Lajme

Isa Mustafa kërkon koalicion: LDK e VV nuk duhet të shtyhen për pozitën e kryeministrit

08/28/2019 11:14
nga:M K

Kryetari i sapozgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa është paraqitur sërish përmes rrjeteve sociale.

Duke shfrytëzuar faqen zyrtare në “Facebook”, Mustafa, ka analizuar të bëmat e fundit nga të dyja partitë, që po e kërkojnë me çdo kusht postin e kryeministrit, shkruan GazetaBlic.

Ai ka kërkuar që të dyja palët të gjejnë gjuhën e marrëveshjes, e t’i lënë akuzat pjesë të së kaluarës, siç ka thënë kryetari i rikonfirmuar i partisë më të vjetër në Kosovë, duke i gëlltitur ato.

Më poshtë statusi i tij i plotë i para pak çasteve:

Qytetarë të nderuar,
Jam angazhuar, i mbetem besnik idesë dhe përkushtimit që vendi të qeveriset nga partitë e deritanishme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Në situatën në të cilën gjendemi, këtë e konsideroj zgjidhjen më të mirë.
Sikurse LDK, ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje ka specifikat e veta. Ka njerëzit me të cilët llogarit fitoren dhe qeverisjen. Kanë ambientin e brendshëm, që dallon.

Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV duhet të jetë Kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV të na caktojë sesi LDK duhet të vendosë për Kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës.

Bashkëpunimin e konsideroj proces të respektit reciprok. Kam gëlltitur të kaluarën, sepse e kam vlerësuar më lart interesin e vendit sesa vetëveten.

Jemi shprehur pozitivisht për koalicion me VV në interes të forcimit të shtetit dhe dekriminalizimit të vendit.

LDK, nuk e kërkon Kryeministrin, sepse nënvlerëson z. Albin Kurti dhe meritat e tij. Por se vlerëson znj. Osmani dhe kërkesat e anëtarësisë. Vlerëson kompetencën e LDK-së, ekipin e saj, për qeverisje të mire e pa korrupsion. Kjo është arsyeja e kërkesës tonë për Kryeministër.

Në qoftë se jemi të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon Kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti. Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqia. Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose pas-zgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-ave dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit. IM

/GazetaBlic/

09/05/2019 17:46

Isa Mustafa: Mos gënjeni – Nëse keni kurajo, garoni me mjete demokratike