Cool

Ishulli në fund të botës: Aty shkohet vetëm me leje

08/11/2019 23:23
nga:Gazeta Blic

Ishulli Ascension ndodhet në Atlantikun e Jugut, në gjysmë të rrugës midis Afrikës dhe Brazilit, rreth 1,600 km larg bregdetit të Afrikës dhe është plot çudira.

Zyrtarisht nuk ka askush në ishull, dhe autoritetet britanike që qeverisin këtë ishull të largët nuk lejojnë askënd të banojë aty. 800 personat (shtetas britanikë) jetojnë aty në kategorinë e vizitorëve të përkohshëm.

Kush dëshiron ta vizitojë atë, duhet të ketë lejen me shkrim të përfaqësuesit të Mbretëreshës – Administratorit.

Aeroporti, pistat e të cilit dikur ishin më të gjata në botë dhe të destinuara për Space Shuttle, operohet nga forcat ajrore amerikane, të cilat i japin Britanisë së Madhe qasje të kufizuar. NASA ka ndjekur misionet Apollo nga ishulli, dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës monitoron lëshimin e raketave.

Ishte një pikë kyçe strategjike dhe e lidhur me Britaninë e Madhe dy herë në javë përmes fluturimeve Royal Air Force nga Londra në ishull, dhe në Ishujt Falkland, të përdorura nga civilët dhe ushtria.

Dy vjet më parë, ishulli u vizitua nga 1.454 turistë, të cilët duhej të paguanin një biletë 20 funte dhe të merrnin lejen e Administratorit ‘të ashpër’, transmeton KP.

Për shkak të shkatërrimit të pistës, këto fluturime u ndërprenë dhe pistën e përdorën vetëm aeroplanët më të vegjël. Jahtet private ndalen aty vetëm për një ose dy ditë. Aty mund të arrihet edhe me anijen e Royal Mail nga Shën Helena, e cila lëvizë nga Cape Town dhe duhen 10 ditë për të arritur, dhe në ishull duhet pritur midis një deri tri javë për t’u kthyer, shkruan Financial Times.

Peizazhi i ishullit mbizotërohet nga një shumëllojshmëri e antenave dhe pjatave satelitore, por askush nuk dëshiron të tregojë misterin e tyre.

Mjedisi i çuditshëm natyror është sfondi i përsosur për të gjitha këto gjëra të pazakonta. Ishulli mbretërohet nga zogjtë sooty terns, të cilët njihen për zërat e tyre që jehojnë. Kafsha më e madhe në ishull është gaforrja.

Ishulli ndodhet në majë të një vullkani nënujor të krijuar miliona vjet më parë. Sipërfaqja duket sikur vullkani ka shpërthyer së fundmi, dhe për pjesën më të madhe është e nxehtë dhe e thatë si një shkretëtirë.

Deri në ardhjen e britanikëve në 1815, ishulli ishte i pabanuar, megjithëse marinarët që e vizituan atë në 1726 zbuluan një tendë dhe një ditar. Leendert Hasenbosch ishte dëbuar në brigjet e ishullit, pasi ishte homoseksual.

Ai shkruan në ditar se ishte i dëshpëruar për ujë dhe furnizime, dhe përfundimisht filloi të pijë gjakun e breshkave, detit dhe urinën e tij. Epilogu i tij mbetet misterioz dhe asnjë skelet nuk është zbuluar ndonjëherë.

80 vjet më vonë kur britanikët dërguan një ushtri në ishull për të dobësuar përpjekjet franceze për të çliruar Napoleonin, i cili ishte deportuar në ishullin e afërt Shën Helena, ata nuk mund ta gjenin ujin.

“Asgjë nuk rritet pranë bregut dhe pothuajse asnjë pemë”, shkruante dikur Charles Darwin.

Së bashku me Joseph Hooker, Darwin mendoi ta bënte ishullin të përshtatshëm për njerëzit. Hooker e vizitoi atë në 1843, dhe më pas hartoi një plan – mbjelljen e pemëve përgjatë majës 859 metra të lartë, pika më e lartë në ishull.

Gjethet do të grumbullonin dhe depozitonin lagështi nga erërat e ngrohta që fryjnë dhe pikojnë pak në tokë, duke siguruar kështu lagështi të mjaftueshme për bimët. Ai kishte në plan të krijonte kullota për bagëti dhe tokë të përshtatshme për rritjen e perimeve, raporton BBC.

Plani i tij ishte shumë i suksesshëm dhe mund të shihet sot në pyllin ku rritet fiku dhe xhenxhefili. Mali i gjelbër është oazë e vërtetë dhe i njohur saktësisht për speciet që nuk kanë origjinën nga ishulli, por që u sollën nga vendet e tjera.

“Sipas standardeve të sotme, shumë shkencëtarë do të thoshin se është një katastrofë. Në sipërfaqe, duket si një parajsë tropikale, është e lagësht dhe ka shumë bimë. Por nuk ka karakteristika të maleve tjera tropikale, të gjitha ato që ishin këtu, zhduken ngadalë”, thotë biologu Sam Weber.

“Unë mendoj se kurrë nuk do të jemi në gjendje ta quajmë Malin e Gjelbër një ekosistem plotësisht funksional, të paktën jo tani, pasi për këtë i nevojiten mijëra vjet. Tani është me të vërtetë një rrëmujë e specieve pushtuese që kanë marrë malin, duke zvogëluar vlerën e tij për shëtitësit”, shton ai.

Në ishull është e njohur shëtitorja Elliot’s Path, e krijuar në vitin 1840, ndërsa mali ishte akoma i zhveshur për të lejuar pamje nga i gjithë ishulli. Ka disa rrugë të asfaltuara në qytet, por nuk ka zhurmë, asgjë nuk dëgjohet.

Gjatë vitit, në ishull dominon ushtria, dhe në pranverë gaforret që zbresin nga Mali i Gjelbër për çiftëzim. Ato shtrojnë vezët e tyre në brigjet e ishullit – një thesar i largët i natyrës së egër.