Lajme

Humbin vitin, përjashtohen nga shkolla 58 nxënës

10/09/2019 21:02
nga:A. R.

Zyrtarë të DKA’së në Fushë-Kosovë thanë se nuk kanë mundësi që përsëritësit ta vijojnë mësimin

Ka më shumë se një muaj prej kur shkollat në Kosovë kanë hapur dyert për nxënës.

Por jo edhe për 58 fëmijë të shkollës së mesme “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë, të cilët kanë humbur vitin.

58 nxënës të cilët do të duhej ta ripërsërisnin klasën e dhjetë, nuk po i pranojnë në shkollë.

Kështu shprehet Arton Hoti, nipi i të cilit ka humbur vitin. Hoti thotë se nipi i tij kishte tentuar disa herë të rikthehet në shkollë, porse nuk është pranuar, raporton T7.

Sipas Hotit, nipi i tij është në gjendje të rëndë emocionale, pasi që nuk po i lejohet ta vijojë mësimin.

Hoti thotë se familja ka biseduar edhe me udhëheqës të këtyre institucioneve arsimore, por kanë marrë përgjigjie negative.

Megjithatë pretendon që nga inspektorati arsimor i kanë dhënë të drejtë familjes.

Se këta nxënës kanë të drejtë ta vijojnë mësimin edhe pasi të kenë humbur një vit e pranon edhe drejtori i shkollës, Ukë Uka.

Megjithatë thotë se diçka e tillë është e pamundur për ta.

Madje pranon se iu kanë rekomanduar nxënësve të vazhdojnë shkollimin diku tjetër.

Për këtë problem kanë njohuri edhe nga komuna e Fushë Kosovës. Njëjtë edhe ata thonë që e kanë të pamundur t’ua mundësojnë nxënësve të vijojnë edhe njëherë klasën e dhjetë.

Nga Ministria e Arsimit kanë konfirmuar se kanë marrë ankesë nga një prind, ndërkohë që theksuan që në bazë të udhëzimit administrativ duhet t’iu lejohet nxënësve përsëritja e vitit.