Lajme

“Mbajeni në mend, PSD do t’i ketë 10 deputetë”

08/13/2019 23:28
nga:L H

Partia Socialdemokrate do t’i ketë dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ka thënë sot, Dardan Molliqaj, deputet i PSD-së.

Molliqaj, në një intervistë për Pressing në T7, ka deklaruar me bindje se PSD do t’i ketë mbi dhjetë deputetë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, derisa ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do t’i marrë më pak se 20 deputetë.

“Unë jam i bindur, po them sot dhe mbajeni në mend: PSD do t’i ketë dhjetë deputetë pas zgjedhjeve”, ka deklaruar Molliqaj. “Lëvizja Vetëvendosje do t’i marrë më pak se 20 për qind”.

Ish-sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë pjesë e Partisë Socialdemokrate, ka thënë se nuk ka kuptim që PSD-ja të bëhet pjesë e një koalicioni me VV-në.

Molliqaj, po ashtu ka thënë se dëshiron ta shoh një koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se dëshiron t’i shoh dy partitë opozitare në koalicion, në mënyrë që të shoh fuqinë e LDK-së dhe VV-së.

“Unë nuk mund ta përcaktoj një koalicion të tillë. Por si oponent politik, nuk jam kundër i këtij koalicioni. Dua ta shoh se sa janë të fuqishëm; edhe LDK-ja, e edhe VV-ja”, deklaroi Molliqaj.

Sipas Molliqajt, Vetëvendosje dëshiron që me çdo kusht të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“E vetmja rrugë që Vetëvendosje të jetë në qeverinë e ardhshme, është që të kenë një koalicion parazgjedhor me LDK-në”, ka thënë Molliqaj.