Lajme

Lufta e radhës për të parin e LDK-së në mes të dy nënkryetarëve

12/13/2017 12:24
nga:anonymous1000144531

Kryetari i tretë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pritet që të liroj këtë post për një anëtar tjetër, kjo pasi  zgjedhjet e brendshme janë të parapara me statut të partisë të mbahen çdo katër vite, shkruan Gazeta Blic.

Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i LDK-së për herë të parë në vitin 2010, ku garoi kundër Fatmir Sejdiut, duke fituar kështu me 234 vota nga gjithsej 359 delegatët e pranishëm të LDK-së.

E për të dytën herë, Isa Mustafa u zgjodh kryetar në vitin 2015-të, pas votimit të Këshillit të Përgjithshëm në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.

Mirëpo, në zgjedhjet e fundit të brendshme në këtë parti, kundër Mustafës për të parin e partisë, doli edhe deputetja Vjosa Osmani e cila nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme nga 350 delegatë të pranishëm, që do të duhet t’ia siguronin të paktën gjysmën e numrit të përgjithshëm për kandidaturë.

Si shenjë revolte, atëkohë Osmani dhe Sejdiu lëshuan sallën ku po mbaheshin zgjedhjet.

                         Në foto: Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa

Tashmë, kanë kaluar më shumë se 2 vite dhe me status të partisë këto zgjedhje do të duhej të mbaheshin në maj të vitit 2019-të.

Mirëpo, deklaratat për kandidaturë tashmë kanë filluar .

Gazeta Blic ka kontaktuar disa nga kandidatët e mundshëm.

Ishte nënkryetari i kësaj partie, njëherësh kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri që i pari tregoi ambiciet për këtë post, duke paralajmëruar zgjedhjet e vitit 2019-të.

“Natyrisht se jam edhe unë do të jem një nga kandidatët dhe do të kandidoj“, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se është koha për një gjeneratë të re në krye të partisë.

            Lutfi Haziri-Nënkryetar i LDK-së- Kryetar i Gjilanit

Në anën tjetër, Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së, njëherësh kryetar i komunës së Podujevës i kontaktuar nga Gazeta Blic për këtë temë tha se zgjedhjet në LDK do të mbahen sipas kalendarit sepse ende nuk është koha e duhur kur kjo temë do të duhet të diskutohet.

”Zgjedhjet në parti janë me afat, me kalendar. Nuk i kemi në rend këto çështje, jemi duke përmbyllur procesin e zgjedhjeve lokale, duhet me u ul me vlerësu nuk jemi në ato agjenda.Zgjedhjet në LDK janë për katër vjet, duhet me u mbajt në vitin 2019-të, tha Veliu.

Sipas tij, nuk është e mundur që të provokohen zgjedhjet e reja para afatit ligjor në asnjë mënyrë.

”Edhe nëse ndodh se dikush liron postin, nuk do të thotë që provokohen zgjedhjet, sepse Kuvendi i LDK-së është, mundet me u mbledh, na kemi  me i pas zgjedhjet brenda afatit të ligjshëm”, tha ndër të tjerash Veliu.

Ndërsa, i pyetur për deklaratën e Hazirit, ai tha që nuk mund të komentojë sepse ai është deklaruar vetëm për vete.

”Lutfi Haziri është Lutfi Haziri, unë jam Agim Veliu, ai mundet me u deklaru për vete”, tha ai.

E duke mos pohuar as mohuar kandidaturën, Veliu shtoi se është ende herët për të marrë një qëndrim dhe për t’u deklaruar.

”Nuk kam kurrfarë qëndrimi, nuk është koha tash”, përfundoi ai.

                        Agim Veliu-Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Podujevës

Gazeta Blic lidhur me këtë temë ka tentuar të kontaktojë edhe deputeten Vjosa Osmani për të marrë një qëndrim për një  kandidaturë të mundur nga ajo, mirëpo nuk ka qenë e qasshme.

                                                              Zgjedhjet e fundit në LDK

Pas vdekjes së themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugovës, postin e kryetarit të kësaj partie e mbajti fillimit Fatmir Sejdiu ndërsa pas tij Isa Mustafa./GazetaBlic

 

10/17/2018 20:29

LDK e gatshme për zgjedhje të reja në Kosovë