Opinion

Një Kosovë me ushtri të saj, garanci për siguri në Ballkan

03/04/2018 11:26
nga:Bekim Thaqi

Kosova është një ndër shtetet më të reja në botë dhe padyshim shteti më i ri i Ballkanit i krijuar pas një lufte të drejtë dhe çlirimtare me ndihmën e aleatëve perëndimore. Pas lufte e këndej, stabiliteti i Kosovës, ka qenë i garantuar nga forcat e KFORI-t dhe ashtu mbetet edhe tani.

Në përgjithësi, situata e sigurisë ka qenë e qetë me ulje dhe ngritje në tensione të kohëpaskohshme të cilat i kemi kaluar me ndihmën e KFOR-it, policisë së Kosovës, asaj të UNMIK-ut dhe EULEX-it. Megjithatë, duket se në kuadër të zhvillimeve të reja në botë dhe Ballkan, po paraqitet një diskurs dhe nevojë e re ku Kosova do të duhej të kishte një forcë të saj të armatosur apo thënë ndryshe ushtri të saj. Kjo forcë e armatosur apo ushtri, sido që ta quajmë, do të ishte në gjendje të merret në mënyre parësore me kërcënimet që mund ti shfaqen Kosovës, dhe e cila do te shërbente si një zmbrapsës i çfarëdo hegjemonizmi apo ndonjë aspirate të kujtdo për të destabilizuar apo futur në kontroll vendin tonë.

Një forcë e tillë, me një armatim të duhur për të mbrojtur vendin dhe jo për të sulmuar askënd, do të ishte edhe një lehtësim për aleatët tanë të cilët prapëseprapë do të qëndronin në Kosovë, me një prezencë të tyre dhe bashkë me Forcën e Armatosur të Kosovës, do të siguroheshin që kufijtë e Kosovës të mbeten të paprekur dhe do të përballonin çfarëdo rreziku që mund të paraqitet tani dhe në të ardhmen.

Një institucion si Forca e armatosur e Kosovës , padyshim se do të ishte i dobishëm edhe në aspektin politik dhe përfaqësuesit tanë shtetërorë do të kishin një pozitë më të fortë negociatore në cilindo rast që do bisedohej për Kosovën, Ballkanin dhe problemet e ndryshme në rajon.

Duket se edhe aleatët tanë nuk janë kundër formimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, porse po presin momentumin më të përshtatshëm gjeopolitik, dhe normalisht edhe një iniciativë konkrete të politikës kosovare e cila me një plan të detajuar mirë do ta shpjegonte këtë nevojë dhe do të bënte hapat e duhur politik gjithmonë në bashkëpunim me aleatët tanë perëndimorë.

Normalisht se pa një plan të mirë menduar e jo shkel e shko, dhe duke marrë parasysh edhe kushtetutën e Kosovës, e cila kërkon edhe pjesëmarrjen e votave të serbeve të Kosovës për sa i përket formimit të një Force të tillë të armatosur , aleatët tanë hezitojnë të përkrahin këtë nismë. Politika dhe strukturat e sigurisë, duhet të jenë të qarta dhe të kenë një plan veprimi dhe pune se si te bindin aleatët tanë, e po ashtu edhe serbët e Kosovës, që të votojnë formimin e një ushtrie, gjë e cila ishte e mundur disa vite më herët por nuk ndodhi për arsye të ndryshme politike.

Asnjëherë nuk është vonë, por duhet bërë të gjitha përgatitjet dhe në momentin e duhur, konkretisht me fakte dhe plane të binden si aleatët tanë ashtu edhe pala serbe të cilëve duhet garantuar pse jo edhe një pjesëmarrje më të larte në forcat e armatosura dhe të binden se kjo ushtri apo forcë do të ishte e njëjtë si për shqiptarët, serbët ashtu edhe për të gjithë qytetaret e Kosovës pa dallim etnie, feje apo race.

08/06/2018 11:08

Serbia ‘frikësohet’ nga Ushtria e Kosovës, thonë se po trajnohen nga KFORI