Lajme

PDK zotohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB, në këtë kohë fushate

08/14/2019 10:24
nga:Y I

Ende pa ndodhur shpërndarja e Kuvendit dhe pa u shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, drejtuesit e partive politike në vend tashmë kanë filluar me premtimet e ndryshme, shkruan Gazeta “Zëri”.

Për të fituar sa më shumë vota të qytetarëve në zgjedhje po premtohet mbajtja e taksës ndaj produkteve serbe, pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve për heqjen e saj, po premtohen investime në zhvillimin ekonomik të vendit, ndonëse Kosova ka shkallën më të lartë të papunësisë dhe të varfërisë në Evropë.

Duke folur për temat në të cilat do të koncentrohet partia e tij gjatë fushatës parazgjedhore, zëvendëskryeministri në detyrë dhe nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj ka deklaruar për “Zërin” se PDK-ja votën e qytetarëve do ta kërkojë përmes një platforme, e cila ka për qëllim zhvillimin ekonomik, ofrimin e cilësisë në arsim, si dhe zhvillimin e shëndetësisë.

Ai madje ka premtuar edhe anëtarësimin e vendit në OKB, ndonëse premtime të tilla nga bashkëpartiakët e tij janë bërë edhe vite më parë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Prioritet kryesor për PDK-në do të jetë zhvillimi ekonomik, cilësia në arsim dhe cilësia në shërbime shëndetësore, por krahas tyre ne mendojmë që detyrë e PDK-së është që ta përmbyllë shtetndërtimin e Kosovës. Nëse ka një subjekt politik i cili është garanci se Kosova do ta ngrejë flamurin e saj në OKB dhe do ta përmbyllë shtetndërtimin, është PDK-ja. Jemi duke punuar për një platformë qeverisëse nën udhëheqjen e kryeministrit nga ana e PDK-së, që do të prezantohet para publikut lidhur me atë se si PDK-ja e sheh adresimin e shumë sfidave që ka Kosova”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.

Ndërsa duke folur për temat me rëndësi nacionale, Hoxhaj ka potencuar se partia e tij ka bërë maksimumin për t’i çuar përpara këto procese gjatë kohës sa ishte në Qeveri.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, ne kemi bërë punën tonë dhe nëse ka një subjekt politik që ka qenë konsekuent në qëndrimet e veta dhe ka dhënë maksimumin që të përmbushen të gjitha kriteret, është PDK-ja, por mosvendimi për vizat është papërgjegjësi e BE-së, përderisa shënjimi i vijës kufitare me Malin e zi ka qenë një temë e shpikur nga ta. Kurse taksa dhe të tjerat tema janë bërë për qëllime politike”, ka thënë ndër të tjera ai.