Cult

“Lindja e një demokracie”; Libri i Jacques Baudouin për Kosovë

06/15/2019 17:00
nga:Gazeta Blic

Megjithëse presidenti i Kosovës Z. Hashim Thaçi është ende një figurë aktuale shkrimtari francez Jacques Baudouin i kushton atij një libër duke analizuar personalitetin dhe lëvizjet e tij politike, njëkohësisht ai analizon edhe faktorët historikë dhe politikë që çuan në pavarësinë e Kosovës. Pikërisht sot që feston përvjetorin e dy dekadave.

Presidenti kishte ardhur sportiv në këtë promovim, pa xhaketën zyrtare. Ai dukej i qeshur ndërsa ligjëruesit flisnin rreth librit dhe faktit pse autori Baudouin kishte zgjedhur pikërisht atë si subjekt të librit të tij “Lindja e një demokracie”.

“Mendoj që është një vlerësim të cilin unë e çmoj. Ka qenë një intervistim i gjatë, rrëfyes, për jetën dhe angazhimin edhe në lëvizjet ilegale kombëtare të Kosovës. Edhe si lider studentor, edhe në periudhën e luftës, edhe në procesin e Rambujes, edhe pas bombardimeve të NATO-s, fitores së lirisë, clirimit të Kosovës. Por edhe në rastin e shpalljes së pavarësisë, rrethanave të brendshme dhe të jashtme”, u shpreh Jacques Baudouin.

Tek ky libër lexuesit do të gjejnë fakte të reja rreth presidentit Thaçi, të cilat bëhen edhe më interesante parë në këndvështrimin e një të huaji.

“Besoj që ka shumë gjëra interesante për fëmijërinë, rininë e tij dhe kohën e studimeve në Zvicër. Ka të reja rreth marrëdhënieve të tij të para me SHBA. Por edhe shumë detaje interesante mbi konferencën e Rabujes. Sic e dini është një konferencë që zgjati tre javë. Ka negociata, ka prapaskena. Janë ato gjërat që ndodhin korridoreve. Gjithashtu mund të mësojmë shumë gjëra mbi ndërtimin e shtetit të Kosovës si një republikë parlamentare. ju e dini që është shumë e vështirë të ndërrosh një republikë parlamentare, duke e njohur pastaj dhe ambientin e Kosovës, e kuptova sa e vështirë ka qenë kjo për Thaçin”, tha Jacques Baudouin.

E ndërsa sot Kosova feston dy dekada si e lirë, presidenti komenton edhe të ardhmen e saj.

Ju e keni shprehur që Kosovën e shikoni sëbashku me Shqipërinë. Vazhdoni t’i qëndroni sërish kësaj ideje dhe nëse po kur mendoni?

“Unë në jetën time kam pasur tre objektiva politike që ndërlidhet drejt me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. E para për të fituar lirinë, që ndodhi në qershor të vitit 1999. I dyti objektiv ka qenë bërja e Kosovës shtet, gjë që ndodhi më 17 shkurt 2008 dhe objektiva e tretë jetësore është anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE. Natyrisht në këtë drejtim duhet të punojmë më tepër. Në NATO do të antarësohemi në të ardhmen e afërt, ndërsa për perspektivën evropiane na duhet të punojmë edhe më tepër. Është një proces jo i lehtë dhe i shpejtë, por është i sigurt, nuk kemi altërnativë tjetër. Sa i përket raporteve me Shqipërinë jam i bindur që do të jetojmë në një hapësirë pa kufi nën umbrellën e euroatlantike. E ritheksoj edhe njëherë. Pa Shqipërinë Kosova nuk do të ishte as e lirë as e pavarur dhe me Shqipërinë rrugëtimi do të jetë edhe më i lehtë”, tha ai.

Referuesit Pëllum Xhufi, Dorian Koci dhe Monika Stafa diskutuan rreth Kosovës dje dhe sot, duke nënvijëzuar atë që Bernard Kouchner thotë në parathënien e librit, se demokracia nuk është asnjëherë e fituar njëherë e mirë.