Lajme

Korporata HIB bëhet mbështetës zyrtar i Komitetit Olimpik të Kosovës

10/10/2019 14:09
nga:Ideal

Korporata “HIB” në një konferencë të përbashkët për media me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), sot ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi me KOK, e cila nënkupton mbështetjen financiare të korporatës më të madhe kosovare ndaj sportistëve të cilët janë pjesë e komitetit olimpik.

“Sot kemi kënaqësinë dhe privilegjin të ju njoftojmë se Korporata HIB, përkatësisht kompanitë tona, “HIB Petrol” dhe hoteli “Emerald” do të jenë zyrtarisht mbështetësit e Komitetit Olimpik, dhe sportistëve të cilët kanë përfaqësuar shtetin tonë në nivelet më të larta botërore, dhe kanë fituar medaljet e arta e të argjendta, në shumicën e garave, duke përfshirë edhe Lojërat Olimpike, në të cilat flamuri i Kosovës është ngritur si i pari në botë” ka thënë Hysen Lajqi, drejtor ekzekutiv në “HIB Petrol”.

“Me këtë mbështetje, ne duam ta përçojmë mesazhin e qartë se korporata jonë do të jetë mbështetëse e pakursyer e sportit dhe të rinjëve që na përfaqësojnë më së miri, në Kosovë, rajon dhe gjithë botën. Si lider i padiskutueshëm i tregut, ne e dijmë rëndësinë e garës dhe shpirtit të
fitores, të cilën e kanë edhe sportistët tanë në secilin ballafaqim të tyre me simbolet e shtetit të Kosovës në zemrat e tyre. Ne duam t’i mbështesim kampionët tanë, në të gjitha sportet olimpike, sepse disciplina, puna dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme janë vlerat dhe virytet të cilat ne i
kultivojmë në biznesin tonë, çdo ditë. Prandaj ky bashkëpunim dhe mbështetje është kaq e natyrshme për të dyja palët” ka thënë më tej Lajqi.

Nga ana tjetër, Besim Hasani, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka thënë se gatishmëria e korporatës “HIB” për të fuqizuar sportistët kosovarë është lajm shumë i mirë për të gjithë.

“Mbështetja e korporatës “HIB” ndaj Komitetit Olimpik të Kosovës është lajm shumë i mirë për sportin dhe gjithë sportistët kosovarë, në përgjithësi. Kjo mbështetje është edhe mesazh i qartë për të gjithë sportistët tanë se puna dhe angazhimi i tyre i pandërprerë vlerësohet dhe mbështetet nga të gjithë, posaçërisht nga bizneset dhe korporatat si HIB, të cilët në industrinë ku ata operojnë janë të parët vazhdimisht” ka thënë Hasani.

Në konferencën e përbashkët, të dyja palët janë zotuar për bashkëpunim afatgjatë dhe krijim të kushteve dhe mundësive të reja për atletët kosovarë.

Aktualisht, HIB është ndër korporatat më të mëdha në vend, e cila ka mbi 1000 të punësuar të rregullt, në njësinë e “HIB Petrol”-it dhe hotelit me pesë yje, “Emeraldi”.