Lajme

Nënkryetari i PDK-së, deklarohet kundër idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve!

03/17/2019 20:55
nga:A. R.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë kritikën e radhës për planin e tij për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë.

Njeriu që dikur ishte zëvendës i tij në kohën kur Thaçi udhëhiqte Partinë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, ka kundërshtuar fuqishëm prekjen e kufijve të vendit.

Bajrami, i cili aktualisht është nënkryetar i PDK’së, por edhe profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të sponsorizohej nga Bashkimi Evropian, i cili është lehtësues i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Por, sipas tij, marrë parasysh që Organizata e Kombeve të Bashkuara është e përfshirë në çështjen e Kosovës, përmes Rezolutës 1244, me të cilën e ka mandatuar administrimin ndërkombëtar, për Kosovën, siç thotë ai, do të ishte me interes që marrëveshja eventuale me Serbinë, të pranohej nga Këshilli i Sigurimit.

“Kjo marrëveshje duhet edhe formalisht ta shfuqizojë tërësisht Rezolutën 12 44 dhe duhet të zëvendësohet me një rezolutë tjetër, e cila do t’i hapë rrugë anëtarësimit brenda OKB-së. Në një mënyrë, me këtë rezolutë do t’i jepej fund administrimit ndërkombëtar, i cili është përcaktuar me Rezolutën 12 44 dhe do të bëhej një lloj njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Me këtë hapet rruga që përmes një rezolute të re të trasohet rruga e anëtarësimit të plotë të Kosovës brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se rikthimi i çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në formën e një marrëveshjeje që do të arrihej të formalizohej, nuk e rrezikon shtetësinë e Kosovës, e cila është ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë së vendit, më 17 shkurt 2008.

Bajrami shpreh mendimin që në radhë të parë përgjegjësinë për mbrojtjen e shtetësisë së vendit do ta kenë institucionet e Kosovës në tavolinën e negociatave me Serbinë. Sipas tij, ato duhet të jenë të kujdesshme që të mos e pranojnë asnjë marrëveshje të re ndërkombëtare me Serbinë, që do ta cenonte shtetësinë dhe pavarësinë e vendit.

“Marrëveshja, e cila do të nënshkruhet në Bruksel, ajo duhet ta mbrojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Nëse një marrëveshje e tillë, e cila në tërësi nuk i cenon interesat e Kosovës, do të marrë edhe dritën e gjelbër në Këshillin e Sigurimit, kjo Kosovës do t’i krijonte favore, sepse do t’ia mundësonte anëtarësimin e plotë në OKB”.

“Natyrisht që do të ishte shumë e dëmshme, në qoftë se në Këshillin e Sigurimit hapet debati për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe aty dizajnohet marrëveshja. Por, në qoftë se në këtë rast Këshillit të Sigurimit vetëm ratifikon marrëveshjen që palët e arrijnë në formatin e Bashkimit Evropian, atëherë Kosova nuk ka asnjë rrezik që mund t’i cenojë interesat veta”, vlerëson Bajrami.

08/23/2019 21:09

Kadri Veseli vazhdon ëndrrën “anti-korrupsion”, falenderon këshillin e PDK-së që e nominoi për kryeministër