Lajme

I akuzuari për krime lufte kërkon hudhjen e aktakuzës, PSRK thotë se ka prova

08/14/2019 12:40
nga:Y I

Mbrojtja e të akuzuarit për krime lufte gjatë vitit 1999 në Pejë, Zoran Gjokiq, përmes parashtresës së dorëzuar në gjykatë ka kërkuar hudhjen e aktakuzës, si dhe ka bërë kundërshtimin e provave.

Ndërkaq, gjatë seancës të së mërkurës, prokurorja Habibe Salihi, ka deklaruar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka prova, duke kërkuar nga gjykata të hudhet kjo kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarit Gjokiq.

Gjykatësi Arben Hoti, në këtë shqyrtim të dytë, ka bërë të ditur se mbrojtja ka paraqitur kërkesën për hudhje të aktakuzës brenda afatit ligjor, si dhe ka paralajmëruar alibinë e të pandehurit për kohën që dyshohet se është kryer vepra penale.

Gjithashtu, ai ka thënë se mbrojtja ka paraqitur edhe prova me anë të të cilave pretendon se vërtetohet alibia e të pandehurit.

Ai tha se PSRK, në kohë ka pranuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe provat e tjera.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit, Ljubomir Pantoviq, nuk ka shtuar diçka më shumë gjatë seancës përtej asaj që kishte paraqitur në formë të shkruar, mirëpo ka kërkuar që të konstatohen në procesverbal se kush është prezent në gjykatore gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Po jap vërejtje në publik pasi po shoh që ka përfaqësues, ju lus të konstatoni kush është prezent në shqyrtimin e sotëm”, deklaroi ai, ndërkaq më pas identiteti i të pranishmëve në sallë është konstatuar në procesverbal.

Më pas, prokurorja Salihi, në fjalën e saj deklaroi se PSRK ka bërë vlerësimin e kundërshtimit të provave, si dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe tha se konsideron se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruara nga ana e mbrojtjes.

Kjo sepse sipas saj, aktakuza është hartuar në bazë të dispozitave ligjore dhe ka prova të mjaftueshme të cilat janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe mbështesin aktakuzën.

Ajo deklaroi se pretendimet që mbrojtësi i të akuzuarit i ka potencuar në kërkesë, si dhe në kundërshtim të provave nuk qëndrojnë.

Prokurorja Salihi ka thënë se sa i përket provës, ku mbrojtja është thirrur në indeksin se i akuzuari ka qenë student, kjo çështje nuk është kontestuese dhe nuk është kontestuar as gjatë fazës së hetuesisë.

“Po ashtu, mbrojtësi ka parashtru edhe një njoftim për PSRK, po besoj që ia ka dorëzu edhe gjykatës duke propozuar që të dëgjohen dëshmitarët, tre nga ta nga Republika e Serbisë. Për këtë çështje, edhe gjatë hetuesisë mbrojtësit të akuzuarit i është lënë kohë e mjaftueshme që këta dëshmitarë t’i sigurojë dhe t’ia prezantojë prokurorisë”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka thënë se deri në fazën e ngritjes së aktakuzës, mbrojtësi apo i akuzuari, asnjëherë nuk kanë arritur të jenë në gatishmëri që të sigurojnë dëshmitarët.

Sipas saj, prokuroria gjatë hartimit të aktakuzës ka vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat konsideron se kanë qenë fajësuese dhe shfajësuese.

“Vepra penale për të cilën është ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit përbën vepër penale, nuk është arrit parashkrimi dhe nuk është përfshirë në aministim, nuk ka asnjë provë tjetër e cila në këtë rast do të pengonte ndjekjen penale”, ka thënë prokurorja Salihi.

Ajo ka thënë se i propozon gjykatës që ta hudh kundërshtimin e provave, si dhe ta refuzojë kërkesën për hudhjen e aktakuzës, ngase ajo është ngritur sipas dispozitave ligjore.

“Dua të theksoj se ka prova të mjaftueshme që janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe mbështesin aktakuzën. Andaj, mbes pranë propozimit që kërkesat të refuzohen, gjegjësisht të hudhen”, ka thënë në fund ajo.

Ndërkaq, avokati Pantoviq, deklaroi se nga prokuroria nuk u dëgjua asnjë përgjigje konkrete në vërejtjet konkrete që ai i ka dhënë.

Sipas tij, ajo çfarë u tha është e përgjithësuar dhe mund të vlej për të gjitha veprat tjera penale.

“Sa i përket thënieve të prokurorisë  se mbrojtja kinse është vonuar me sigurimin e dëshmitarëve, përkujtoj se në bazë të nenit 256, paragrafi 1, pika 1, pika 3, i KPRK-së , ku është paraparë se mbrojtja në seancën e dytë të dëgjimit është e obliguar të jap listën e dëshmitarëve, ne këtë e kemi bërë para 10 ditëve, pra me 4 gusht”, tha ai.

Kurse, i akuzuari Gjokiq, deklaroi se përkrah thëniet e mbrojtësit të tij dhe mbetet pranë tyre.

Më pas, gjykatësi Hoti, bëri të ditur se brenda afatit të caktuar ligjor, gjykata do të nxjerr aktvendim lidhur me kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, më 11 korrik 2019, gjatë shqyrtimit fillestar, i akuzuari kishte mohuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2019, i pandehuri Zoran Gjokiq, akuzohet se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake ka shkaktuar vuajte të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitja e një qyteti ose vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që duke bashkëvepruar me personat deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen e lartcekur dhe kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, ashtu që me të arritur te shtëpia e Hilmi Zeqiraj, tanimë i ndjerë, i pandehuri me personat e paidentifikuar kishin hyrë dhunshëm në shtëpi e tani të ndjerit dhe derisa i njëjti  kishte qenë në shtëpi, së bashku me familjen e tij dhe vëllait të tij, Skenderit, tani i ndjerë, dhe me familjen e të dëmtuarit Shaban Kaliqani, serbët kishin detyruar familjarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Akti akuzues thotë se fillimisht e kishin rrahur të dëmtuarin Kaliqani, pastaj i kishin maltretuar tan të ndjerët e lartcekur, i kanë plaçkitur, detyruar të ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre duke ia marrë arin e familjes, pastaj në oborrin e kësaj shtëpie fillimisht e rrahin përsëri të dëmtuarin Kaliqani, në atë mënyrë që e godasin në fytyrë dhe ia thyejnë dhëmbët. Ndërsa, thuhet se të dëmtuarin Skender e detyrojnë të shkojë për të siguruar të holla, e në ndërkohë e vrasin Hilmi Zeqiraj dhe me të arritur Skender Zeqiraj e sheh vëllain e vrarë, në gjendje të keqe, fillon të bërtas dhe detyrohet t’ua dorëzojë 1000 marka dhe më pas i detyrojnë të largohen nga shtëpia ku ishin.

Pasi dalin jashtë shtëpisë, sipas aktit akuzues, Skenderi e Shabani takojnë Bashkim Berishën, tanimë i ndjerë, të cilin paramilitarët serb e kishin detyruar të largohet nga shtëpia, me të arritur te dera e Asllan Mulës, përafërsisht 70 metra nga ku u vra Hilmiu, i kanë ndarë nga kolona e qytetarëve shqiptarë të cilët i kishin larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Tutje, thuhet se i pandehuri Zoran i ka ndaluar që të tretë, Skenderin, Bashkimin e Shabanin, duke i detyruar të kthehen me fytyre nga ai, me tu afruar që të tretë një metër përpara tij, iu kishte drejtuar  Skenderit e Bashkimi “ju dy hyni brenda” në oborrin e Asllan Mulës.

Sipas aktakuzës, Skenderin e Bashkimin i kishte futur brenda në oborr 4 -5 metra, pastaj me kallashnikovë ka gjuajtur në drejtim të tyre, duke i lënë të dytë të vdekur. Në aktakuzë thuhet se ai i është drejtuar Shabanit me fjalët “ngaj çka po pret”, e atëherë i dëmtuari Shaban duke vepruar sipas urdhrit të pandehurit arrin të largohet, rrugës takon Riza Mamaj, tanimë i ndjerë, i cili ishte me një karrocë në dorë, të cilën paramilitarët e pyesin se ku ishte nisur, derisa i njëjti u tregon, vazhdon rrugën me karrocë për në shtëpinë e kushëririt, të njëjtin e gjuan me armë në gjoks dhe rrëzohet mbi karrocë dhe vdes, pastaj Shabani vazhdon rrugën dhe vendoset fillimisht në shtëpinë e babait të tij për tu larguar të nesërmen për në Mal të Zi.

Me këtë, i akuzuari pretendohet se ka kryer veprat penale, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, që ndiqet sipas nenit 152, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës dhe nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, që ndiqen sipas nenit 153, paragrafi 1, nën paragrafët, 2.1,2.2,2.5,2.8,2.13 dhe 2.15 dhe nenit 3 të KPK-së.