Lajme

Komuna e Ferizajt e gatshme për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë

02/12/2018 12:18
nga:M H

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka folur për “Gazeta Blic”, rreth shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi së komuna të cilën ai e udhëheq do të organizojë aktivitete të ndryshme për festën e pavarësisë.

“Duke pasur parasysh së tashmë është jubile 10 vjetori i pavarësisë, Komuna e Ferizajt ka marrë të gjitha masat dhe veprimet që ky vit jubilar i shënimit të pavarësisë ta gjej Ferizajn sa më te përgatitur me aktivitete kulturore, një pjesë e tyre tashmë është pjesë e traditës, mirëpo do të kemi edhe tjera aktivitete që janë bërë enkas për manifestimin e kësaj feste”, ka treguar Aliu për “Gazeta Blic”.

Kryetari, ka treguar se të gjitha aktivitetet kanë qenë të koordinuara me qeverinë e Kosovës, si dhe me presidentin Thaçin.

“Të gjitha aktivitetet kanë qenë të koordinuara me qeverinë e Kosovës dhe presidentin, sepse kemi pasur edhe instruksione nga këto mekanizma në mënyrë që i gjithë territori i Kosovës të ketë një lloj sinkronizimi sa i përket këtyre aktiviteteve, përveç këtyre aktiviteteve të sinkronizuara, ne do të kemi edhe aktivitete tjera të cilat janë të organizuara nga Komuna e Ferizajt, do të kemi aktivitete që do të jenë gjatë gjithë këtyre 10 ditëve në kuadër të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, por sigurisht dita kryesore e të gjitha aktiviteteve do të jetë 17 shkurti”, ka përfunduar Aliu deklaratën për “Gazeta Blic”.

 

Ndërkaq, ditë më parë presidenti i vendit Hashim Thaçi ka prezantuar edhe logon zyrtare të Kosovës me rastin e 10 vjetorit.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, kishte shkruar rreth logos së Kosovës.

“Më vjen mirë që Këshilli Organizativ u është përgjigjur pozitivisht shqetësimeve të ngritura në publik rreth ngjashmërisë së logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës me një logo tjetër dhe ka vendosur që të ndryshojë atë. Logoja e re do të përdoret për të gjitha organizimet festive dhe për Medaljen Presidenciale Jubilare”, kishte shkruar Thaçi.

Ndërsa edhe Komunat tjera të Kosovës tashmë kanë nisur organizimet për festën e pavarësisë.

Komuna e Mitrovicës ka filluar të dekoroj qytetin me disa ikona dhe me flamuj të Kosovës.

Të premten pasdite me vendim të Këshillit Organizativ për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë u vendos ikona e parë në Mitrovicë #Kosova10 në qendër të qytetit në afërsi të shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletini.

Kjo ikonë është rreth 8 metra e gjatë ndërsa është rreth 1.5 metra e lartë dhe përfaqëson hashtagun zyrtar të 10 vjetorit të Pavarësisë.

Ikona të tilla janë vendosur edhe në sheshet kryesore të 10 komunave të tjera./GazetaBlic./

 

 

11/04/2018 13:26

Formacionet zyrtare: Ferizaj – Llapi