Opinion

Lufta tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës

08/06/2019 14:53
nga:Flamur Bunjaku

Shkruan: Flamur Bunjaku

Lufta tregtare në mes të SHBA-së dhe Kines është luftë në kuptimin e plotë të fjalës, por për dallim nga lufta klasike që bëhet me armatim, kjo luftë është duke u zhvillu me mjete të tjera.

Çështja është se kush do të jetë fuqia kryesore ekonomike në botë në këtë shekull. Prandaj, asnjëra palë nuk do të zbrapset.

Por, kush ka përparësi në këtë luftë tregtare? Në aspektin e pastër të shkëmbimit tregtar, SHBA janë në epërsi, pasi që eksportet e SHBA-se për Kinë shkojnë diku te 8%.

Kurse, Kina varet shumë nga eksportet për në SHBA, me rreth 25% të eksporteve totale.

Pra, për Kinën, SHBA është tregu më i madh dhe më i rëndësishmj.

Gjithashtu, SHBA eshte vendi që kontrollon financat ndërkombëtare nëpërmjet fuqisë që ka në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe me Dollarin Amerikan që pranohet si valutë ndërkombëtare në shumicën e shteteve në botë.

Kompanitë e SHBA-ve prijnë në inovacion dhe kanë kapital të tregut shumë të më madh se kompanitë kineze dhe në tregjet financiare vlersohen më lartë, etj. Në anën tjetër, edhe Kina ka disa përparësi të cilat mund t’i shfrytëzoj në këtë luftë ekonomiko-tregtare. Pikë së pari, Kina në aspektin e kontrollit të shtetit është një vend komunist, i cili në vendimet e politikës nuk ndikohet nga rezistenca e opinionit publik.

Prandaj, ka luksin që të ndërmarrë masa të tilla ekonomike-tregtare dhe financiare që do të jenë negative për popullatën e gjërë në afat të shkurtër, por që mund t’i sigurojnë përfitime afatgjatë për shtetin, çka SHBA nuk mund të bëjë për shkak të presioneve të mëdha të publikut, që është karakteristikë e vendeve me demokraci të zhvilluar. Kina mbetet një vend me fuqi shumë të lirë punëtore, cka paraqet një përparësi në koston e prodhimit me çdo vend në botë.

Gjithashtu, Kina ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me më shume se 40 vende Afrikane, me Korenë e Jugut dhe shumë vende të tjera në botë. Çka e bënë atë njërën ndër fuqitë më të mëdha të ekonomive të orientuara për eksport. Një aspekt shumë i rëndësishëm në luftën tregtare SHBA-Kinë është fakti se Kina posedon shumicën e letrave Amerikane me Vlerë (Treasury Bonds).

Pra është blerësja më e madhe në botë e huasë së SHBA-ve. Kina ka mundësi qe të ri-shes këto letra me vlerë me çmime më të lira, duke aplikuar dumpingun e letrave me vlerë, çka do të destabilizonte shumë tregun Amerikan të letrave me vlerë.

Kjo do të kishte pasoja të pa-parashikueshme për tregjet financiare në SHBA. Sidoqoftë, kjo gjë mund të realizohet vetëm si mjet i fundit dhe atë në skenarin më të ashpër të mundshëm.

Sido që të jetë, kjo luftë në mes të SHBA-së dhe Kines, është për jetë a vdekje për të dy palët. Në njërën anë, SHBA vështirë se do të pranoj që Kina të merr primatin e vendit më të fuqishëm ekonomik në botë dhe do të bëjë çdo gje qe eshte e mundur të parandaloj këtë gjë. Në anën tjetër, Kina është në ekspansion të pa-parë ekonomik, dhe hapja e tregjeve, globalizimi, etj, i kanë dhënë mundësi të mëdha ekonomike.

GDP-ja e SHBA-ve në vitin 2019 është 21,3 trilion Dollarë. Kurse, ajo e Kinës 14,2 trilion Dollarë Amerikan. Sidoqoftë, SHBA-të kanë GDP per Capita rreth 6 herë më të madhe se Kina.

Në fund, qellimi kryesor i SHBA-ve që po zbatohet në praktikë me anë të tarifave dhe barriera të tjera, është që të jap një mesazh për të gjitha korporatat e fuqishme në botë që të mos  investojnë në Kinë. Të investojnë në vende të tjera, por jo në Kinë. Parashikoj se ky konflikt tregtarë do të jetë i gjatë, edhe pse do të ketë periudha të qetësisë ashtu siq ndodh edhe në konflikte të armatosura.

Efektet negative do të ndihen në tërë botën. Jemi vetëm në fillet e kësaj lufte ku SHBA-të kanë krijuar një përparësi të vogël.