Lajme

Krimet e luftës, 65 persona të dënuar në Kosovë, veprimi i Kuvendit konsiderohet i vonuar

04/16/2019 22:06
nga:Gazeta Blic

Kuvendi i Kosovës dje ka formuar një komision ad hoc për krimet e luftës dhe ka nxjerrë një rezolutë.

Ky komision e kjo rezolutë u propozuan nga deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Miratimi i rezolutës erdhi pas idesë së Veselit për formimin e një gjykate speciale e cila do të gjykonte krimet dhe masakrat që paramilitarët serbë kanë kryer në Kosovë.

“Duhet të krijohet një Tribunal ndërkombëtarë për krimet serbe dhe kjo duhet gjithsesi, është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi. I keni mohimin e masakrave e cila po ndodh sot dhe kështu do të ndodhë edhe pas pesë viteve të gjitha”, tha ai gjatë punimeve të seancës së Kuvendit.

Mirëpo një veprim i tillë, 20 vite pas përfundimit të luftës, është duke u konsideruar i vonuar. Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, thotë se për të siguruar drejtësi për krimet e luftës është dashur të punohet së paku në 15 vitet e fundit.

Sipas tij, për dallim prej Kosovës, Serbia ka më shumë se 10 vite që ka angazhuar ekipe të shumta e është duke mbledhur prova.

“Kjo është një iniciativë Ad hoc e karakterit politik, popullist për shkak se është dashur, nëse jo menjëherë pas luftës, këto 15 vitet e fundit të punohet në këtë drejtim. Serbia qe 10 vjet ka angazhuar ekipe të njerëzve dhe tani Serbia ka me dërguar atje prova atje 10 herë apo 15 herë më të mëdha se këta”, ka thënë ai për Indeksonline.

Në vend të zëvendësministrave, Salihu thotë se do të duhej të angazhoheshin profesorë e hulumtues të cilët do të punonin në mbledhjen e fakteve në mënyrë që të ngritën aktakuza për krimet e bëra nga serbët në Kosovë. Ai madje ka thënë se është për ironi se si Prokuroria Speciale, ka vetëm një prokuror special.

“Këndej thonë që duhet të gjykohen kriminelët serbë që kanë kryer krimet më të rënda pas Luftës së Dytë Botërore, në Republikën tonë është një Prokuror Special, Drita Hajdari. Është dashtë të jenë në çdo regjion, kah dy tre prokurorë për krime të rënda. Shiko ironinë tjetër në Kosovë është formuar Prokuroria Speciale me një prokuror që është dashtë me qenë 12-13 por nuk është themeluar Gjykata Speciale në Kosovë. Qysh punon prokuroria Speciale pa gjykatë Speciale?”, deklaroi Salihu.

Në anën tjetër, Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, ka thënë se Departamenti Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, do të merret me aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale dhe me gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Ky Departament është parashikuar të formohet me Ligjin për Gjykatat, i cili ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti.

“Në këtë departament të sapo krijuar ne mendojmë që duhet të përzgjidhen gjyqtarë nga të gjitha gjykatat e Kosovës të cilët kanë më shumë përvojë në gjykimin e këtyre rasteve duke i përfshirë edhe gjyqtarë të të gjitha komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë dhe të cilët deri më tash kanë treguar një profesionalizëm në këtë fushë”, ka deklaruar ai.

Pengesa kryesore në mosndëshkimin e kryesve të krimeve të luftës, sipas tij, është mungesa e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ai vlerëson se nuk ka pasur mungesë të gjykatave por të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Zgjidhja e përhershme e kësaj dukurie të mos ndëshkimit është arritja e një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Serbisë, pikërisht në temën e krimeve të luftës, shkëmbimit të informatave lidhur me krimet e luftës, varrezave masive, personave të pagjetur etj”, ka thënë ai për Indeksonline.

“Asnjëherë nuk kemi pasur mungesë të Gjykatave por gjithmonë kemi pasur mungesë dhe mangësi të bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket krimeve të luftës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të merren më shumë me këtë pengesë dhe duhet të kërkojnë me ngulmë një marrëveshje të kësaj fushe”.

Amer Alija nga Fondin për të Drejtën Humanitare, për Indeksonline ka bërë të ditur se sa shqiptarë dhe serbë janë dënuar për krimet e luftës në Kosovë.

“Në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) janë dënuar 6 serbë të cilët kanë pasur pozitat e larta ushtarake dhe politike gjatë kohës së luftës në Kosovë po ashtu janë dënuar edhe 2 shqiptarë me pozita më të ulëta ushtarake. Nga Gjykatat e Serbisë janë dënuar 15 serbë për krimet e luftës në Kosovës por gjithashtu janë në procedurë edhe disa raste të mëdha. Po ashtu janë dënuar edhe 2 shqiptarë nga kjo gjykatë. Nga Gjykatat e Kosovës janë dënuar 5 serbë, 1 malazezë dhe 34 shqiptarë”, ka thënë ai.

Në luftën e viteve 1998-99 mbetën të vrarë rreth 15 mijë persona nga forcat paramilitare serbe, mbi 20 mijë femra të dhunuara, kurse të zhdukur vazhdojnë të mbesin mbi 1600 persona.

Nga shtëpitë e tyre në mënyrë të dhunshme u dëbuan mbi 800 mijë persona derisa mbi 200 mijë objekte shtetërore e private u shkatërruan.

10/16/2019 22:21

Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar rekord të ri në duelin ndaj Malit të Zi