Lajme

Johnson provokon kryeministren Theresa Mayn për Brexit

09/18/2017 23:01
nga:A. R.

I heshtur për Brexit që prej disa muajsh, ministri britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson tensionoi situatën duke mbështetur një qëndrim diametralisht të kundërt me atë që do të shfaqë Theresa May në një fjalim të parashikuar për të premten.

Goditja ndodhi nën formën e një artikulli të gjatë të publikuar të premten e kaluar në mbrëmje në “Daily Telegraph” me titullin “Vizioni im për një Britani të Madhe ambicioze dhe me prosperitet në sajë të Brexit”.

Johnson, i cili ka bërë fushatë për një dalje nga Bashkimi Evropian, shprehet aty për një shkëputje të qartë me BE-në pas 29 marsit 2019, datë në të cilën Britania e Madhe duhet të dalë zyrtarisht nga BE dhe u shpreh kundër një periudhe tranzicioni.

Ky artikull tingëllon si një sfidë kundër kryeministres që ka zgjedhur të shprehet të premten në Firencë të Italisë, për rifillimin e një procesi negociatash të vështira me Brukselin dhe të përgatitet në të kundërt të njoftojë se ajo dëshiron një periudhë tranzicioni dhe se është e gatshme të kontribuojë në buxhetin e BE-së gjatë kësaj periudhe.

Përballë asaj që pjesa më e madhe e komentuesve e konsiderojnë si një provokim për Mayn, zëdhënësi i saj u mjaftua të konfirmonte sot se kreu i diplomacisë britanike “mbështet projektin e kryeministres përsa i përket Brexit dhe se ajo nuk ka asnjë qëllim ta shkarkojë”.

Për kreun e Partisë liberal-demokrate, Vince Cable, vendimi i Mayt tingëllon si një dëshmi tjetër dobësie. Kjo tregon se sa e paralizuar dhe e pafuqishme është ajo, që prej rezultatit jo të mirë të regjistruar në zgjedhjet e parakohshme legjislative në muajin qershor nga partia e saj konservatore.

“Nëse ajo vazhdon të minojë autoritetin e saj, fshehtësia e bën shumë të dobët në sytë e publikut”, thekson Tim Bale, profesor në Universitetin Queen Mary të Londrës. “Por, ajo është dobësuar tashmë shumë”, shton ai.

06/14/2019 23:47

Senatori Johnson: Serbia duhet ta njohë Kosovën