Lajme

PDK e vetme përballë Listës Serbe, partitë tjera nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri

04/17/2019 19:13
nga:Gazeta Blic

PDK e vetme përballë Listës Serbe, partitë tjera nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shpalli 19 majin datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, dhanë dorëheqje në fund të nëntorit të vitit të shkuar, në shenjë kundërshtimi dhe proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës shtesë prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, shkruan lajmi.net

Fillimisht, për zgjedhjet në veri në dyshim ishte edhe pjesëmarrja e Listës Serbe, të cilët pas konsultimeve me liderët serbë në Beograd morën vendim që të marrin pjesë, ani pse ende nuk e kanë dërguar në Këshillin Qendror Zgjedhor aplikimin të cilin mund ta dërgojnë vetëm deri nesër.

Në një përgjigje të KQZ sot për lajmi.net thuhet se deri më tani vetëm një subjekt politik ka paraqitur aplikimin për pjesëmarrje në zgjedhje në komunat e veriut dhe ajo është Partia Demokratike e Kosovës.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me zyrtarë të partive të tjera shqiptare në Kosovë për t’i pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa për lajmi.net është shprehur se LDK nuk do të merr pjesë në këto zgjedhje me kandidatë, por do të jetë pjesë e procesit zgjedhor.

“LDK nuk do të merr pjesë me kandidatë, por do të marrin pjesë në procesin zgjedhor me vëzhgues, monitorues, komisionerë etj, që të sigurohet procesi demokratik por nuk do të kemi kandidatë”, tha Mustafa për lajmi.net.

Gjithashtu edhe zëdhënësi i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli në një përgjigje për lajmi.net është shprehur se partia e tij nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat e veriut.

“Jo, nuk e kemi parë të arsyeshme. Ne e kemi edhe degën në veri, por nuk e kemi parë të arsyeshme të konkurrojmë. Por të gjitha rregullat që i paraqet KQZ-ja ne do t’i respektojmë. Gjithashtu shpresojmë që pala serbe ka reflektuar dhe do të marrin pjesë e të respektojnë të gjitha premisat kushtetuese për mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, tha Makolli për lajmi.net.

E në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë as partia e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një prononcim për lajmi.net, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj tha se AAK-ja do të jetë e përkushtuar që procesi i zgjedhjeve të jetë konform standardit, por ai ka shtuar se kjo parti ka marrë vendim të mos ketë kandidatura në këto zgjedhje.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të jetë e përkushtuar që procesi i zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, të jetë konform standardit të normave demokratike dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara me ligj për zgjedhje të lira e të ndershme. Pas konsultimeve të zhvilluara me udhëheqjet e Degëve tona në këto komuna, AAK ka marrë vendim që të mos ketë kandidatura në këto zgjedhje dhe votuesit e saj, do të jenë krejtësisht të lirë të mbështesin kandidatë më të mirë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike e partiake”, tha Nitaj për lajmi.net.

E në këto zgjedhje, pjesë nuk do të marrë as Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit.

Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi në një përgjigje të shkurtë për lajmi.net tha se kjo parti nuk do të kandidoj në zgjedhjet e veriut.

Vlen të theksohet fakti se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u ka bërë thirrje Listës Serbe të marrin pjesë në zgjedhjet e këtyre komunave dhe nëse fitojnë, të japin dorëheqje përsëri.

“Kandidoni në zgjedhje, fitoni dhe jepni dorëheqje”, ishte porosia e presidentit të Serbisë.

Në këto zgjedhje gjithashtu pjesë nuk do të marrin as partitë opozitare serbe në komunat e veriut. /N.S/Lajmi.net/

08/07/2019 15:29

Mustafa sqarohet për deklaratën e liderit të LDK-së se, “Interesi i Kosovës kapërcen çdo interes tjetër”