Opinion

Modeli i Gjykatës për krimet Serbe që Kosova duhet ta kërkoj

05/07/2019 11:44
nga:Avdylkadër Muçaj

Shkruan: Avdylkadër Muçaj

Iniciativa e fundit e institucioneve të Republikës së Kosovës, për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet Serbe, duhet vlerësuar dhe përkrahur në parim. Mirëpo, dilema shtrohet: si dhe për çfarë lloji të Gjykatës për krimet Serbe duhet të avukojnë institucionet tona?

Në njërën anë, ekziston  një konsensus i gjer se krimet Serbe të kryera në Kosovë gjatë luftës 1998-1999, nuk janë ndëshkuar mjaftueshëm nga asnjë sistem i drejtësisë,  çoftë ky sistem i drejtësisë ndërkombëtar, si Tribunali Ndërkombëtar për ish Jugosllavi, apo hibrid, si UNMIK-u dhe EULEX-i. Po ashtu, në anën tjetër, ekziston një pajtueshmëri e gjerë për domosdoshmërinë e gjetjes së një rrugëzgjidhje adekuate, në mënyrë që këto krime të mos mbesin përjetësisht të pandëshkuara. Edhe pse nuk duhet harruar faktin, se në këtë rrafsh jemi vonuar dhe kemi bere hapa fals gjatë rrugës.

Sidoqoftë, iniciativa e fundit e institucioneve të Republikës së Kosovës, për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet Serbe, duhet vlerësuar dhe përkrahur në parim. Mirëpo, dilema shtohet, si dhe për çfarë lloji të Gjykatës për krimet Serbe duhet të avukojnë institucionet tona?

Jo rastësisht thuhet se historia na mëson shumë gjëra. Një gjë e tillë duket të jetë relevante edhe në rastin aktual. Në vitet e ’90-ta Kombet e Bashkuara kanë krijuar dy Tribunale Ndërkombëtare ad hoc, atë për ish Jugosllavi dhe Ruanda, për gjykimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerizimit, gjenocidit etj. Mirëpo, për shkak të shumë arsyeve, dhe si më kryesoret, vështirësitë që hasen për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar dhe kostos së lartë financiare, duket se komuniteti ndërkombëtar ka hequr dore nga një model i tillë. Si alternativ, pas dy tribunaleve të lartcekura, bashkësia ndërkombëtare ka mbështetur krijimin e gjykatave apo tribunaleve hibride (të përziera), me mandat për ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe jo vetëm. Ky ka qenë rasti në  Sierra Leone, Kamboxhia, Bosnja e Hercegovina, Tomori Lindor etj. Në këtë kontekst, edhe statusi hibird i Gjykatës Speciale të Kosovës është në vazhdën e këtyre alternativave apo modeleve, që bashkësia ndërkombëtarë mbështet së fundmi, për regjione të caktuara.

Në përgjigje të pyetjes se cili është modeli i gjykatës së pretenduar për krimet Serbe që Kosova mëton ta avancoj, rrjedhimisht ‘themeloj’, në horizont paraqiten tri alternativa: Tribunal Ndërkombëtar, Gjykatë vendore, dhe Gjykata Speciale aktuale.

Nga se u tha më lart, meqenëse themelimi i një gjykate ndërkombëtare është jashtëzakonisht i vështir, për të mos thënë i pamundur, në masë të madhe për shkak të hezitimit të bashkësisë ndërkombëtare për një model të tillë, dhe kundërshtimit potencial të Rusisë dhe vendeve tjera mike të Serbisë, ku model del të jetë thuajse i pa arritshëm. Arsye shtesë që një model i tillë është vështir i arritshëm, del të jetë edhe fakti që një Tribual i tillë për ish Jugosllavi ka ekzistuar nga viti 1993-2017. Pavarësisht faktit që për ne në Kosovë puna e këtij tribunali në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve Serbe ka qenë modeste, barra e tij për bashkësinë ndërkombëtare ka qenë enorme. Referuar dokumenteve zyrtare të Kombeve të Bashkuara, ky Tribunal ka marr afërsisht 8% të të gjithë buxhetit të organizatës. Parë nga ky këndvështrim, dikush mund të pyet se pse na duhet edhe një Tribunal i ngjashëm, me atë paraprak, për të cilin të gjithë ne pajtohemi se nuk e ka kryer misionin e vetë? Mision ky, ndjekja dhe dënimi i të gjithë atyre që kanë kryer krime në Kosovë.

Alternativa e një gjykatë vendore, teorikisht eksiton por që në praktik është vështir e realizueshme.  Them vështir e realizueshme sepse e njëjta, sipas të gjitha gjasave, nga bashkësia ndërkombëtare  do të shihej me skepticizëm, rrjedhimisht si model vështir i përkrahur. Po qe se ky model do të gëzonte mbështetjen eventuale të shteteve mike të Kosovës, prapë se prapë do të ishte e pa mjaftueshme për suksesin eventual të saj. Kjo për faktin se në mungesë të bashkëpunimit zyrtar të shtetit Serb me këtë Gjykatë, suksesi i saj do ishte i minuar. Në një skenar të tillë, edhe sikurse kjo gjykatë vendore të arrij të faktoj dhe vërtetoj krimet e Serbe në Kosovë për individ të caktuar, edhe sikurse të njëjtit të gjykoheshin në mungesë, mos arrestimi, rrjedhimisht mos dorëzimi i tyre nga ana e Serbisë në Kosovën, do ta bënte këtë model të Gjykatës jo adekuat.

Alternativa e Gjykatës së synuar, e cila na shfaqet si më adekuatja, del të jetë  inicimi i plotësim ndryshimit të kornizës ligjore aktuale për Gjykatën Speciale. Rrjedhimisht zgjerimi i juridiksionit të sajë në raport me të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Kjo nënkupton përfshirjen e hetimit dhe gjykimit të gjitha krimeve Serbe të kryera në Kosovë, si: krimet e gjenocidit, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, dhunimet, spastrimin etnik, shkatërrimi i pronës etj. Varianti i zgjerimit të kompetencave të Gjykatës Speciale del të jetë më i përshtatshmi për një sërë arsyesh. Plotësim ndryshimet ligjore janë shumë më të lehta për faktin se kemi të bëjmë me legjislacion vendor dhe jo ndërkombëtar. Kjo Gjykatë është në fillet e sajë dhe se zgjerimi i juridiksionit, nuk do të paraqite ndonjë vështirësi në punën dhe angazhimin e saj. Financimi i saj që është element shumë me rëndësi është i siguruar. E fundit por jo për nga rëndësia, kjo Gjykatë ka mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, në veçanti të Bashkimit Evropian, dhe si e tillë i krijon mundësi BE-së që edhe përkundër vullnetit të Serbisë, që krimet e saj të heshtën, ta detyroj këtë të fundit të bashkëpunoj me këtë Gjykatë. Në të drejtën ndërkombëtarë, bashkëpunimi me një gjykatë të mandatuar për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, konsiderohet si krucial në suksesin, eventualisht mos suksesin e saj.

Po ashtu, Kosova duhet që paralelisht me përpjekjet e  veta për themelimin e një gjykate për krimet lufte, të punoj dhe në rithemelimin dhe funksionalizimin në kuptimin e plotë të fjalës, të Institutit Kosovar për Krime Lufte. Më pastaj ky Institut të filloj një pune serioze dhe intensive për dokumentimin e të gjitha krimeve Serbe të kryera në Kosovë, dhe se të njëjta të shërbejnë si prova për punën e gjykatë së ardhshme. Parakusht për sukses të këtij institucioni, mes tjerash, është përzgjedhja e personelit profesionalisht kompetent dhe financimi adekuat i këtij Instituti.

Në këtë mënyrë, sado e vonuar, dokumentimi i krimeve Serbe në Kosovë dhe krijimi i një Gjykate kompetente për hetimin dhe gjykimin e kriminelëve Serbe, do të ishte një satisfaksion moral për të gjitha viktimat e luftës, të mbijetuarit dhe familjaret e tyre. Në anën tjetër, do të ishte një mësim i nxjerrë për të gjithë kriminelët e luftës si dhe vetë shtetin Serb, nën urdhrat dhe mbikëqyrjen e të cilit janë kryer të gjitha krimet e lartcekura në Kosovë.

(Autori është Profesor i të Drejtës Ndërkombëtare )