Lajme

Haradinaj: Kosova ruan miqësi të mirë me popullin slloven dhe kjo duhet të vazhdojë

03/13/2018 14:17
nga:M H

Kosova ruan një miqësi të mirë me popullin slloven dhe kjo miqësi duhet të vazhdojë. Ky është mesazhi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas pritjes që i bëri zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Sllovenisë, Karl Erjavec.

Kryeministri Haradinaj tha se “ekziston një klimë e mirë mes Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në shumë fusha. Sllovenia është një ndër investitorët më të mëdhenj në vend dhe Kosova është e interesuar që ta vazhdojë këtë partneritet ekonomik, duke e përmirësuar çdo herë e më shumë balancin e eksportit dhe importit me këtë vend”.

Haradinaj kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Sllovenisë në planin ndërkombëtar.

“Përkrahja juaj për njohjet e reja, anëtarësimin në INTERPOL, UNESCO, në procesin e integrimit euroatlantik ka domethënie të madhe për ne. Ne jemi një vend euroatlantik, kKy është destinacioni ynë”, tha kryeministri Haradinaj, i cili ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Kosovës për të respektuar secilin etnitet në vend.

“Krijimi i ushtrisë së Kosovës me mandat kushtetues, nuk e ndryshon balancin e sigurisë në rajon, për më tepër kontribuon në të”, tha kryeministri Haradinaj.

Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Karl Erjavec, vlerësoi arritjet dhe progresin e madh që është bërë në Kosovë në këto 10 vjet të shtetësisë, duke shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit të tij për bashkëpunimin bilateral në fushën e ekonomisë dhe përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj integruese, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe në udhëheqjen e iniciativave rajonale.

Pjesë e takimit ishin edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi dhe ambasadori slloven në Kosovë, Bojan Bertoncelj.

12/14/2018 22:25

Haradinaj, për Ushtrinë: Sot duhet të gëzohet edhe Serbia!