Lajme

Kosova për shkak të Speciales rrezikon keqësimin e raporteve edhe me Parlamentin Evropian

01/20/2018 07:25
nga:F.B

Paqartësitë dhe qëndrimet kontradiktore rreth Gjykatës Speciale që po mbretërojnë në Kosovë ditëve të fundit janë bartur edhe në takimin e katërt të radhës të Komisionit të Stabilizim-Asociimit, që është një delegacion ndërparlamentar i Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.

Kjo temë thuhet të ketë dominuar gjatë tentativave për të nxjerrë një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian, siç ka ndodhur gjithmonë në të kaluarën në rastet e tilla, shkruan sot Koha Ditore.

Por kësaj radhe pikërisht referimi i nevojës për bashkëpunim me këtë gjykatë nga ana e autoriteteve të Kosovës ka qenë mollë sherri që ka bërë që për herë të parë të mos miratohet një deklaratë e tillë. Për një gjë të tillë kanë munguar uniteti dhe qartësia brenda delegacionit të Kuvendit të Kosovës, shef i të cilit, në cilësinë e bashkëkryesuesit të Komisionit ndërparlamentar, ka qenë Memli Krasniqi nga PDK-ja.

Deputetët e Parlamentit Evropian nuk kanë dashur që të ketë deklaratë ku nuk do të përmendeshin qartë Gjykata Special dhe nevoja e bashkëpunimit të autoriteteve të Kosovës me të. Për Parlamentin Evropian kjo gjykatë tashmë është pjesë e ligjeve të Kosovës dhe bashkëpunimi me të është një obligim ligjor i Kosovës, i cili lidhet edhe me sundimin e ligjit dhe me obligimet ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Bashkëkryesuesit shprehin keqardhje se nuk ka qenë e mundur të miratohen deklarata e përbashkët dhe rekomandimet për shkak të mungesës së pajtimit për çështjen e Dhomave të specializuara dhe nismave të fundit në Kuvendin e Kosovës në këtë drejtim. Megjithatë është shprehur shpresa se kjo pikë e mospajtimeve të tejkalohet në javët dhe muajt në vijim dhe nuk do të ketë ndikim të mëtejmë në raportet shumë të mira në mes të dy parlamenteve”, thuhet në komunikatën me shkrim të dërguar nga Parlamenti Evropian.

06/21/2018 17:12

Veseli: Marrëveshja me Serbinë nuk do të jetë kompromis i ri