Lajme

Ja pse shqiptarët preferojnë më shumë të punojnë në shtet sesa tek privati!

04/29/2019 15:39
nga:A. R.

Hendeku i pagave mesatare bruto ndërmjet shtetit dhe privatit rezultoi mbi 25 për qind vitin e kaluar.

Në vitin 2018 paga mesatare bruto ne sektorin shtetëror ishte 61 mijë lekë, ndërsa në sektorin privat mbi 45 mijë lekë ose 25% më të ulta se në shtet. Përllogaritjet i ka bërë INSTAT duke marrë si referencë listëpagesat zyrtare në tatime, ndërsa përllogaritja e pagës mesatare është bërë sipas metodologjisë së Eurostat.

Diferenca ndërmjet pagës mesatare ne shtet dhe privat është sistematike mbi 20 % në katër vitet e fundit dhe më së shumti diferenca vjen për shkak të nëndeklarimit të sektorit privat.

Pagesat me dy listë pagesa, njëra me bankë dhe tjera në dorë është realitet për shumë biznese në vendin tonë. Për këtë arsye Shqipëria renditet një ndër vendet e fundit në Rajon për rendimentin e grumbullimit të taksave mbi pagën dhe sigurimet shoqërore.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 diferenca ndërmjet pagës mesatare ne shtet dhe privat ishte rreth 20%, teksa në dy vitet e fundit 2017 dhe 2018 kjo diferencë është thelluar më tej me rreth 25 %.

Pagat në Shqipëri janë shumë poshtë mesatares rajonale si për sektorin shtetëror dhe parë të privat.

Sipas të dhënave zyrtare, zyrat statistikore të vendeve të rajonit, paga mesatare në Shqipëri, prej rreth 50 mijë lekësh (gati 400 euro) është më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e larta është në Mal të Zi (765 euro), Serbi (644 euro), Maqedoni (591) dhe Kosova e parafundit (528 euro).

Paga mesatare në shtet ( Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale) është 480 euro në Shqipëri, rreth 530 euro në Kosovë, rreth 670 euro në Maqedoni, 760 euro në Serbi dhe më e larta në Mal të Zi me rreth 880 euro. Në arsim, mësuesit shqiptarë paguhen mesatarisht 20-50% më pak se në vendet e tjerë fqinjë (gati 500 euro në Shqipëri, kundrejt 725 euro në Mal të Zi).

Në shëndetësi, mjekët e infermierët shqiptarë paguhen mesatarisht 50-80% më pak se homologët e tyre në rajon (425 euro paga mesatare në shëndetësi, kundrejt 820 euro në Mal të Zi). Se fundmi edhe Kosova dyfishoi pagat për sektorin e shëndetësisë duke paguar me rreth 1,200 euro një mjek specialist dhe mbi 500 euro një infermier.

05/14/2019 15:48

Shqiptarët midis Serbisë i’a krisin këngës shqipe: Nuk harrohet Adem Jashari