Lajme

Ndërtimet në Prishtinë ‘hyjnë’ edhe në varreza, banorët ankohen

05/16/2018 16:08
nga:Q F

Këtu pushojnë të dashurit, por varret e tyre po lëkundën së fundmi.

Kjo për shkak të punimeve që kompania private Pozhegu Brothers, ka nisur në këtë zonë për të ndërtuar edhe një kompleks të ri banesorë.

Banorët e lagjes Bregu i Diellit,saktësisht Mati 1, janë ankuar për këtë gjë, duke thënë se punimet po i rrezikojnë varrezat e të afërmeve të tyre.

Ata madje kanë drejtuar akuza drejt komunës së Prishtinës, e cila ka lejuar këto ndërtime, pa u interesuar për varrezat e kësaj lagje, të cilat sipas banorëve në një të ardhme të afërme mund dhe duhet të zgjerohen.

Në fotot që ka siguruar Gazeta Blic, shihet se themeli i ndërtimit të kompanisë në fjalë është krejt ngjitur me varrezat.

Varrezat në Lagjen Bregu i Dillit, dhe ndërtimi banesor

Në kushte anonimiteti banorët i kanë thënë Gazetës se nuk do pranojnë që të lëkundën varrezat e familjarëve.
“Po siç po i shihni edhe ju vet, veç sa nuk kanë hy në varre, me na i lëkund eshtrat e familjarëve, qysh bohet kjo punë” ka thënë një banore e kësaj lagje.

“Qysh munden me ardh kaq afër varreve, çka nëse na i dëmtojnë, kush jep përgjegjësi, edhe qysh kena me i varros njerëzit tjerë na, nëse nuk kena vend mo” ka thënë një tjetër banorë i kësaj zone.

E komuna pohon se kompania në fjalë ka leje ndërtimi të lëshuar pikërisht nga komuna, por se thonë që ka një largësi të nevojshme mes ndërtimit dhe kompleksit të varrezave.

Ndërsa thonë se me planin rregulltiv të kësaj lagje nuk është paraparë zgjerimi i varrezave.
“Varrezat ekzistuese të cilat ndodhën në afërsi të këtij blloku me planin në fuqi ndodhen në kufi me Bllokun “A6” si dhe në kufi me parkun publik, ku sipas këtij plani nuk është paraparë zgjerim i varrezave ekzistuese, ndërsa sa i përket distancave nga varrezat” thuhet në përgjigjen e komunës dhënë Gazetës Blic.
Sipas planit të komunës ndarja është definuar me anë të vijës ndërtimore, e cila është e prezantuar me vijë të zezë të ndërprerë, shiko fotot:

Plani rregullues për ndërtimin banesorë në Lagjen Bregu i Diellit

Ndërsa zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit nga Komuna e Prishtinës thonë se kjo zonë është e destinuar për për objekte banesore dhe afariziste.

“Sa i përket bllokut urban “A6″, ky bllok ka përcaktuar kriteret urbane si dhe zonën e lejuar për ndërtim, e cila zonë është e përcaktuar me anë të vijës ndërtimore sipas së cilës lejohet ndërtimi përgjatë kësaj vije, ndërsa destinimi i kësaj zone është objekte shume banesorë me afarizëm.”  thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e  Prishtinës.

Ata gjithashtu i kanë konfirmuar Gazetës se Drejtoria e Urbanizmit, i ka dhënë leje ndërtimore kësaj kompanie pasi që ka pasur në rregull gjith dokumentacionin e  nevojshëm./GazetaBlic/

 

09/03/2018 17:34

Më në fund fillojnë punimet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë