Sporti

Për dallim nga Kosova, Shqipëria zhgënjen totalisht në “Minsk 2019”

06/22/2019 19:16
nga:M K

Aventura e delegacionit kuqezi në Lojërat Olimpike Europiane “Minsk 2019” nuk ka nisur mirë.

Të gjithë sportistët kuqezinj që kanë garuar sot janë mundur në duelet e tyre shkruan Telesport, përcjellë GazetaBlic.

Gjithsesi, lajmi i vetëm i mirë vjen për Kosovën, ku Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në peshën -52kg.

Të parët që garuan për Shqipërinë ishin qitësit Manuela Delilaj dhe Henri Rrufa, në garën 10m pistoletë ajër, ekipore miks.

Dyshja kuqezi u klasifikua në vendin e 27-të, atë të fundit, duke grumbulluar 554 pikë. Për pasojë, qitësit kuqezinj u eliminuan që në start.

Boksieri Arjon Kajoshi garoi në peshën 75kg. Që në duelin e tij të parë, shkodrani është mundur 4-1 nga bjellorusi Vadzim Pankou.

Katër gjyqtarë kanë vituar për bjellorusin (30-27, 29-28, 29-28 dhe 30-27), ndërsa një gjyqtar për Kajoshin (29-28).

Kështu, aventura e shqiptarit është mbyllur shumë shpejt, pa lënë shumë gjurmë edhe pse stafi kuqezi ka protestuar për gjykim të njëanshëm, në favor të boksierit vendës.

Në sportin e judo, sportisti Indrit Çullhaj është mundur me “ippon” që në duelin e parë, atë ndaj sllovenit Adrian Gomboc, duke u eliminuar që në start. Sfida ishte e vlefshme për peshën -66kg.

Në judo ka triumfuar për Kosovën kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, që garoi në peshën -52kg.

Ajo i fitoi të 4 duelet e zhvilluara në këtë Olimpiadë Europiane, duke i dhënë Kosovës medaljen e parë të artë në histori në një event të tillë.

Në raundin e parë, Kelmendi mundi zviceranen Fabienne Kocher dhe më pas polaken Karolina Peenkowska.

Në gjysmëfinale, sportistja kosovare fitoi ndaj francezes Amandine Buchard, ndërsa në finale Kelmendi triumfoi ndaj ruses Natalia Kuziutina.

07/07/2019 07:48

Ngjarjet kryesore që pritet ta karakterizojnë ditën e sotme në Kosovë