Lajme

Ministri Bytyqi dënon sulmin ndaj mësimdhënëses në Prishtinë

04/30/2019 16:26
nga:A. R.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, ka shprehur indinjatën e thellë lidhur me sulmin me thikë ndaj mësueses Vlora Paci-Neziri në shkollën “7 Marsi”, duke kërkuar nga organet e rendit që sa më shpejt të zbardhin rastin.

Ai tha se ky veprim ekstrem ka tronditur sistemin e arsimit dhe gjithë opinionin tonë.

“I indinjuar nga lajmi tronditës i veprimit ekstrem në shkollën „7 Marsi“, shpreh vendosmërinë time dhe të MASHT për ta larguar dhunën nga shkollat tona! Dhuna nuk është, e as nuk do të lejojmë të bëhet as baza, as detyrimi i suksesit të askujt, as të fëmijëve, e as të personelit! Rasti i sotëm tregon se komunikimi institucione -prindër nuk është në nivelin e duhur dhe se shkollat kanë nevojë për angazhimin real e të përhershëm. Kërkoj nga gjithë sistemi arsimor të vihet në krye të detyrave të tyre! Secili nga ne, qofshim personel a prindër, u detyrohemi gjeneratave që janë në bankat e shkollimit t‘u shërbejmë me punë e përkushtim dhe t‘iu bëhemi shembulli i edukatës e të mirës! Thërras të gjitha organet përgjegjëse t‘i shkojnë deri në fund këtij rasti!”, shkruan Bytyqi në Facebook.

Ndryshe, Vlora Paci-Neziri është sulmuar sot me thikë nga një prind i një nxënësi. Mësuesja ka marrë lëndime në abdomen dhe i është nënshtruar trajtimit mjekësor në QKUK, ku mësohet se gjendja e saj shëndetësore është stabile.

11/04/2019 15:50

Studentët e Fakultetit të Edukimit paralajmërojnë protesta para MASHT dhe Rektoratit të UP