Lajme

“Kur gjithçka kishte marrë drejtimin e duhur, Kosova mori një goditje të rëndë, këtë radhë jo nga Serbia por nga PDK-ja”

05/19/2019 13:05
nga:A. R.

Kur çështja e të dhunuarave në luftë mori mbështetjen ndërkombëtare dhe kur dukej që gjithçka kishte marrë drejtimin e duhur, Kosova mori një goditje të rëndë, këtë radhë jo nga Serbia por nga PDK-ja.

Kështu ka deklaruar kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë Arben Vitia, në mbledhjen e Këshillit të Qendrës teksa ka folur për publikimin e fotografive nga deputetja e PDK-së Flora Brovina e që më vonë u konfirmuan si fotografi të rrejshme.

Vitia tha se PDK pasi nuk e kishte votuat projektligjin për statusin e grave të dhunuara në luftë, javën e kaluar u mundua edhe ta shkatërrojë këtë çështje, por që sipas tij nuk ia kishte dal pasi Kosova ende ka njerëz të ndershëm.

Ai deklaroi se ka ardhur koha që ta largojnë “PANhajninë” dhe të zgjedhim një Qeveri që punon me nder e me mençuri për Republikën dhe për qytetarët e saj.
Arben Vitia, kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, ka folur edhe për problemet që e karakterizojnë kryeqytetin.

Ai tha se sot Prishtina është një qytet në të cilin mafia ndërtimore nuk ka më pengesa, derisa ka theksuar se kryeqyteti meriton trajtim më të mirë.

Me aktivitetet tona jemi përpjekur të jemi zë i shqetësimit të qytetarëve dhe këtë do ta bëjmë.

Ndër sfidat që i kanë si Qendër, Vitia tha se mbetet nevoja për të angazhuar më shumë gra e vajza në Qendrën e Prishtinës.

Ai tha se nuk do të ndalen derisa të arrihet që anëtarësia në radhët e vajzave dhe grave të jetë aq sa i takon, pra gjysma.

Vitia ka potencuar se Prishtina mbetet qyteti i të rinjve të Kosovës, ndërsa tha se ata mbeten Lëvizja e të rinjve, e sipas tij, ata duhet të bëhen bashkë dhe t’u hapin rrugën të rinjve në Lëvizje.