Lajme

Korab Sejdiu: Kryeministri malazes ishte i qartë, demarkacioni duhet të mbyllet shpejtë!

02/14/2018 22:31
nga:Gazeta Blic

Deputeti i pavarur i Kuvndit të Kosovës, Korab Sejdiu konsideron se deklarimet e kryeministrit malazez Dushko Markoviq, rreth demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, nuk pasqyrojnë ndryshimin e qëndrimit të këtij shteti karshi çështjes në fjalë, por tregojnë vetëm anën e vullnetit të mirë për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Sipas Sejdiut, deklarimet e kryeministrit malazez ishin më se e qartë se ndihma e tyre do të jetë e drejtuar kah ajo që t’i ndihmojë Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen aktuale të cilën palët e kanë nënshkruar.

“Pra, nuk e shoh si ndonjë ndryshim të qëndrimit të Malit të Zi lidhur me këtë çështje, por më shumë si një deklarim i palëkundur por i kujdesshëm diplomatik i KM Markoviq që ka parasyshë ndjeshmërinë e situatës në të cilën gjendet Kosova. Pra, përkthyer shkurt e shqip, kjo deklaratë rithekson edhe një herë se kjo çështje është e mbyllur për Malin e Zi, dhe se presin një ratifikim të shpejtë të marrëveshjes në fjalë nga Kosova”, tha ai për “Gazeta Blic”

Në anën tjetër deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Ilir Deda me optimizëm është shprehur se do të gjendjet një zgjidhje për marrëveshjen për demarkacion ndërmjet kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi.

 

Deda optimist në zgjidhjen e çështjes së demarkacionit, pas vizitës së kryeministrit Markoviq

Kruse Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka theksuar se ekziston vullnet nga Mali i zi për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy vendet, për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ajo që mund të them është se ekziston një vullnet që të gjendjet një zgjidhje nga gjendja në të cilën jemi, jam me shpresë se do të zgjidhet”, tha Haradinaj pa dhënë detaje të tjera për takimin me Markoviq.

Ndryshe, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, nesër do të zhvillojë takime edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Kjo vizitë, ishte paralajmëruar të realizohej javën e kaluar, por ishte shtyrë për shkak të kushteve atmosferike.

Pritjet e spektrit politik në Prishtinë nga kjo vizitë, ishin që të kuptohet edhe njëherë pozicioni i Malit të Zi në raport me Demarkacionin e kufirit, duke shpresuar se Podgorica zyrtare do të mund të pajtohej me një deklaratë të përbashkët, në bazë të së cilës, të dy shtetet do të zotoheshin se do ta shqyrtonin edhe njëherë Demarkacionin, nëse gjatë fazës së ardhshme të shënjimit të vijës kufitare, dëshmohet se a janë bërë lëshime apo gabime me marrëveshjen e vitit 2015.

Marrëveshjen e vitit 2015, në Kosovë po e mbështesin shumica e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetët nga radhët e partive joserbe. Kurse nuk mbështetet nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ata të Nismës për Kosovën dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes. Përderisa nga Lista Serbe janë deklaruar se Demarkacioni nuk paraqet ndonjë interes të veçantë për komunitetin serb.

Pretendimet e Haradinajt dhe spektrit politik që nuk e mbështesin versionin aktual të Demarkacionit, janë se marrëveshja e vitit 2015, si pasojë i shkakton humbje territoriale Kosovës, prej 8 mijë hektarësh.

Një gjendje e tillë në Kuvend, me pozicionimet për dhe kundër, po e pamundëson arritjen e 80 votave për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, të cilën Komisioni Evropian ia ka vënë kusht Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave./Gazeta Blic/