Cult

Një grup i artistëve shqiptarë ekspozojnë në Luksemburg

03/03/2018 14:29
nga:Gazeta Blic

Në këtë ekspozitë, përveç shumë artdashësve, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shtetit të Luksemburgut, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Paris.

Në këtë ekspozitë, me një pikturë shumë interesante, është paraqitur piktori nga Mitrovica, Gzim Behrami, që jeton tash e 15 vjet në Luksemburg.

Pikturat e Behramit janë frymëzuar nga e kaluara e popullit shqiptar gjatë 100 viteve të fundit, në veçanti reflektojnë ngjarjet dramatike të viteve të 90-ta në Kosovë.

“Unë gjithmonë frymëzohem dhe jam frymëzuar nga rrëfimet e njerëzve, nga përjetimet e tyre, nga historia e individëve, të cilat janë vetëm disa copëza të historisë shqiptare. Unë jam shumë i nderuar që pikturat e mia e shohin dritën në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Behrami.

Ai ka shtuar se pikturat e tij nuk janë një refleksion nacionalist, por çdo ngjyrë paraqet një histori të vërtetë të bashkëkombësve të tij.

“Këto paraqesin jetën, në disa raste luftën për mbijetesë, por ka edhe momente të gëzueshme”, thekson Behrami.

Me piktura dhe skulptura janë paraqitur edhe Bashkim Hazizaj, Hajdar Ademaj, Luljeta Meco dhe artistë të tjerë nga Luksemburgu, Franca, Belgjika dhe shtete tjera të BE-së.

Piktorët shqiptarë kanë falënderuar autoritetet e Luksemburgut për hapësirën që u kanë krijuar atyre dhe artit shqiptar në këtë shtet.