Cult

Jericho emocionon me këngën e re “Ëndërr e Prerë”

03/22/2019 10:16
nga:L I

Rok grupi kosovar Jericho ka publikuar këngën më të re që mban titullin “Ëndërr e prerë”.

Ndërsa vargjet e këngës së tyre të re, janë marrë nga një poezi e Dritëro Agollit.

Ata kishin njoftuar ditë më parë se kjo këngë ishte emocionalisht puna më e rëndë që e kanë bërë ndonjëherë.

“ËNDËRR E PRERË’ me titull nga poezia e DRITËRO AGOLLIT është kënga e radhës e JERICHO-s, videoklipin e së cilës e realizuam në bashkëpunim me aktorin nga Prizreni, XHEVDET DODA, i cili me lojën e tij i dha kuptim këtij projekti”.

Madje djemtë e grupit kishin shprehur edhe zhgënjimin dhe dhimbjen e tyre për të ardhmen e Kosovës.

“Është hera e parë që ndjehemi totalisht të pashpresë për të ardhmen e vendit tonë. Është i pabesueshëm dhe i trishtë rrugëtimi jonë prej 1999 deri në 2019, prej “This is my home” përplot jetë e ëndrra në “Ëndërr e prerë”. Atë çfarë as armiqtë tanë nuk munden ta thyejnë, “shpresën për ditë më të mirë’, e thyen dhe shkatërruan akterët politikë shqiptarë të të gjitha partive PA DALLIM, në bashkëpunim me oligarkët e bizneseve duke mosrespektuar as më të paktën e dinjitetit njerëzor, të natyrës, ajrit e ujit e ambientit që na rrethon, në të cilën frymojmë dhe jetojmë!”.

Jericho që njihet për këngët që shprehin rebelimin për gjendjen aktuale në vend ka thënë se thelbin e këngës së tyre më të re e përshkruajnë më së miri katër vargjet e fundit të poezisë “Ëndërr e prerë” të Dritëro Agollit.

“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë
Është turp kaq shpejtë të rrish e të vdesësh
Ne ëndërronim nje vdekje më të mirë
Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”.

Muzika e Jerichos është përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare.

Përveç instrumenteve standarde të rockut, ata përdorin edhe instrumente orientale të muzikës tradicionale shqiptare, si tupani, kavalli dhe zurna.

Tekstet e këngëve të tyre në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë ndërsa të gjitha këngët e Jerichos trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë në problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit.

03/21/2019 22:10

Jericho publikon “Ëndërr e Prerë”