Lajme

“Ndarja e pozitës së presidentit nga LDK-ja dhe VV-ja është tërrpi për pushtet”

10/30/2019 13:48
nga:B. D

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV), janë duke vazhduar takimet e grupeve punuese për të harmonizuar programet për të qeverisur së bashku, por jo në të gjitha pikat ka pasur dakordim në mes këtyre dy subjekteve politike, shkruan GazetaBlic.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, mbrëmë në një intervistë televizive ka thënë se LDK-ja dhe VV-ja nuk po arrijnë të bien dakord në çështjen e pozitës së presidentit. Haziri kishte thënë se kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i plotëson te gjitha kriteret për të qenë president i Kosovës, ose në të kundërtën nëse nuk merren vesh për një gjë të tillë, rrezikon që emërimi i presidentit në të ardhmen të vijë përmes zarfit, siç kishte ndodhur më parë me ish-presidenten, Atifete Jahjaga.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka folur për GazetaBlic i cili tha se koalicioni në mes subjekteve politike bëhet për të ndërtuar qeverinë dhe jo të bëhet për ndarje pushteti.

Ai dëshirën e LDK-së për të pasur të parin e tyre në krye të vendit e quan “tërrpi për pushtet”, pasi që qytetarët më 6 tetor votuan për të ndërtuar qeverinë dhe jo të ketë ndarje pushteti.

“Koalicioni bëhet për të ndërtuar qeverinë, për ministritë dhe programet qeverisëse, asgjë tjetër, nëse koalicioni bëhet për ndarje të pushtetit të përgjithshëm të Kosovës atëherë pse po mbahen zgjedhjet? dhe nëse rrezikohet pozita e presidentit ose nëse këta duan me nda pozitën e presidentit LDK dhe VV prapë pas dy viteve mundet me pas pengesë sepse kjo është “tërrpi për pushtet” është më shumë se dëshirë, qytetarët ia kanë dhënë votën me ndërtu qeverinë dhe jo me e bë qeverinë, presidenti e ka procedurën e vet se si zgjidhet dhe shkarkohet kur bën gabime kjo parashihet me Kushtetutë”, tha ai.

Tahiri tha se kjo mënyrë e dialogimit për të ndarë pozitën e presidentit është kapje pushteti dhe mund ta pengoj krijimin e koalicionit, ndërsa tha se është ende shumë herët për të vendosur një emër për president.

“Mundet që kjo t’i pengoj me e bë koalicionin sepse ndarja e pushtit këtu ka pengesë, këta po shprehin mentalitet të vjetër për pushtetin, nuk po shprehin mentalitet demokratik e qeverisje të drejtë, por për kapje të shtetit”, tha Tahiri.

“Nuk duhet ndarja e pushtetit me u shtri as në nivel lokal e as presidentit sepse edhe nëse e qesin një emër ai mundet me vdek deri atëherë edhe nëse është i ri ose i sëmurë dhe tani bisedojnë këta për parimin se LDK-së a i takon presidenti apo me ndonjë emër konkret”, shtoi Tahiri.

Ai po ashtu tha se nuk ka se çfarë të kihet frikë për presidentin i cili vjen nga zarfi.

“Ndërsa që thonë presidenti na vjen nga zarfi unë nuk e shoh të keqe këtë, pse me iu frikësu presidentit prej zarfi i cili nuk është diktator por bën harmonizimin dhe plotëson kërkesat, më keq është me qenë president partiak sepse këta po e kritikojnë Thaçin, ndërsa vetë duan ta kenë presidentin partiak”, tha ai.

Ai tha se dy subjektet politike, LDK-VV, duhet sa më parë të harmonizojnë programin qeverisës dhe të ndahen ministritë, sipas tij është e pakuptimtë që ende të ketë hezitime të tilla për të ndërtuar qeverinë pasi që Kosova tash e 20 vite është duke qeverisur dhe se edhe LDK-ja ishte pjesë e qeverisë.

“Duhet të bëjnë programin e qeverisë që duhet miratuar në Kuvend dhe të ndahen ministritë, dialogu bëhet vonë, por na duhet tani programi qeverisës që me u kriju qeveria, duhet bërë ndarja buxhetore dhe me u nda ministritë dhe të bëhet një ligj për qeverinë, duhet diskutuar për bashkimin e ministrive se si kanë me i bashku, që 20 vite janë duke qeverisë nuk e di se pse po ja nisin nga fillimi secila”, shtoi Tahiri për GazetaBlic.

Analisti, Ramush Tahiri

11/19/2019 22:01

VV e ndryshon statutin, Kurti mbetet kryetar i partisë