nuk ka asnjë arsye që të lëvizë kundër vetvetes.

Presidenti Hashim Thaçi,u la i fundit, por, jo pse është më i parëndësishmi. Në fakt, fuqia e tij politike dhe kontrolli që ushtron mbi sistemin dhe shumë deputetë, e bënë atë figurë kyçe në mbajtjen e kësaj Qeverie, e cila zor që edhe do të ndërtohej pa angazhimin e tij me AKR. Thaçi, nuk ka interes sot, të lëvizë themelet e Qeverisë, sepse, vetëm kjo përbërje e ekzekutivit i garanton pozicion lideri në temat rajonale – e posaçërisht, në ato me Serbinë. Nëse Thaçi arrin të mbetet në politikë dhe, nëse Veseli nuk arrin, që efektivisht, ta merr nën kontroll PDK-në, njerëzit e afërm me Presidentin thonë se, ai, mund të bëjë edhe një “sakrificë” të fundit- “të kthehet në PDK, për ta shpëtuar atë nga rënia e plotë”.  Por, për këtë, duhet pritur së paku edhe një vit- atëherë kur do duhej të qartësoheshin të gjitha çështjet me Gjykatën Speciale si dhe, pozicionet në PDK.

07/17/2018 17:06

Nisen për në Bruksel, shpresojnë në liberalizim