Lajme

Pasi u sulmua, vjen reagimi i Qendron Kastratit

06/12/2019 23:32
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas sulmit me vezë në fshatin Hodonoc, si shenjë proteste për diskutimet për atë që Kastrati po e quan reformë në arsim.

Ai ka thënë se i kupton reagimet e tilla pasi thotë se qytetarët s’janë mjaftueshëm të informuar. Kastrati ka thënë se e ka ditur që iniciativa mund t’i kushtojë, por ka shtuar se është i gatshëm të paguajë çdo çmim.

Kastrati ka thënë se një grup i vogël i qytetarëve kishte penguar diskutimet në këtë fshat.

“I vetëdijshëm që qytetarët nuk janë ende mjaftueshëm të informuar, reagimet janë shumë të kuptueshme. Sot ishim ne Karaqevë të Poshtme dhe në Hodonoc për të vazhduar me diskutimet për Reformën. Në Karaqevë të Poshtmë debati ishte i dobishëm për të gjithë pjesëmarrësit. Argumentet e secilit janë shumë të vlefshme për ne. Fatkeqësisht në Hodonoc një grup i vogël i njerëzve na pengoi që të diskutojmë me prindërit e nxënësve dhe banorët e fshatit. Po e them fatkeqësisht sepse shumica e pjesëmarrësve ishin të interesuar për diskutime dhe debat të hapur. Gjithashtu, më vjen shumë keq që kishin keqpërdorur fëmijët për të bërë zhurme dhe pastaj për të gjuajtur me vezë veturën në të cilën isha unë. Do t’i shkojmë deri në fund hulumtimit të organizatorëve që janë në gjendje të keqpërdorin fëmijët për interesa të tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Kastrati ka thënë se protestat i sheh si normale, por sulmin e sotëm ka thënë se e sheh si frikë konservatore nga përparimi.

“Me gjithë kundërshtimet pa shpjegim të atyre pak njerëzve për të mos filluar fare takimin, me insistimin tim dhe banorëve të tjerë u futëm në shkollë për të diskutuar me ta. Të shtyrë nga organizatorët, nxënësit u treguan shumë të zhurmshëm dhe nga pamundësia për t’u dëgjuar fjalët që do të thoshim të gjithë, u detyruam ta ndërpremë diskutimin. Protesta dhe format e tjera te mosbindjes janë normale për ne. Por, kur ato përdoren për ta ndaluar perspektivën zhvillimore të fëmijëve, kur nuk kanë mesazh, por veç zhurmë, kundërshtimi i ngjan frikës konservatore nga përparimi. Ne do të vazhdojmë të jemi afër qytetarëve, për t’i dëgjuar të gjitha diskutimet, edhe nëse jemi të “rrezikuar” nga aksionet simbolike”, ka shtuar ai.

Kastrati ka thënë në fund se do të vazhdojë diskutimet me secilin banor të Kamenicës, duke shtuar se është i gatshëm të paguajë çdo çmim.

“Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me secilin banor për idenë e reformës dhe vlefshmërinë e saj. E kam ditur që nga fillimi se Reforma mund të më kushtojë mua, por jam i binduar se prej saj përfitojnë nxënësit. Prandaj, jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim”, ka përfunduar ai.