Lajme

Papunësia në Kosovë: Ndërmjet realitetit dhe fushatës zgjedhore

09/11/2019 19:55
nga:Blerim Halili

Një nga sfidat kryesore të shoqërisë kosovare vazhdon të mbetet papunësia. Pavarësisht premtimeve që kanë dhënë liderët e partive politike gjatë fushatave zgjedhore se do të fokusohen në zbutjen e papunësisë në vend, razultatet në terren mbetet pothuajse të njëjta, shkruan Gazeta Blic.

Valët e migrimeve ilegale të të rinjve nga Kosova për në vendet perëndimore janë vetëm një nga pasojat e pamundësisë së të rinjve për të gjetur vende pune. Madje edhe punësimet që janë mundësuar, janë kritikuar shpesh se janë bazuar në kritere joprofesionale dhe joligjore, duke favorizuar individë në baza partiake apo familjare.

Shikuar në restrospektivë, shkalla e papunësisë për vitin 2014 ishte 35,3%, ose 176,743 persona, për vitin 2015 ishte 32,9%, ose 145,776 persona, ndërsa për vitin 2016 ishte 27,5%, ose 126,070 persona, edhe në vitin 2017 shkalla e papunësisë ishte 30,5%, ose 156,583 persona, ndërsa vitin e kaluar, më 2018 ishte 29.6%, ose 144,973 persona të papunë.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, ka thënë për Gazeta Blic se Republika e Kosovës po ballafaqohet me shumë sfida, e në mesin e sfidave kryesore është edhe papunësia, mirëpo opinioni publik po manipulohet nga statistika që nuk përkojnë me realitetin dhe se statistikat që opinionit po i ofrohen janë zakonisht të inskenuara dhe të porositura nga politikanë që të paraqiten sa më mirë para qytetarëve dhe votuesve të vet.

“Mirëpo nëse e analizojmë drejt situatën, papunësia ka mbetë ende e lartë si pasojë e politikave jo të duhura ekonomike nga të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Republikën e Kosovës tash e 19 vjet”, është shprehur Beqiri për Gazeta Blic.

Beqiri ka deklaruar se sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia ende mbetet problemi kryesor i politikëbërësve, mirëpo nga politikat që kanë ndërmarrë këto qeveri tash e 19 vjet, nuk ka ndonjë tendencë serioze për ulje të papunësisë.

“Ndarja e buxhetit të shtetit tregon shumë qartë se politikanët aktualë nuk kanë plan uljen e papunësisë, me përjashtim të militantëve partiakë me të cilët janë mbushur institucionet. Jemi dëshmitarë se sa shumë manipulohet me punësimin, saqë shpesh kushtëzohet ai me favore të ndryshme apo me anëtarësime apo tifozeri partiake”, ka vlerësuar ai më tutje.

Madje, sipas Beqirit, dhjetëra mijëra qytetarët që kanë migruar nga Kosova nuk përfshihen në statistikat e të papunëve, prandaj fokusi vetëm më statistika nuk është pasqyrë reale e nivelit të papunësisë.

Beqiri, duke kujtuar vendimin që mori Qeveria e Kosovës në vitin 2017 për rritjen e pagave për shërbyesit civilë, ka thënë se karakteristikë e veçantë është se në vitin 2017 kemi rritje të papunësisë, për 30,513 persona, pra Qeveria në vend që t’i rrisë pagat duhet të fokusohet në uljen e papunësisë.

Ndryshe, më 25 shtator fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, ndërsa një nga premtimet e kësaj fushate pritet të jetë sërish zbutja e papunësisë./Gazeta Blic