Opinion

Për Mero Bazen, tropojanët dhe PD-në

04/14/2019 10:33
nga:Ermal Mulosmani

Shkruan: Ermal Mulosmani

Një artikull i Mero Bazes, dje, më bëri të reflektoj. Dhe jo për thelbin e tij të dukshëm.

Por, kryesisht për helmin nëntekstual, urrejtjen gëbelsiane ndaj një komuniteti të caktuar njerëzor. Them gëbelsiane pasi Gëbelsi e mbulonte propagandën anti semite.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu

Për heroin e opozitës, Admir Murataj

Citoj nga shkrimi i tij këtë paragraf mbi të tjerët: “Marrëzia ka shkuar në ekstrem, duke i dhënë liri fantazisë, deri tek fakti që qeveria ka vjedhur lekët dhe në fund ka vrarë nja djalë të pafajshëm nga Tropoja, që qenka mbështetës i PD, që njihet me gjithë rrethin familjar të Sali Berishës dhe që një rapsode tropojane po i bën dhe këngë.”

“Vrasësi është nga Tropoja, mbështetës i PD-së dhe Sali Berishës dhe një rapsode tropojane po i bën këngë”- fanatzon Mero.

Çfarë është identiteti i njeriut dhe sa pjesë të këtij identiteti përcaktohet nga origjina gjeografike e tij? Psh, identiteti im personal.

Amin Maalouf, një shkrimtar franko-libanez, sipas meje, ka dhënë një përcaktim fundor për këtë element. Ai thotë që identiteti i njeriut është si ADN-ja e tij.

Aty bëjnë pjesë një bashkësi e pafundme elementësh që fillojnë nga emri, mbiemri, fotografia, prindërit, vendlindja, besimi, profesioni, grupi social etj. Dhe këto janë vetëm një pjesë e vogël e identitetit. Këto janë vetëm elementet e para, ato të dhëna në fillim, por, elementet e tjera, ato që ai i quan “Gjenet e Shpirtit” e bëjnë një individ krejt të ndryshëm nga 7 apo 8 miliardët e tjerë në këtë botë. Psh Mero, raporti që kam unë me fjala vjen shkencën, letërsinë, politikën, kulturën, filmin, sportin etj etj, më bën të miqësohem e të kem të përbashkëta me një islandez, neozelandez, turk, skraparlli ose pukjan. Sigurisht, nëse “gjenet e shpirtit” të miat përputhen edhe me ndonjë tropojan (dhe kjo ndodh sigurisht) raporti im me atë është edhe pak më i afërt se me të tjerët.

Maloouf-i në librin e tij spjegon edhe një diçka shumë interesante Mero. Ai thotë: “Është në natyrën e njeriut të mbrojë më së shumti atë element të identitetit të tij i cili është më i cënuari”.

Tropoja është në ADN-në time. Nuk e di se sa pjesë të saj kam por jo shumë. Edukimi im, jeta në një epokë globale e me shije të tilla ka ndikuar mjaft. E kam dashur më së shumti Tropojën në dy kohë.

Në kohën e parë Mero, atëherë kur mbërrita në Tiranë për studime, Tropoja ishte nocion gjeografik. Ajo vinte si realitet kur afrohej dimri dhe pedagogët e studentëve tropojanë fillonin gjuetinë e gështenjave, arrave, mollëve etj përmes presionit të notës. Më kujtohet shumë mirë ajo kohë… Drejtorët nga Tirana çonin furnizime speciale në Tropojë dhe pastaj shkonin e i merrnin po vetë përmes servilëve lokalë… Kaq ishte Tropoja për funksionarët komunistë. Një vend gështenjash e arrash dhe të shfrytëzueshëm në naivitetin e tyre. I varfër sa më nuk bëhet por kishte Fierzën për energjinë dhe Kamin për kromin. Për kaq i duhej. Enver Hoxha bëri një vizitë në 70-ën dhe i quajti tropojanët njerëz “shtalartë” dhe me kaq i kënaqi për 20 vjet… Kjo ishte Tropoja e parë e dhimbshme dhe e dashur për mua… Meqë ra fjala Mero, para nja dy javësh ra zjarr në gështenja, u dogjën 200 hektarë… A shkrove gjë? Uroj ta kesh bërë, unë po, e bëra.

Koha e dytë është kjo kohë Mero. E ke vu re, Gëbelsin si e shfrytëzoi djegien e Bundestagut?

Ishte çifut- tha! Veç nuk u kujtua të thoshte që një rapsode çifute do t’i bënte këngë. Kjo e kalon edhe Gëbelsin…

Edhe unë e publikova një shkrim pa emër për grabitjen. E titullova “Tropojani me 13 identitete që grabiti Rinasin”. Për turpin tim Mero. U lexua shumë sepse kishte epitetin “tropojani”. Aq e madhe është urrejtja e mbjellë prej jush, “gëbelsve” modernë! Atë natë pata probleme me gjumin. Çfarë maskarai jam unë që me anonimat shkruaj kundër një grupi të margjinalizuar historikisht…

Ka pasë një periudhë në jetën time që nuk jam ndjerë mirë me “genin” tim tropojan Mero. Ka qenë pikërisht revanshi i papërligjur i disa pushtetarëve të vegjël nga Tropoja që më bëri të ndjehem keq. Të lodhur e të shfrytëzuar prej një jete, kur Sali Berisha mori pushtetin, ata menduan se u erdhi dita. E bënë pa stil, me arrogancë. Ishin shumë pak në fakt por ishin seleksionuar keq nga pushteti i kohës dhe bënin shumë zhurmë e pak para.

Dhe e dëmtuan Tropojën për 100 vjet të tjerë. Tropojën dhe Opozitën me thënë të drejtën. Ishte koha kur ti Mero futeshe në zyrën e Sali Berishës me shkelma dyerve. Ishte aq i tepërt ndikimi yt Mero sa fillove të bëheshe xheloz edhe për gruan dhe djalin e tij. Sjellja jote më kujton një novelë të Cvajgut ku qeni besnik e i dashur i familjes bëhet xheloz për foshnjën që vjen në jetë. Dhe një ditë të bukur e merr dhe e mbyt.

Nuk pata keqardhje me thënë të drejtën. Sali Berisha e kishte tradhtuar popullin dhe ishte bërë me oligarkët atë kohë. Por ti nuk e bërë për këtë arsye.

Për këtë periudhë më vjen turp Mero. Më së paku për ty dhe ndikimin tënd me thënë të drejtën.

Opozita shqiptare nuk është Tropoja Mero. Ata i kanë në ditën më të keqe të tyre 600 mijë vota. Ndërsa Tropoja i ka 20 mijë banorë.

Se ja, vjen Gëbelsi dhe e lidh Tropojën direkt me krimin, grabitjen dhe PD-në. Grabitësit kanë një identitet Mero. Dimensioni kryesor i identitetit të tyre është grabitja. Jo partishmëria e as origjina gjeografike ose familjare.

Dhe për ta mbyllur Mero, të ftoj të lexosh një libërth të vogël të Maria Vargas Llosa. Aty kam lexuar një personazh si ti. Pesë Qoshet titullohet.