Opinion

Historia e një perandorie: Manjati i medias që destabilizoi demokracitë botërore

04/10/2019 23:16
nga:The New York Times

Rupert Murdoch-u ishte shtrirë tejendanë dyshemesë në shtëpizën e tij të verimit, i paaftë për të lëvizur qoftë edhe një gisht të vetëm. Ishte fillimjanari i vitit 2018. Murdoch-u dhe gruaja e tij e katërt në radhë, Jerry Hall-i, po i kalonin pushimet dimërore në vapën haluçinante të ishujve Karaibe duke vozitur në jahtin e Lachlan-it, djalit të tij më të madh. Me një përkujdesje përdëllyese, Lachlan-i kishte mbikëqyrur i brengosur skicë-projektin e “banesës lundruese” njëdirekëshe prej 140 hapash të gjatë – të quajtur “Sarissa”, duke marrë kështu emrin e një shtize tejet sëmbuese të përdorur nga ushtritë e Maqedonisë së lashtë- dhe gjeti prehje vetëm kur u sigurua se puna për modelimin e jahtit që do të mbarte familjen Murdoch në arratisjet e tyre ekzotike, ishte vënë në udhë mbarë.

Kabina e jahtit mund të shndërrohej fare kollaj në një pishinë. Një pajim i ndashëm prej druri për ushtrimin e ngjitjes së shkëmbinjëve, pasioni më fërgëllyes i Lachlan-it, mund të ngrihej në kuvertë. Megjithatë, struktura e jahtit nuk përbënte një mjedis lehtësisht të negociueshëm për një burrë 86-vjeçar. Një mbrëmje, Murdoch-u pati marramendje dhe u plandos përdhe, teksa po i drejtohej tualetit për të bërë ujët e hollë, shenjë se pleqëria i kishte mpakur jo vetëm rezistencën e fshikëzës, por edhe se bilogjikisht e kishte mundur pa kthim.

Gjatë vjetëve të fundit, Murdoch-u pat qenë rrëzuar disa herë. Në një palë shkallë ndërsa po dilte nga një platformë. Në një qilim të një hoteli në San Francisko. Familjarët bënë çmos që fjalët për këto incidente të mos merrnin dhenë, por të dyja rastet ishin shqetësuese. Ndërprerja e pakëndshme e rehatisë mpirëse në Karaibe, dukej akoma më serioze. Murdoch-u dërgua për kujdes të specializuar mjekësor në një spital në Los Anxhelos. Mjekët konstatuan rruaza të thyera, që lipsnin operim të menjëhershëm, si dhe një hematomë shpinore, që rriste rriskun e paralizës apo edhe të një epilogu fatal. E panikosur, Jerry njoftoi fëmijët e Murdoch-ut, duke u kërkuar me ngulm që të vinin në Kaliforni, të përgatitur dhe mendjendarë për të bërë paqe me të atin.

 

Vetëm një grusht individësh kanë luajtur një rol boshtor në politikat botërore, sikurse njeriu që dergjej në atë shtrat spitalor. Si kreu i një perandorie mediatike të tejshtrirë botërisht, ai komandoi rrjete të shumëfishta televizive, një shërbim global informativ, një shtëpi botuese prestigjoze dhe një studio kinematografike në Hollywood. Gazetat dhe rrjetet e tij televizive kanë qenë instrumente të rëndësishme në amplifikimin e revoltës së nativëve (merr kuptim nga nativizmi, politika e promovimit të interesave të banorëve vendas përkundër interesave të të huajve, duke përfshirë mbështetjen e masave të kufizimit të emigracionit), që po riformësonte qeveritë jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mespërmes të gjithë planetit. Domeni i tij informativ, Fox News, iu bashkua fushatës së presidentit Trump, asokohe thjesht kandidat, dhe bazës së mbështetësve të tij më të zjarrtë, duke i dhënë Murdoch-ut një shkallë të pashembullt ndikimi mbi demokracinë më të fuqishme në botë.

Gazeta e tij bulevardeske me vendveprim në Londër, “The Sun”, udhëhoqi kohët e fundit fushatën historike të Brexit-it për të shpënë Britaninë e Madhe jashtë Bashkimit Evropian. Mandej, në kaosin që pasoi, ndihmoi në gjunjëzimin e kryeministres britanike, Theresa May, mes disfatave sfilitëse në 10 Downing Street. Në Australi, ku fuqia e Murdoch-ut është me baza të shëndosha, “tentakulat” e tij bënë përpjekje për të shfuqizuar tatimin mbi karbonin – i pari i këtij lloji në botë-politikë që solli qendresën e artikuluar të një sërë politikanësh, që nuk pajtoheshin me agjendën e tij. Dhe Murdoch-u ishte bash në cak të nënshkrimit të marrëveshjes më të madhe të jetës së tij: vetëm disa javë para episodit në jahtin e të birit, ai takoi duart dhe rrahu shpatullat në një me Robert A. Iger-in, shefin ekzekutiv të kompanisë Walt Disney, për të lidhur një marrëveshje paraprake për shitjen e televizioneve dhe studiove të tij kinematografike Disney-it për shumën astronomike të 52.4 miliardë dollarëve. Por, kontrolli i perandorisë së tejshtrirë Murdoch të përhapur papritur dhe papandehur, kishte mbetur pezull në ajri.

Katër fëmijët kishin pretendime të ndryshme ndaj fronit. 61-vjeçari Prudence, fëmija i vetëm i martesës së parë të Murdoch-ut me modelen australiane Patricia Booker (nga e cila ai u divorcua në vitin 1965) jetonte mes Sydney-it dhe Londrës, duke qendruar i mënjanuar nga biznesi familjar. Por, tre fëmijët nga martesa e dytë e Murdoch-ut me Anna Mann-in (me të cilët ai u divorcua në vitin 1999), kishin kaluar një pjesë të mirë të jetës së tyre duke luftuar për të pasuar patriarkun e perandorisë Murdoch. Elisabeth-a, 50 vjeç, Lachlan-i, 47 vjeç dhe James-i, 46 vjeç, u rritën në biznes. Që fëmijë, të ulur rreth tavolinës së ngrënies, ata u mbanin vesh urdhëresave të babait të tyre për stafet e gazetave, duke përzgjedhur artikujt dhe mënyrën se si do të trajtoheshin. Sekush prej tyre kishte imagjinuar të bëhej padron i kompanisë. Siç u pëlqente të thoshin miqve të afërt të familjes: plaku Murdoch nuk ka rritur fëmijë, ai ka projektuar mogulët e ardhshëm të medias.

Çfarë kanë dashur Murdoch-ët ndër gjenerata?

Dinamikat familjare janë komplekse, veçanërisht në një dinasti mediatike të ndikueshme nga faktorë të ndryshëm, siç janë: detyrimet e përditshme të biznesit dhe dëshira për të trashëguar pasuri, një ndjenjë e vjetër e rolit të qytetarëve të devotshëm në një shoqëri. Por, operacionet globale të Murdoch-ëve sugjerojnë një orientim të ndryshëm dinastik të qendërzuar në ndërtimin e perandorisë në kuptimin burimor të termit: pushtimin territorial.

Murdoch-u e nisi biznesin me një gazetë të vogël rajonale në Australi, të trashëguar nga i ati, Keith Murdoch, i cili nuk ia doli të ndërtonte mirëfilli një perandori mediatike. Në të perënduar të jetës së tij në vitin 1952, Keith kishte në pronësi veçse dy gazeta rajonale, njëra prej të cilave u desh të shitej për të paguar detyrimet e ceremonisë së tij mortore. Gjithsesi, krahas kësaj trashëgimie modeste, 21–vjeçari Rupert Murdoch, kishte nxjerrë mësime shumë më të vlefshme nga i ati i ndjerë: një udhërrëfyes të bollshëm mbi mënyrën se si duheshin përdorur asetet mediatike për të “mjelë” favore nga politikanët.

Murdoch-u e zgjeroi sipërmarrjen e tij me hapa galopantë në një forcë ndërkombëtare qerthullore, në sajë të përdorimit meskin të platformës së tij mediatike për të ofruar një ndihmesë vendimtare në zgjedhjen e kandidatëve të tij të parapëlqyer, të cilët në këmbim shfrytëzoheshin fund e krye për të kontribuar në ekspansionin e perandorisë informative “Murdoch”, një prove të gjallë për dhjetëvjeçarë allishverishesh me zyrtarë anekënd arenës ndërkombëtare. “Kurrë nuk i kam kërkuar një kryeministri për të bërë diçka.”- është shfajësuar Murdoch-u, por i madh dhe i vogël e di fare mirë se marrëdhënia simbiotike mes baronëve të shtypit dhe politikanëve është e vetkuptueshme. Të dyja palët kanë synime të prekshme: pushtetin, influencën dhe votuesit.

Vala populiste e spektrit të djathtë që dukej si një fenomen i rrufeshëm kulturor disa vjet më parë, është shndërruar në lëvizjen politike përcaktuese të kohës, duke prishur rendin botëror të gjysmë shekullit të fundit. Perandoria “Murdoch” nuk e gjeneroi këtë vale, por më shumë se çdo kompani e vetme mediatike, e mundësoi, e promovoi dhe voli frytet e saj. Në të gjithë botën anglishtfolëse, degëzimet e familjes dinastike kanë synuar popullarizimin e etnonacionalizmit përmes retorikës margjinale të demagogëve dhe politizimit të vetë nocionit të së vërtetës. Rezultatet kanë qenë mbresëlënëse. Ndonëse, familja nuk ka patur si mision destabilizimin e demokracive në mbarë botën, por kjo ka qenë trashëgimia e saj më konsekuente, transmeton Lapsi.al.

Qasja e Murdoch-u në ndërtimin e një perandorie mediatike arriti pikën kulmore në epokën Trump. Murdoch-u kishte ëndërruar për një kohë të gjatë një marrëdhënie të ngushtë me një president amerikan. Në pamje të parë, ai dhe Trump kanë shumë pak pikëtakime. Njëri është qytetar global me pasuri të patundshme rrotull botës dhe lexues i panginjur me një ndjenjë vetëdijeje. (Murdoch-u u fotografua vitin e kaluar rehatuar në shezlong duke lexuar “Utopia për realistët” të autorit dhe historianit holandez, Rutger Bregman, një “milioneri të financuar nga miliarderët”). Tjetri është krenarisht amerikan që punon dhe pushon në atdhe, ushqehet me “fast food” dhe shikon shumë televizor. Por, në fund të fundit ata janë bij “perandorësh” dhe dinastitë e tyre ndajnë të njëjtën vlerë thelbësore – fuqizimin nëpërmjet pushtimit territorial – dhe “përçajnë dhe sundojnë” duke shfrytëzuar marrëdhëniet politike për të fituar pushtet dhe ndikim.

Në agun e vitit 2015, Murdoch-u mori një telefonatë nga Ivanka Trump, e cila i propozoi të drekonte me të dhe me të atin, njeriun e krahasueshëm me kalibrin e tij. Ata u takuan të ngazëllyer në dhomën e ngrënies të koorporatës në ndërtesën e Fox News-it, në Midtown Manhattan. Gostisë së tyre iu bashkua edhe Jared Kushner-i, i shoqi i Ivankës. Me t’u shërbyer pjata e parë, Trump e njoftoi Murdoch-un se do të kandidonte për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me një reagim të vetëtishëm, pa ngritur akoma sytë nga supa që po gjerbte, Murdoch-u u përgjigj: “Atëherë, duhet të përgatitesh për të qenë në epiqendër të sulmeve”, duke marrë një çehre të mrrudhur si të ishte në pritje të disa grushtimeve.

Murdoch-u ishte thellësisht i lidhur me familjen Trump. Donald-i kishte kultivuar gati me perdhunë një pozitë skajshmërsht të volitshme tek “The Post” gjatë fillimeve të njohshmërisë së tij në Nju Jork, përgjatë fundviteve ’70-të dhe ’80-të. Kushner-i u bë një bashkëpunëtor i ngushtë i Murdoch-ut pasi bleu “The New York Observer” në vitin 2006. Një miqësi e pagjasë mori udhë kështu mes manjatit tetëdhjetëvjeçar dhe publikuesit djaloshar honxhobonxho, aq sa Murdoch-u dhe Wendi (gruaja e tij e tretë në radhë) buajtnin Kushner-in dhe Ivankën për pushime rutinore mes Karaibeve në komoditetin fetishist të “Larissa”-s. Pas divorcit të Murdoch-ut në vitin 2013, Kushner, i cili vepronte fuqimisht edhe në biznesin e pasurive të paluajtshme, i dha një dorë ndihme mikut të tij në gjetjen e një dekoruesi për një banesë të re, ashtu siç u ka hije beqarëve. Ndërsa, Ivanka shërbente si një nga pesë individët e ngarkuar me kompetencën e administrimit të pasurisë 300 milionë dollarëshe të dy vajzave të sjella në jetë nga martesa e Murdoch-ut me Wendi-n.

Plaku Murdoch e njihte potencialin e Trump-it si një karakter karizmatik i revistave bulevardeske, por nuk e pa kurrë atë si një person serioz, për të mos folur për besueshmërinë e vakët që ngjallte si një kandidat i denjë për t’u bërë president i një superfuqie politike, diplomatike dhe ekonomike. “Ai është një idiot”, mendohet të ketë thënë krejt i shpenguar Murdoch-u në një rreth okult ortakësh kur është pyetur lidhur me Trump-in.

Roger Ailes, kreu jetëgjatë i Fox News-it, nuk ishte asfare më zemërmadh nga Murdoch-u, të paktën përtej fushëdëgjimit të Trump-it. Aleanca e tyre e parë daton në fushatën vendore për Nju Jorkun të Rudolph Giuliani-t në vitin 1989, në të cilën Ailes punoi si këshilltar mediatik dhe Trump-i si donator. Ishte Ailes-i që në vitin 2011 i dha Trump-it një hapësirë periodike të hënave mëngjesore në “Fox & Friends”, për të çuar përpara fushatën e tij “birther”. Sidoqoftë, Ailes-i deklamoi me indinjim të thellë për nocionin e një presidence “Trump”, duke thënë mes miqsh e bashkëpunëtorësh të ngushtë se ai ishte me milje larg prej të qenit i vlefshëm dhe i dobishëm për Zyrën Ovale.

Megjithatë, Trump gjendej në një pozitë optimale. Një pjesë e konsiderueshme e elektoratit të tij përbënte audiencën më besnike të Fox-it. Madje, nëse përkrahësit e presidentit të tanishëm do të vendoseshin para një zgjedhjeje mes Trump-it dhe ekranit të televizionit të tyre më të parapëlqyer, Ailes-i me gjasë do të prishej në fytyrë nga rezultatet. “Unë mund të shkoj në ‘Today Show’ me pizhame, dhe pesë milionë njerëz do të me ndjekin,” paralajmëronte gjatë fushatës elektorale Trump-i në kllapinë e një vetëbesimi karakterizues.

Gjatë primareve, Trump-i latoi dhe i dha formën fundore identitetit të tij politik, duke trumbetuar kundër ndërhyrjes ushtarake, tregtisë së lirë dhe emigracionit. Të gjitha këto pozicione binin ndesh drejtpërdrejt me pikëpamjet neokonservatore të Murdoch-ut, i cili kishte mbështetur me entuziazëm Luftën e Irakut, kishte ungjillizuar për politika të hapura të emigracionit dhe pat nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare tregtare. Energjia populiste dhe anti-sistem gurgullonte pa ndalur, ndërkohë që Trump-i hidhte hapa të vendosur drejt Shtëpisë së Bardhë.

Deri në mars të vitit 2016, Donald Trump, njeriu që Murdoch-u kishte nënvlerësuar një vit më parë, shfaqej bindshëm në prognoza si kandidati favorit në garën presidenciale. I pamësuar me humbjen, Murdoch-u theu kryelartësinë në përpjekje të ndreqjes së fërkimeve me “idiotin e dikurshëm” që do të bëhej së afërmi njeriu më influencial në botë. “Nëse ai bëhet i pashmangshëm, partia do të ishte e çmendur të mos bashkohej”, shkroi Murdoch-u në llogarinë e tij personale në “Twitter”, duke i dërguar kështu Trump-it një syshkelje në formën e një aluzioni me premisën se “flirti” do t’i linte vendin një lidhjeje permanente …